45% e amerikanëve e miratojnë trajtimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Rusinë nga Bideni, ndërsa 54% nuk e miratojnë. Kjo është mbajtur e qëndrueshme çdo muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Shtatëdhjetë e tre për qind e demokratëve dhe 15 për qind e republikanëve e miratojnë politikën e Bidenit karshi Rusisë.
Vlerësimi i përkrahjes për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka rënë në pikën më të ulët të presidencës së tij në maj, tregon sondazhi i ri, me pesimizmin e thelluar që po shfaqet mes anëtarëve të partisë së tij demokrate.
Vetëm 39% e të rriturve të SHBA-së miratojnë performancën e Bidenit si president, sipas sondazhit të Associated Press, duke rënë edhe më poshtë nga vlerësimet tashmë negative të një muaji më parë.
Në përgjithësi, vetëm rreth 2 në 10 të rritur thonë se SHBA-ja po shkon në drejtimin e duhur ose ekonomia është e mirë, të dyja nga rreth 3 në 10 një muaj më parë. Këto rënie u përqendruan në mesin e demokratëve, me vetëm 33% brenda partisë së presidentit që thonë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, nga 49% sa kishte në muajin prill.
Me shqetësim të veçantë për Bidenin përpara zgjedhjeve të mesme, miratimi i tij midis demokratëve është 73%, rënie e konsiderueshme që nga fillimi i presidencës së tij. Në sondazhet e AP-së të kryera në vitin 2021, vlerësimi i përkrahjes për Bidenit midis demokratëve nuk ra kurrë nën 82 për qind.
Sfidat e mëdha
Gjetjet pasqyrojnë ndjenjën e përhapur të zemërimit në vendin që po përballet me një grusht sfidash që nisin nga inflacioni, dhuna me armë dhe mungesa e qumështit pluhur për foshnja deri te vazhdimi i pandemisë së koronavirusit.
“Nuk e di se sa më keq mund të bëhet”, ka thënë Milan Ramsey, këshilltare 29-vjeçare e shkollës së mesme dhe demokrate në Santa Monica të Kalifornisë, e cila bashkë me burrin e saj duhej të kalonte në shtëpinë e prindërve për ta rritur aty djalin e saj.
Ramsey mendon se mosfunksionimi ekonomik që e ka çuar në pamundësinë e saj për të përballuar vendin ku u rrit, nuk është faji i Bidenit. Mirëpo ajo është e shqetësuar se Bideni nuk ka zbatuar plane ambicioze për t’i luftuar ndryshimet klimatike ose për ta rregulluar kujdesin shëndetësor.
“Nuk ka mbajtur asnjë prej premtimeve. Ndiej sikur kjo pako stimuluese është fitorja e fundit e administratës së tij”, ka theksuar Ramsey për Biden. “Mendoj se është i lodhur - dhe nuk e fajësoj atë, do të isha lodhur edhe unë në moshën e tij me karrierën që ka pasur”.
Republikanët nuk kanë qenë të ngrohtë me Bidenin për një kohë. Më pak se 1 në 10 e miratojnë presidentin ose trajtimin e tij me ekonominë, por kjo nuk ndryshon nga muaji i kaluar.
Gerry Toranzo, infermiere dhe republikane në Çikago, fajëson Bidenin se u detyrua të rrëmbente qindarkat duke ndërmarrë hapa si të ngasësh më ngadalë për ta kursyer gazin pasi çmimet janë rritur në qiell gjatë administratës së tij.
“Politikat e tij po e shkatërrojnë ekonominë”, ka theksuar Toranzo, 46 vjeçe, për Bidenin, duke e fajësuar atë për ndalimin e tubacionit të karburantit Keystone XL në Kanada dhe pengimin e prodhimit vendas të energjisë. “Është një rreth vicioz i rritjes së çmimeve”.
Në përgjithësi, dy të tretat e amerikanëve nuk e miratojnë trajtimin e ekonomisë nga Bideni. Ky vlerësim është kryesisht i pandryshuar gjatë muajve të fundit, megjithëse është ngritur paksa që nga dy muajt e parë të vitit.
Problemet me ekonominë
Ama ka shenja se pakënaqësia ndaj Bidenit për ekonominë është thelluar. Vetëm 18 për qind e amerikanëve thonë se politikat e Bidenit kanë bërë më shumë për të ndihmuar sesa për të dëmtuar ekonominë, pak më pak nga 24 për qind në mars. Pesëdhjetë e një për qind thonë se kanë bërë më shumë për të dëmtuar sesa për të ndihmuar, ndërsa 30 për qind thonë se nuk kanë bërë ndonjë ndryshim në asnjë mënyrë.
Përqindja e demokratëve që thonë se politikat e Bidenit kanë bërë më shumë për të ndihmuar u ul nga 45% në 37%, megjithëse vetëm 18% thonë se kanë bërë më shumë për të dëmtuar; 44% thonë se nuk kanë bërë asnjë ndryshim.
Disa demokratë fajësojnë forcat e tjera për inflacionin.
Manuel Morales, teknik i shërbimit të internetit në Moline, Illinois, mendon se pandemia dhe lufta në Ukrainë kanë pasur ndikim shumë më të madh sesa vendimet e Bidenit. Mirëpo demokrati 58-vjeçar tani po i vë në pikëpyetje përfitimet e arritjes më të madhe legjislative të Bidenit, Planit Amerikan të Shpëtimit dhe pakove të tij stimuluese.
“Kjo ndihmoi shumë njerëz, ama ata nuk donin të ktheheshin në punë”, ka bërë të ditur Morales.
Ai e fajëson Biden në një fushë tjetër të ndjeshme ndaj presidentit - imigracionin.
Vetëm 38% mbështetin Bidenin për imigracionin dhe Morales është i zhgënjyer nga skenat e emigrantëve që vazhdojnë ta kalojnë kufirin jugor. Megjithëse ai vetë është emigrant meksikan, Morales mendon se SHBA-ja duhet të kontrollojë më rreptësisht kufirin e saj për të pasur shpresë për legalizimin e emigrantëve të merituar që ndodhen në vend ilegalisht.
Gjithashtu, Morales u shpreh se duhet të ketë kufij. “Është e pamundur ta sillni të gjithë Amerikën Qendrore dhe Meksikën në këtë vend”, ka spikatur ai.
Lufta në Ukrainë
Një fushë tjetër ku Morales e fajëson Bidenin, është lufta me Ukrainën. “Po shpenzojmë shumë para duke shkuar në Ukrainë dhe gjithçka po shkon në deficit”, ka thënë Morales.
Në përgjithësi, 45% e amerikanëve e miratojnë trajtimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Rusinë nga Bideni, ndërsa 54% nuk e miratojnë. Kjo është mbajtur e qëndrueshme çdo muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Shtatëdhjetë e tre për qind e demokratëve dhe 15 për qind e republikanëve e miratojnë politikën e Bidenit karshi Rusisë.
Sondazhi i ri tregon se vetëm 21% e amerikanëve thonë se kanë “kanë besim” në aftësinë e Bidenit për ta trajtuar situatën në Ukrainë; 39% thonë se kanë njëfarë besimi dhe 39% thonë se vështirë se kanë.
Charles Penn, punëtor në pension i fabrikës në Huntington, Indiana, është i kënaqur me performancën e Bidenit në Ukrainë.
“Mendoj se ka bërë punë të mirë”, ka theksuar Penn, 68 vjeç.
Por në përgjithësi, Penn, një i pavarur që ka prirje republikane, është i zhgënjyer me Bidenin dhe e fajëson atë për rritjen e çmimeve që e kanë shtrydhur në pensionin e tij.
“Demokratët në planin afatgjatë i kanë prishur gjërat duke nxitur për paga më të larta, si p.sh. nga 7 dollarë në orë në 15 dollarë në orë”, thotë Penn, duke përmendur shtytjen për një rritje të mprehtë të pagës minimale federale që Bideni e ka përqafuar.
Megjithatë, Penn mendon se Bideni duhet ta paguajë çmimin politik.
“Ai është kapiteni i anijes, kështu që, ai është përgjegjës”, u shpreh Penni për Bidenin.