Botë

“Karvani i vdekjes” në Mariupol

Në aplikacionin Telegram, Petro Andryushchenko ka bërë të ditur se trupat po dërgohen në “karvanin e pafund të vdekjeve”, në morg, deponi e vende të tjera. Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën 21 mijë civilë u vranë gjatë rrethimit njëjavor rus.

Humbja njerëzore e luftës në Ukrainë u rrit teksa punëtorët nxorën deri në 100 trupa nga secila ndërtesë e rrënuar në qytetin e shpartalluar të Mariupolit – përpjekje e tmerrshme që një zyrtar e përshkroi si “karvani i pafundmë i vdekjes”.

Ndërkohë, frika e krizës globale ushqimore u përshkallëzua për shkak të paaftësisë së Ukrainës për të eksportuar miliona tonë drithë përmes porteve të bllokuara.

Në të njëjtën kohë, forcat ukrainase dhe ruse luftuan ashpër të mërkurën për kontrollin e Sievieodonetskut, qytet që është epiqendër e fushatës së Rusisë për ta pushtuar zemrën industriale të Ukrainës, Donbasin.

Sipas ndihmësit të kryetarit të bashkisë në qytetin e Mariupolit, i kontrolluar nga Rusia, shumë ndërtesa në qytet përmbajnë nga 50 deri në 100 trupa të vdekurish.

Në aplikacionin Telegram, Petro Andryushchenko ka bërë të ditur se trupat po dërgohen në “karvanin e pafund të vdekjeve” në morg, deponi e vende të tjera. Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën 21 mijë civilë u vranë gjatë rrethimit njëjavor rus.

Pasojat e luftës po ndihen edhe përtej Evropës Lindore, ngaqë dërgesat e drithërave ukrainase po kthehen brenda vendit, duke rritur çmimin e ushqimit.

Ukraina, e njohur prej kohësh si “shporta e bukës së Evropës”, është një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit në botë, mirëpo pjesa më e madhe e kësaj rrjedhe është ndalur nga lufta dhe nga bllokada ruse e bregut të Detit të Zi të Ukrainës. Rreth 22 milionë tonë drithë mbetën në Ukrainë. Pamundësia për të bërë dërgesa po e rrezikon furnizimin me ushqim në shumë vende në zhvillim, posaçërisht në Afrikë.

Image
Trupat e Moskës vazhduan fushatën e tyre të mundimshme, ngadalë e me kujdes për rajonin e Donbasit me luftime të ashpra në Sievierodonetsk dhe rreth tij, i cili kishte një popullsi prej 100 mijë banorësh para luftës

Furnizimi me grurë

Rusia ka shprehur mbështetje për planin e OKB-së për të krijuar dalje të sigurt në det që do ta lejonte Ukrainën t’i rifillonte dërgesat e grurit. Plani, ndër të tjera, kërkon që Ukraina t’i heqë minat nga ujërat pranë portit të Odesës në Detin e Zi.

Rusia po këmbëngul që të lejohet kontrollimi i anijeve që vijnë për armë, ndërkohë që Ukraina ka shprehur frikën se pastrimi i minave mund t’ia mundësojë Rusisë ta sulmojë bregdetin. Zyrtarët ukrainas kanë lajmëruar se nuk mund të besohen garancitë e Kremlinit se nuk do ta bënte këtë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të mërkurën e ka akuzuar Kremlinin “për përdorimin e furnizimit të ushqimit si mjet lufte dhe rrethimin e veprimeve me një rrjetë gënjeshtrash, të stilit sovjetik”.

Ndërsa Rusia, e cila është po ashtu furnizuese kryesore e drithërave për pjesën tjetër të botës, i ka fajësuar sanksionet perëndimore kundër Moskës për krizën ushqimore. Bashkimi Evropian e ka mohuar ashpër këtë duke thënë se faji i takon vetë Rusisë për luftën kundër Ukrainës.

“Këto janë anije e raketa ruse që po e bllokojnë eksportin e të korrave e të drithërave”, ka theksuar Michel. “Tanket, bombat dhe minat ruse po e pengojnë Ukrainën për mbjellje dhe korrje”.

Perëndimi e ka përjashtuar grurin e ushqimet e tjera nga sanksionet kundër Rusisë, ama SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur masa ndëshkuese gjithëpërfshirëse kundër anijeve ruse. Moska argumenton se këto kufizime e bëjnë të pamundur përdorimin e anijeve të saj për të eksportuar grurë, e gjithashtu i bëjnë kompanitë e tjera të transportit të hezitojnë në transportimin e produktit të saj.

Turqia ka kërkuar të luajë rol në negocimin e përfundimit të luftës dhe në ndërmjetësimin për rifillimin e dërgesave të grurit. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, të mërkurën u takua me homologun rus, Sergej Lavrov. Ukraina nuk ishte e ftuar në bisedime.

Beteja për Donbasin

Trupat e Moskës vazhduan fushatën e tyre të mundimshme, ngadalë e me kujdes për rajonin e Donbasit me luftime të ashpra në dhe rreth Sievierodonetskut, i cili kishte një popullsi prej 100 mijë banorësh para luftës. Është një nga qytetet e fundit që ende nuk është marrë nga rusët në Luhansk, një nga dy provincat që e përbëjnë Donbasin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksyy, e ka quajtur Sievierodonetskun “epiqendrën” e betejës për Donbasin, e mbase njëra nga betejat më të vështira të luftës.

Ai ka bërë të ditur se ushtria ukrainase po i mbron pozicionet e saj dhe po u shkakton humbje goxha të madha forcave ruse.

“Aty po vendoset fati i Donbasit tonë”, ka njoftuar Zelenskyy përmes videos në fjalimin e tij, i cili u regjistrua në rrugë jashtë zyrës së tij në Kiev.

Një këshilltar i zyrës së Zelenskyyt, ka bërë të ditur se forcat ruse kanë ndryshuar taktikat e tyre në betejë, duke u tërhequr nga qyteti teksa e godasin atë me artileri dhe sulme ajrore.

Si rezultat, qendra e qytetit është e shkretë e artileria po godet vende bosh, ka bërë të ditur Oleksiy Arestovych.

“Po godasin fort pa ndonjë sukses të veçantë”, ka deklaruar ai në intervistën e tij të përditshme në internet.

Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haida, i ka pranuar vështirësitë e luftimit të forcave ruse, duke thënë se: “Ndoshta do të na duhet të tërhiqemi, mirëpo tani betejat në qytet po vazhdojnë”.

“Krejt çka ka ushtria ruse - artileri, tanke e aviacion – të gjitha këto po i përdor në Sievierodonetsk për ta fshirë qytetin nga faqja e dheut e pastaj ta pushtojë plotësisht”, ka theksuar ai.

Qyteti i Lysychanskut, ashtu sikurse Sievierodonetsku, është pykë midis forcave ruse në provincën e Luhanskut. Valentyna Tsonkan, banore e moshuar e Lysychanskut, e përshkroi momentin kur shtëpia iu sulmua.

“Isha e shtrirë në shtrat. Copëzat e granatës e goditën murin dhe kaluan në shpatullën time”, ka shpjeguar ajo teksa merrte trajtimin për plagët.

Cenimi i vazhdueshëm i Rusisë mund të ofrojë mundësinë e një zgjidhjeje të negociuar mes dy vendeve me më shumë se tre muaj pas luftës, kanë njoftuar analistët.

Presidenti rus, Vladimir Putin, “e ka opsionin e deklarimit të objektivave të tij të përmbushura pak a shumë në çdo kohë, në mënyrë që të konsolidojë përfitimet territoriale të Rusisë”, ka thënë Keir Giles, ekspert për Rusinë në institutin Chatham House në Londër. Në atë pikë liderët perëndimorë mund të “ushtrojnë presion ndaj Ukrainës që t’i pranojë humbjet e tyre në mënyrë që t’u japë fund luftimeve”.

Zelenskyy ka vënë në dukje se Rusia nuk është e gatshme të negociojë pasi ndihet ende e fortë.

Teksa bisedonte me videolidhje me drejtuesit e korporatave të SHBA-së, Zelenskyy bëri thirrje për sanksione më të ashpra për ta dobësuar ekonomikisht Rusinë, përfshirë largimin e saj plotësisht “nga sistemi financiar global”.

Presidenti ukrainas ka bërë të ditur se Ukraina është e gatshme të negociojë “për të gjetur rrugëdalje”. Ama, nuk do të ketë rrugëdalje “në kurriz të pavarësisë sonë”.

Përgatiti: Blerta Haxhiu