Botë

NATO: Suedia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmbushur kërkesat e Turqisë

Suedia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmbushur kërkesat e Turqisë në mënyrë që ajo të miratojë aplikimin për anëtarësim të Stokholmit në NATO, ka njoftuar të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Suedi, raportoi të hënën Reuters.

“Unë e mirëpres që Suedia tashmë ka filluar të ndryshojë legjislacionin e saj kundër terrorizmit dhe se do të sigurojë që kuadri ligjor për eksportin e armëve do të pasqyrojë statusin e ardhshëm si anëtare e NATO-s me angazhime të reja ndaj aleatëve”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë të përbashkët me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson.

Sipas Stoltenbergut, këta janë dy hapa të rëndësishëm për të adresuar shqetësimet që ka ngritur Turqia.

Kryeministrja suedeze ka thënë se Suedia ka ndryshuar ligjet e saj për terrorizmin dhe është në proces të shtrëngimit të mëtejshëm.

"Nga 1 korriku do të kemi legjislacion edhe më të fortë kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit. Jemi të gatshëm të kontribuojmë në luftën kundër terrorizmit", ka thënë ajo.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t'u bashkuar me aleancën muajin e kaluar, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Aplikimet e tyre janë përballur me kundërshtime nga Turqia, e cila ka shprehur pakënaqësi lidhur me “mbështetjen suedeze të militantëve kurdë” dhe nga një vendim i mëparshëm për të tërhequr licencat e eksportit të armëve në Turqi.