Botë

Talebanët detyrojnë prezantueset të mbulojnë fytyrën

Gratë prezantuese dhe reportere në kanalet televizive në Afganistan dolën në transmetim me fytyra të mbuluara të dielën, në përputhje me një urdhër të talebanëve.

Një ditë më herët, disa prej tyre e kishin kundërshtuar këtë dekret dhe vazhdonin t’i mbanin fytyrat e tyre më të zbuluara.

Një prezantuese tha se gratë që punonin në TV kishin rezistuar fillimisht, por punëdhënësit e tyre ishin nën presion, shkruan BBC.

Pas marrjes së pushtetit vitin e kaluar, talebanët kanë vendosur gjithnjë e më shumë kufizime në jetën e grave.

Të veshura me hixhabe dhe mbulesë që mbulonin fytyrën, gratë prezantuan dhe raportuan në buletinet e lajmeve dhe programe të tjera nëpër kanale të njohura si TOLOnews, Ariana Television, Shamshad TV dhe 1TV.

Prezantuesja e TOLOnews, Farida Sial, i tha BBC-së: “Është në rregull që ne jemi myslimanë, ne kemi veshur hixhab, i fshehim flokët, por është shumë e vështirë për një prezantues të mbulojë fytyrën për dy ose tre orë rresht dhe të flasë kështu”.