Botë

Rrëfimi i 14-vjeçarit që pa me sy vdekjen në qytetin e tmerrit

Atë ditë marsi nuk ishte asnjeri përreth që ta ndalte ushtarin rus, kur Yura bashkë me babanë, 47-vjeçarin Ruslan, po lëviznin me biçikletë në rrugën e mbuluar me pemë

Djaloshi po qëndronte ende i shtrirë në asfalt kur dëgjoi vdekjen e të atit. Bërryli i digjte në vendin ku e kishte goditur plumbi.

Vrasja tjetër pritej të bëhej në rrugën e vetmuar të Buchas, qytet në periferi të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, ku trupat e civilëve janë ende duke u zbuluar disa javë pasi ushtarët rusë u tërhoqën. Shumë prej tyre ishin qëlluar në kokë.

14-vjeçari Yura Nechyporenko ishte gati të bëhej njëri prej tyre.

Të mbijetuarit kanë përshkruar se si ushtarët gjuanin me armë pranë këmbëve të tyre ose i kërcënonin me granata, vetëm për të përfunduar te kolegu tjetër më gjakftohtë. Ama, atë ditë marsi, nuk ishte asnjeri përreth që ta ndalte ushtarin rus, kur Yura bashkë me babanë, 47-vjeçarin Ruslan, po lëviznin me biçikletë në rrugën e mbuluar me pemë.

Ata ishin rrugës për t’i vizituar fqinjët e pambrojtur të strehuar në bodrume e shtëpi pa energji elektrike a ujë të pijshëm. Biçikletat e tyre kishin të lidhura pëlhura me ngjyrë të bardhë, në shenjë se ata po udhëtonin në paqe.

Kur ushtari doli nga një shteg i baltosur për t’u ballafaquar me ta, Yura me babanë e tij u ndalën menjëherë dhe ngritën duart.

“Çfarë po bën?”, kujton Yura kur ushtari e kishte pyetur babanë. Ushtari as që i dha kohë për t’u përgjigjur.

Rrëfimi i jashtëzakonshëm i Yuras, që pretendon tentativë vrasjen nga ushtarët rusë, bie në sy teksa ekspertët ndërkombëtarë të drejtësisë zbresin në Bucha, qendër e tmerreve e krimeve të mundshme të luftës në Ukrainë. Më shumë se 1 mijë trupa janë gjetur deri më tani në Bucha dhe komunitetet e tjera përreth Kievit. Sipas autoriteteve lokale, 31 fëmijë nën moshën 18 vjeç u vranë dhe 19 u plagosën.

“Të gjithë fëmijët u vranë ose u plagosën qëllimisht, pasi ushtarët rusë me qëllim i goditën edhe makinat evakuuese që kishin shenjën “FËMIJË” me pëlhurë të bardhë dhe shtëpitë e civilëve, ka shpjeguar për Associated Press, kryeprokurori i rajonit të Buchas, Ruslan Kravchenko.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka bërë të ditur se të paktën 202 fëmijë në të gjithë Ukrainën janë vrarë në pushtimin rus dhe beson se numri real është dukshëm më i lartë. Numri i qeverisë ukrainase është 217 fëmijë të vrarë dhe mbi 390 të plagosur.

AP dhe Frontline, duke u mbështetur nga një sërë burimesh, kanë dokumentuar në mënyrë të pavarur 21 sulme ku u vranë fëmijë, që ka të ngjarë ta plotësojnë përkufizimin e një krimi lufte, duke filluar nga zbulimi i një fëmije në një varr të cekët në Borodyanka deri te bombardimi, në Mariupol. Numri i përgjithshëm i fëmijëve viktima në sulme është i panjohur dhe llogaritja përfaqëson vetëm një pjesë të krimeve të mundshme të luftës.

Vdekja para syve

Teksa shtrihet në dyshemenë e shtëpisë së tij për të demonstruar se çfarë kishte ndodhur, ai i tregon edhe plagët që kishin nisur t’i shëroheshin në bërryl.

Nëna e tij, Alla, merrte frymë thellë në mënyrë që të qetësohej, e Yura i ulur më lart mbështolli duart rreth saj duke e vendosur kokën mbi shpatull.

Në atë ditë të tmerrshme, Yura i mbijetoi tentativës për vrasje falë bluzës gri me kapuç, i cili u qëllua në vend të tij, e që ai e ndjeu teksa lëvizte.

Yura u shtri në rrugë për disa minuta, duke pritur që ushtari të largohej.

Pastaj, djaloshi vrapoi. Ai arriti në kopshtin ku punonte nëna e tij e ku disa banorë e përdornin bodrumin si strehë. Të gjithë u tronditën kur e panë djalin në atë gjendje teksa kujdeseshin që ta marrë ndihmën e parë.

Yura erdhi në përfundim se duhej të shkonte në shtëpi. U kthye në rrugë, pa e ditur se ku mund të ishte ushtari tjetër.

Kur mbërriti në shtëpi, familja e tij e lajmëroi policinë. Mirëpo, ata thanë se nuk mund të bënin asgjë, ngaqë nuk e kontrollonin zonën. Të njëjtën gjë ua tha edhe shërbimi i ambulancës.

Kravchenko i ka thënë AP-së se do të vazhdojnë të punojnë në rastin e Yuras dhe ka shprehur besimin se krimet e kryera gjatë pushtimit rus të Ukrainës mund të hetohen me sukses, Ndër të tjera, janë duke u analizuar pamjet e dhjetëra kamerave të vëzhgimit në Bucha dhe po montohet albumi i identifikimit të fytyrave të ushtarëve rusë.

Në mars, prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ka njoftuar se hetimet për krimet kundër fëmijëve në veçanti do të përfitojnë nga një fond i ri besimi. Fëmijët përbëjnë gjysmën ose më shumë të atyre që preken nga konflikti, mirëpo shpesh etiketohen si shumë të ndjeshëm për të dëshmuar ose se kanë kujtime jo shumë të sakta, sipas Veronique Aubert, këshilltare e posaçme për krimet që përfshijnë fëmijët.

Rast i pazakontë

Rasti i Yuras është i pazakontë. Prokurorët duan ta marrin përsipër këtë çështje, ngase viktima është ende gjallë dhe potencialisht mund të dëshmojë”, ka theksuar Ryan Goodman, profesor i drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut dhe ish-këshilltar special për Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së. “Mund të jetë e vështirë nëse jo e pamundur për një të pandehur të pretendojë se ata ishin disi të justifikuar në përpjekjen për të vrarë një fëmijë”.

Iu la familjes së Yuras që ta merrte trupin e babait.

Gjyshja e Yuras, e cila është në të 70-t, iu lut ushtarëve rusë që ta linin t’i afrohej trupit.

Me armët e përkulura, e lanë të ecte përpara tyre. Një tjetër ushtar nga larg bërtiti: “Mos ejani këtu ose do t’ju vrasim”. Ama nuk qëlloi.

E sollën babanë e Yuras në shtëpi me një karrocë dore. Ai u rrotullua në qilim dhe u vendos në një derë të vjetër prej druri. Mes tingujve të granatimeve dhe armëve, e varrosën në oborrin pas pylltarisë, një nga varret e shumta të improvizuara të gërmuara me nxitim gjatë pushtimit njëmujor rus.

Yura dhe familja e tij u larguan nga Bucha të nesërmen përgjatë një korridori të rrallë evakuimi. Djali i plagosur ecte i pari nëpër rrugë, duke mbajtur një shkop të lidhur me një peshqir të bardhë. Familjes iu desh të kalonte nëpër skenën e të shtënave.

Takimi me familjen

Teksa ecnin më pranë pikës së evakuimit, ushtarët rusë pyetën se ku po shkonin. Ata pyetën se çfarë kishte ndodhur me Yuran.

“U qëllova nga një ushtar rus”, u përgjigj djali.

Në atë çast, nëna e tij u tmerrua. “Ndjeva të shembej gjithçka brenda meje”, kujtoi ajo. “Prisja të na qëllonin të gjithëve”.

Më pas u kërkoi ushtarëve t’i linin që të kalonin pasi po bëhej vonë. Ata i lejuan.

Atë ditë, familja e la vendin.

Bluza gri me kapuç, e gjakosur në bërryl, tani për tani është pjesa kryesore e kërkimit të drejtësisë nga familja. Tegeli i sipërm i pëlhurës është prerë në copë. Nëna e Yuras këmbëngul se kjo është dëshmi dhe nuk mund të hidhet tutje.

Familja u kthye në Bucha në mes të prillit, pasi rusët u tërhoqën. Gërmuan babanë e Yuras dhe e varrosën përsëri në varrezat lokale.

Ata vazhdojnë ta luajnë rolin e detektivit, duke e pastruar zonën e të shtënave në kërkim të provave të mëtejshme dhe duke teorizuar mbi trajektoren e plumbave. Madje marrin në pyetje edhe fqinjët e analizojnë edhe vrimat e një gardhi metalik.

Teksa familja ua tregonte skenën AP-së, Yura endej në bar pranë rrugës, me kokën poshtë duke kërkuar gëzhoja plumbash. Është i bindur se mund ta identifikonte ushtarin rus, ani pse ushtari e kishte të mbuluar me kapuç një pjesë të fytyrës.

Yura do ta përfundojë klasën e nëntë këtë vit, e pasi të kthehet energjia elektrike do t’i rifillojë mësimet online. Deri atëherë, ashtu si i ati, do të jetë vullnetar në vizitat e banorëve të moshuar.

Nëna e tij po mendon ta dërgojë jashtë vendit për hir të shëndetit mendor. Edhe ajo vetë thotë se ka nevojë të jetë në distancë.

“Fizikisht nuk jam kurrë vetë, ama kjo është e mundur mendërisht”, ka thënë ajo gati në lot. “Mundohem ta shmang këtë”.

Rasti i djalit është akoma burim i zymtë shprese. Ka gjykata, e ato duhet të funksionojnë, beson nëna e Yuras. Askush nuk duhet ta përjetojë atë që kaloi djali i saj.

Yura ka frikë se tashmë shumë kanë përjetime të tilla.

“Nuk jam vetëm unë që dua drejtësi”, është shprehur ai. “Njerëzit në Ukrainë janë ende duke u torturuar dhe vrarë tani”.

Djaloshi mbushi 15 vjeç më 12 prill. Ishte ditëlindje e qetë. Babai i tij, që ishte kuzhinier i mirë, zakonisht bënte skarë për të festuar.

Më 25 prill, një ditë pas Pashkëve Ortodokse, familja u mblodh përsëri në varr për të shënuar 40 ditë pas vdekjes së Ruslanit, sipas zakonit vendas. Ushqimi i bekuar nga një prift në Bucha për Pashkë - vezë të lyera, bukë - u shtrua së bashku me turshi të bëra vetë, çokollatë dhe verë. Në kryqin prej druri ishte varur një qese me ushqime.

Yura qëndroi larg, duke ndezur në heshtje një qiri dhe e vendosi atë në varr. Pastaj ai tërhoqi kapuçin nga bluza, kësaj radhe me ngjyrë të zezë, për ta bllokuar të ftohtin.

Xhaxhai i djalit, Andriy, e shikon nga afër këto ditë. Yura ka qenë gjithmonë fëmijë i mirë, mirëpo së fundmi është bërë nervoz dhe i shqetësuar, duke kaluar nga një detyrë në tjetrën. Andriy ka frikë se trauma e vdekjes së mbijetuar do ta arrijë Yuran dhe e vajton fëmijërinë e dëmtuar të nipit të tij.

“Kjo po ma copëton shpirtin”, ka thënë Andriy në lot. “Çka po shohim është vuajtje pas vuajtjes… Putini thjesht vendos të na bëjë të vuajmë, dhe ne e bëjmë”.

Përgatiti: Blerta Haxhiu