Blogerët ushtarakë rusë po bëhen gjithnjë e më skeptikë ndaj përpjekjeve luftarake për ta pushtuar Ukrainën, thuhet në një raport të Institutit për Studimin e Luftës me bazë në SHBA, raporton “NyTimes”.
Blogerët që kishin shkuar me ushtarët rusë me vatrat e luftës, sipas raportit, janë shprehur të zhgënjyer me përparimet e vogla në terren, por edhe humbjet e mëdha.
Igor Strelkov, që numëron miliona ndjekës në rrjetet sociale, shkroi se përpjekja ruse për ta pushtuar rajonin lindor të Donbasit “dështoi përfundimisht” dhe se asnjë vendbanim i madh ukrainas “nuk u çlirua”.
Strelkov më herët ishte ushtar dhe spiun rus. Luftoi edhe në Donbas vite më parë.
Sipas raportit amerikan, deri më tash blogerët ushtarakë pro-rusë janë zbavitur me luftën, por tash që tash janë lodhur nga humbjet e mëdha, kanë nisur edhe të shpërthejnë ndaj komandantëve rusë.
Gjithashtu potencohet se janë rritur fërkimet mes administratorëve rusë dhe bashkëpunëtorëve lokalë në zonat që aktualisht janë nën kontroll nga forcat ruse, si rezultat “i konflikteve ndërpersonale të pushtetit”.
I pakënaqur me ekspeditën ruse është shprehur edhe blogeri Yuri Podolyaka, që numëron 2.1 milionë ndjekës në Telegram. Ai tha se e kishte shmangur kritiken ndaj rusëve, por që dështimi në vendkalimin e lumit Bilohorivka, që po konsiderohet si një prej humbjeve më të mëdha të trupave ruse, e bëri “të shpërthente”.

“Kam heshtur për një kohë të gjatë. Arsyeja e fundit që mposhti durimin tim ishte ngjarja e fundit në Bilohorivka, që për shkak të marrëzisë, e theksoj, për shkak të marrëzisë së komandës ruse, një batalion rus u dogj, ndoshta dy”, tha ai.
Podolyaka u tall me qëndrimin e Kremlinit se lufta po shkon “sipas planit”. Ai iu tha përcjellësve të tij nëpërmjet një videoje pesëminutëshe se ushtrisë ruse i mungojnë dronët funksionalë, pajisjet për shikim natën dhe të tjera.
“E kuptoj se është e pamundur që të mos ketë probleme në luftë, por kur të njëjtat probleme vazhdojnë për tre muaj dhe asgjë nuk duket se po ndryshon, atëherë unë personalisht, dhe në fakt miliona qytetarë të Rusisë, fillojnë të kenë pyetje për këta udhëheqës të operacionit ushtarak”, tha ai.
Blogerja e njohur, Starshe Eddy, tha se fakti që komandantët i kanë kaq shumë forcat e tyre të ekspozuara, rezultuan me sabotim të drejtpërdrejtë.
Blogeri i Telegramit, Vladlen Tatarski, tha se ofensiva ruse në lindje të Ukrainës po lëviz ngadalë, jo vetëm për shkak të mungesës së dronëve të vëzhgimit, por edhe për shkak të gjeneralëve dhe taktikave të tyre.