Një 10-vjeçare u arrestua në SHBA, pasi autoritetet thanë se ajo gjuajti për vdekje një grua e cila po grindej me nënën e saj, raportoi të mërkurën CNN.
Fëmija u dërgua në mbajtje në Departamentin për Fëmijë në Florida.
Në një deklaratë, Zyra e Avokatit të Shtetit ka thënë se rasti po rishikohet dhe se do të merren parasysh të gjitha faktet, përfshirë moshën e vajzës, kur të merret vendimi për ngritje të akuzës.
“Duam të bëjmë të qartë se asnjë akuzë nuk është bërë nga zyra jonë”, ka thënë Zyra e Avokatit të Shtetit.
Nëna e vajzës është po ashtu në mbajtje.
Dëshmitarët i thanë policisë se gjuajta me armë ndodhi kur nëna e fëmijës dhe viktima filluan të debatonin jashtë ndërtesës së banimit.
Vajza ishte me të ëmën në kohën kur ato po ziheshin mes vete.
Dyshohet se nëna nisi përleshjen fizike duke e goditur viktimën, e cila ia ktheu duke e goditur në shpinë.
Më pas vajza shtiu mbi të dhe sipas dëshmitarëve bërtiti “ajo nuk duhej ta godiste nënën time”.