Botë

Zinxhiri global i furnizimit me ushqim në rrezik nga hakerët

Ekspertët paralajmërojnë se makineritë moderne bujqësore “të mençura”, janë të prekshme ndaj hakerëve keqdashës, duke i lënë zinxhirët e furnizimit global të ekspozuar ndaj rrezikut

Dyshohet se hakerët mund t’i shfrytëzojnë të metat në pajisjet bujqësore të përdorura për t’i mbjellë të korrat.

Gjiganti i prodhimit bujqësor, John Deere, ka treguar se tani po punon për të rregulluar çdo pikë të dobët në softuerin e tij.

Një raport i fundit i Universitetit të Kembrixhit ka bërë të ditur se spërkatësit automatikë të të korrave, dronët dhe korrësit robotikë mund të hakoheshin.

Qeveria e Britanisë së Madhe dhe FBI-ja kanë paralajmëruar se kërcënimi i sulmeve kibernetike po rritet.

John Deere ka theksuar se mbrojtja e klientëve, makinerive dhe të dhënave ishte “prioriteti kryesor”.

Teknologjia inteligjente po përdoret gjithnjë e më shumë për t’i bërë fermat më efikase dhe më produktive - për shembull, deri më tani korrja intensive e punës e kulturave ushqimore delikate si shpargu ka qenë përtej mundësive të makinerive.

Gjenerata e fundit e robotëve bujqësorë e përdorin inteligjencën artificiale, duke minimizuar përfshirjen njerëzore. Ata ndihmojnë për ta plotësuar mungesën e fuqisë punëtore ose për ta rritur rendimentin, mirëpo frika nga rreziku i natyrshëm i sigurisë po rritet, duke e shtuar shqetësimin për zinxhirët e furnizimit me ushqim të kërcënuar tashmë nga lufta në Ukrainë dhe COVID-i.

Chris Chavasse, bashkëthemeluesi i Muddy Machines, i cili po e provon robotin autonom që mbledh asparagus të quajtur Sprout, ka thënë: “Ekziston një rrezik real që njerëzit kudo në botë mund të përpiqen të marrin kontrollin e këtyre makinave”.

Ai ka shpjeguar se potencialisht dikush mund ta çojë Sproutin në një gardh ose një kanal, ose ta pengojë atë të funksionojë fare, kështu që po punojnë me studiues të sigurisë për të adresuar çdo dobësi.

Bujqësia e asparagut nuk ka gjasa të jetë objektiv kryesor, por Chavasse beson se hakerët keqdashës mund ta kërcënojnë infrastrukturën bujqësore.

Edhe kompanitë më të mëdha nuk janë të sigurta nga bandat kibernetike. Disa përdorin ransomware: kod me qëllim të keq që mund të enkriptojë të dhënat dhe t’i bllokojë sistemet.

Vitin e kaluar, një nga kompanitë më të mëdha në botë të përpunimit të mishit, JBS, pagoi 11 milionë dollarë si shpërblim për ta zgjidhur një sulm kibernetik. Këtë muaj, firma më e mirë bujqësore amerikane, AGCO, u godit nga një sulm ransomware që preku prodhimin.

Në muajin prill, një grup autoritetesh zyrtare qeveritare të sigurisë kibernetike, duke i përfshirë ato nga Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Australia, paralajmëruan se hakerët rusë të sponsorizuar nga shteti mund të synojnë zinxhirët e furnizimit si pjesë jetike e infrastrukturës kombëtare perëndimore.

Hakeri etik, i cili quhet Sick Codes dhe kërkoi të mbetet anonim, ka treguar se kishte zbuluar dobësi në softuerin e John Deere, të cilin e kishte raportuar. Ai ka thënë se gjeti një mënyrë për të hyrë në informacionin e kompanisë dhe të dhënat e makinerive përmes faqeve të internetit dhe aplikacioneve.

Sick Codes ka bërë të ditur se kishte gjetur gjithashtu dobësi në sistemet e përdorura nga CNH Industrial, e cila prodhon makineri New Holland Agriculture.

Ai ka frikë se është vetëm çështje kohe përpara se një haker i sofistikuar të gjejë dobësi të rëndësishme dhe të shkaktojë ndërprerje të mëdha në zinxhirët e furnizimit me ushqim tashmë të cenueshëm.

“Kjo është ajo që po përpiqemi ta parandalojmë - ngecja e diçkaje gjatë kohëve më të rëndësishme, veçanërisht mbjellja ose korrja. Nëse nuk mund ta lëvizësh traktorin gjatë asaj kohe, ose nëse nuk mund të zgjedhësh ose të heqësh të korrat nga toka, mund ta imagjinoni se çfarë ndodh. Thjesht ndalon, e gjithë kjo gjë”, ka sqaruar ai.

James Johnson, shefi global i sigurisë së informacionit të John Deere, ka treguar se kompania kishte qenë duke u lidhur me një numër hakerësh etikë për dobësitë që ata kanë gjetur.

Ai tha se ato gjetje deri më tani nga Sick Codes “nuk përbënin kërcënim për klientët ose makinat e tyre”.

“Asnjë kompani, përfshirë John Deere, nuk është imune ndaj dobësive, por ne jemi thellësisht të përkushtuar dhe punojmë pa u lodhur për t’i mbrojtur klientët tanë dhe rolin që ata luajnë në zinxhirin global të furnizimit me ushqim”, ka shtuar ai.

Benjamin Turner, shefi operativ në Agrimetrics, një nga katër qendrat agroteknike të inovacionit bujqësor të mbështetura nga Qeveria e Britanisë, ka thënë i trishtuar: “Duke hakuar një traktor, mund ta mërzitësh një fermer dhe ndoshta të dëmtosh përfitimin e tij për një sezon.

“ Kurse, duke hakuar një flotë traktorësh, papritmas, ju keni fuqinë për të ndikuar në rendimentin në zona të tëra të vendit”.

Ndërkohë jashtë në fusha, edhe makineritë e përditshme bujqësore përdorin sisteme që janë potencialisht të cenueshme.

Richard Heady, fermer viçi në Buckinghamshire, traktori i të cilit mund të drejtohet nga një sistem pozicionimi GPS, u shpreh: “Gjithçka është kaq e ndërlidhur tani, vetëm duke rrëzuar sistemin mund t’i ndalojë dërgesat që vijnë te ne ose të ndalojë lëvizjen e traktorëve fare.

“Ne kemi parë rafte bosh mjaftueshëm për shkak të COVID-it - mund të shohim të njëjtën gjë të ndodhë nëse ka sulm kibernetik”.