Botë

Kamera e mjekes së zhdukur dëshmon tmerret e Mariupolit

Duke përdorur një kamerë trupi, Taira regjistroi 256 gigabajt të përpjekjeve të furishme të ekipit të saj gjatë dy javëve për të ringjallur njerëzit nga pragu i vdekjes. Ajo ia dorëzoi klipet rrëqethëse një ekipi të “Associated Pressit”, gazetarët e fundit ndërkombëtarë në qytetin ukrainas të Mariupolit, teksa u larguan me një kolonë të rrallë humanitare. Ushtarët rusë kapën Tairën dhe shoferin e saj të nesërmen, më 16 mars, një nga shumë personat e zhdukur në zonat e Ukrainës që tani kontrollohen nga Rusia

Një mjeke e njohur ukrainase e xhiroi kohën e saj në Mariupol në një kartë të vogël të të dhënave, duke ia kontrabanduar botës në një tampon. Tani ajo është në duart ruse, në një kohë kur vetë Mariupol është në prag të rënies.

Yuliia Paievska njihet në Ukrainë si Taira, pseudonimi që zgjodhi nga videoloja “World of Warcraft”. Duke përdorur një kamerë trupi, Taira regjistroi 256 gigabajt të përpjekjeve të furishme të ekipit të saj gjatë dy javëve për të ringjallur njerëzit nga pragu i vdekjes. Ajo ia dorëzoi klipet rrëqethëse një ekipi të “Associated Pressit”, gazetarët e fundit ndërkombëtarë në qytetin ukrainas të Mariupolit, teksa u larguan me një kolonë të rrallë humanitare.

Ushtarët rusë kapën Tairën dhe shoferin e saj të nesërmen, më 16 mars, një nga shumë personat e zhdukur në zonat e Ukrainës që tani kontrollohen nga Rusia. Rusia e ka portretizuar Tairan si mjeke të batalionit nacionalist Azov, në përputhje me narrativën e Moskës se po përpiqet të "denazifikojë" Ukrainën. Por AP-ja nuk gjeti prova të tilla dhe miqtë e kolegët thanë se ajo nuk kishte lidhje me Azovin.

Taira trajtoi edhe ushtarët e plagosur rusë

Spitali ushtarak ku ajo drejtoi evakuimin e të plagosurve nuk është i lidhur me batalionin, anëtarët e të cilit kanë kaluar javë të tëra duke mbrojtur fabrikën e madhe të çelikut në Mariupol. Pamjet e regjistruara nga vetë Taira dëshmojnë faktin se ajo u përpoq të shpëtonte ushtarët e plagosur rusë, si dhe civilët ukrainas.

Një video e regjistruar më 10 mars tregon dy ushtarë rusë të nxjerrë nga një ambulancë nga një ushtar ukrainas. Njëri është në një karrige me rrota. Tjetri është në gjunjë, me duar të lidhura pas shpine, me një dëmtim të dukshëm në këmbë. Sytë e tyre janë të mbuluar me kapele dimërore dhe mbajnë shirita të bardhë.

Një ushtar ukrainas mallkon njërin prej tyre. “Qetësohu, qetësohu”, i thotë Taira.

Një grua e pyet: "A do të trajtosh rusët?"

"Ata nuk do të jenë aq të sjellshëm me ne”, përgjigjet ajo. “Por nuk mund të bëja ndryshe. Ata janë robër lufte”.

Taira është tani peng i rusëve, një nga qindra ukrainasit e shquar që janë rrëmbyer ose kapur, duke përfshirë zyrtarë lokalë, gazetarë, aktivistë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut.

Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë ka regjistruar 204 raste të zhdukjeve me forcë. Misioni njoftoi se disa viktima mund të ishin torturuar dhe pesë u gjetën të vdekur më vonë. Zyra e Avokatit të Popullit të Ukrainës ka marrë raporte për mijëra njerëz të zhdukur deri në fund të prillit, 528 prej të cilëve ndoshta ishin kapur.

Mishërim i sakrificës

Rusët po synojnë gjithashtu mjekët dhe spitalet, edhe pse Konventat e Gjenevës veçojnë mjekët ushtarakë dhe civilë për mbrojtje "në të gjitha rrethanat". Organizata Botërore e Shëndetësisë ka verifikuar më shumë se 100 sulme ndaj kujdesit shëndetësor që nga fillimi i luftës, një numër që ka gjasa të rritet.

Kohët e fundit, ushtarët rusë nxorën një grua nga një autokolonë nga Mariupoli më 8 maj, e akuzuan si mjeke ushtarake dhe e detyruan të zgjidhte midis lejimit të vajzës së saj 4-vjeçare ta shoqëronte pa e ditur ku po e çonin ose të vazhdonte rrugën në territorin e kontrolluar nga Ukraina. Nëna dhe fëmija përfunduan të ndarë dhe vajza e vogël arriti në qytetin ukrainas Zaporizhzhia, thanë zyrtarët e OKB-së.

"Kjo nuk ka të bëjë me shpëtimin e një gruaje të caktuar", tha Oleksandra Chudna, e cila doli vullnetare si mjeke me Tairan në 2014. "Taira do t'i përfaqësojë ata mjekë dhe pacientë".

Situata e Tairas ka rëndësi të madhe pasi mbrojtësit e fundit në Mariupol po evakuohen në territoret ruse, në atë që Rusia e quan dorëzim masiv dhe Ukraina e quan mision të kryer. Rusia thotë se më shumë se 1.700 luftëtarë ukrainas janë dorëzuar këtë javë në Mariupol, duke sjellë vëmendje të re për trajtimin e të burgosurve. Ukraina ka shprehur shpresën se luftëtarët mund të shkëmbehen me robër lufte rusë, por një zyrtar rus ka thënë pa prova se ata nuk duhet të shkëmbehen, por të dalin në gjyq.

Qeveria e Ukrainës ka thënë se është përpjekur të shtojë emrin e Tairas në një shkëmbim të burgosurish javë më parë. Megjithatë, Rusia mohon se po e mban, pavarësisht paraqitjes së saj në rrjetet televizive në rajonin separatist Donjeck të Ukrainës dhe në rrjetin rus NTV, të prangosur dhe me fytyrë të mavijosur. Qeveria ukrainase nuk pranoi të fliste për rastin kur u pyet nga AP-ja.

Ushtari rus Tairas: "Ti po kujdesesh për mua"

Taira, 53 vjeçe, njihet në Ukrainë si yll dhe personi që trajnoi forcën mjekësore vullnetare të vendit. Ajo që shihet në videon e saj dhe në përshkrimet e miqve të saj është një personalitet i madh, me karakter të fortë, lloj personi që kënaqet duke notuar me delfinët.

Videoja është xhirim intim nga 6 shkurti deri më 10 mars në një qytet nën rrethim që tani është bërë simbol mbarëbotëror i pushtimit rus dhe rezistencës ukrainase. Në të, Taira paraqitet si vorbull energjie dhe pikëllimi, duke regjistruar vdekjen e një fëmije dhe trajtimin e ushtarëve të plagosur nga të dyja palët.

Më 24 shkurt, ditën e parë të luftës, Taira tregoi përpjekjet për të fashuar plagën e hapur të kokës së një ushtari ukrainas.

Dy ditë më vonë, ajo urdhëroi kolegët të mbështillnin një ushtar rus të plagosur në një batanije. “Mbulojeni se po dridhet”, thotë ajo në video. Ajo e quan të riun "Sunshine" - një pseudonim i preferuar për shumë ushtarë që kaluan nëpër duart e saj - dhe e pyet pse erdhi në Ukrainë.

"Ti po kujdesesh për mua", i thotë ai, pothuajse i habitur. Përgjigjja e saj: "Ne i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë”.

Më vonë atë natë, dy fëmijë - vëlla e motër - mbërrijnë të plagosur rëndë nga një shkëmbim zjarri në një pikë kontrolli. Prindërit e tyre kanë vdekur. Deri në fund të natës, pavarësisht përgjërimeve të Tairës për të "qëndruar me mua, vogëlush", djali nuk ia del dot.

Taiara largohet nga trupi i tij i pajetë dhe qan. “E urrej këtë”, thotë ajo. Ajo i mbyll sytë.

Duke folur me dikë në errësirë ​​jashtë teksa pi duhan, ajo thotë: “Djali na la. Djali ka vdekur. Ata ende po e trajtojnë vajzën. Ndoshta ajo do të mbijetojë”.

Dritë jete në errësirë

Në një moment, ajo shikon në pasqyrë të banjës, me flokët e saj bionde që i binin mbi ballë në kontrast të plotë me anët e rruara të kokës së saj. Ajo ndal kamerën.

Gjatë gjithë videos ankohet për dhimbje kronike nga lëndimet e shpinës dhe ijëve që e lanë pjesërisht të paaftë. Ajo përqafon mjekët. Bën shaka për të kënaqur shoferët e dekurajuar të ambulancës dhe pacientët. Dhe gjithmonë vesh një kafshë pelushi për t'ua dhuruar fëmijëve që mund të trajtojë.

Taiara, që jetonte me burrin dhe vajzë adoleshente, e dinte se çfarë mund t'i shkaktonte lufta një familjeje. Në një moment, një ushtar ukrainas i plagosur i kërkon asaj të telefonojë nënën e tij. Ajo i thotë se do të jetë në gjendje ta telefonojë vetë, "kështu që mos e nervozoni".

Më 15 mars, një oficer policie ia dorëzoi kartën e të dhënave të vogla një ekipi gazetarësh të “Associated Pressit” që kishin dokumentuar mizoritë në Mariupol, duke përfshirë një sulm ajror rus në një maternitet. Zyra kontaktoi Tairën me një radiolidhje dhe u kërkoi gazetarëve që ta merrnin kartën në mënyrë të sigurt nga qyteti. Karta ishte e fshehur brenda një tamponi dhe ekipi kaloi nëpër 15 pika kontrolli ruse përpara se të arrinte në territorin e kontrolluar nga ukrainasit.

Në duar të rusëve

Të nesërmen, Taira u zhduk me shoferin e saj Serhiy. Në të njëjtën ditë, një sulm ajror rus shkatërroi teatrin e Mariupolit dhe vrau rreth 600 njerëz.

Një video e transmetuar gjatë një transmetimi të lajmeve ruse të 21 marsit njoftoi kapjen e saj, duke e akuzuar se po përpiqej të largohej e maskuar nga qyteti. Taira duket e mërzitur, ndërsa lexon një deklaratë të pozicionuar poshtë kamerës, duke bërë thirrje për t'u dhënë fund luftimeve. Ndërsa ajo flet, një zë i përqesh kolegët e saj si nazistë. Ishte hera e fundit që ajo u pa.

Si qeveria ruse ashtu edhe ajo ukrainase kanë publikuar intervista me të burgosurit e luftës, pavarësisht së drejtës ndërkombëtare humanitare që e përshkruan praktikën si trajtim çnjerëzor dhe poshtërues.

Burri i Tairas, Vadim Puzanov, tha se ka marrë pak lajme për gruan që nga zhdukja e saj. Duke zgjedhur fjalët me kujdes, ai përshkroi një shqetësim të vazhdueshëm, si dhe zemërim për mënyrën se si ajo është portretizuar nga Rusia.

“Akuzimi i një mjekeje vullnetare për të gjitha mëkatet vdekjeprurëse, përfshirë trafikimin e organeve, është tashmë një propagandë skandaloze – as që e di se për kë është”, tha ai.

Raed Saleh, kreu i Helmetave të Bardha të Sirisë, e krahasoi situatën e Tairas me atë që vullnetarët me grupin e tij u përballën dhe vazhdojnë të përballen në Siri. Ai tha se grupi i tij gjithashtu është akuzuar për trafik organesh dhe për bashkëpunim me grupe terroriste.

“Nesër, ata mund t'i kërkojnë asaj të bëjë deklarata dhe t'i bëjnë presion asaj që të thotë gjëra”, tha Saleh.

Taira ka vlerë të madhe në Ukrainë për shkak të reputacionit të saj. Ajo mësoi artet marciale dhe punoi si mjeke ndihmëse.

“Engjëjt e Tairas”

Ajo mori nofkën më 2013, kur iu bashkua vullnetarëve të ndihmës së parë në protestat e “Euromaidanit” në Ukrainë që rrëzuan qeverinë e mbështetur nga Rusia. Në vitin 2014, Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.

Taira shkoi në rajonin lindor të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Moska luftuan forcat ukrainase. Atje ajo mësoi mjekësinë taktike dhe themeloi një grup mjekësh të quajtur “Engjëjt e Tairas”. Ajo punoi gjithashtu si ndërlidhëse midis ushtrisë dhe civilëve në qytetet e vijës së parë të frontit, ku pak mjekë dhe spitale guxonin të vepronin. Në vitin 2019, ajo u nis për në rajonin e Mariupolit dhe njësia e saj mjekësore ishte e vendosur atje.

Taira ishte anëtare e “Lojërave Ukrainase Invictus” për veteranët ushtarakë, ku ishte caktuar të garonte në gjuajtje me hark dhe not. “Invictus” tha se ajo ishte një mjeke ushtarake nga 2018 në 2020, por që atëherë ishte çmobilizuar.

Ajo mori kamerën e trupit në vitin 2021 për të filmuar një seri dokumentarësh të Netflixit mbi figurat frymëzuese të prodhuara nga Princi Harry i Britanisë, i cili themeloi “Invictus Games”. Por kur forcat ruse pushtuan vendin, ajo e përdori për të xhiruar skena të civilëve dhe ushtarëve të plagosur.

Ajo pamje tani është veçanërisht prekëse, me Mariupolin në prag të rënies. Në një nga videot e fundit që ka xhiruar Taira, shihet ulur pranë shoferit që do të zhdukej bashkë me të. Është 9 marsi.

“Dy javë luftë në Mariupolin e rrethuar”, thotë ajo në heshtje. Pastaj nuk shan askënd në veçanti dhe ekrani errësohet.