Analisti politik, Andraz Zorko, ka theksuar se rezultatet ishin “manifestim” i “ndjenjës së madhe antiqeveritare”, që si shkak kryesor konsiderohet periudha e trajtimit të pandemisë së koronavirusit
Të hënën, banorët e Lubjanës kanë shqyrtuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të Sllovenisë, pasi rezultatet konfirmuan fitoren bindëse të një partie liberale opozitare.
Lëvizja e Lirisë, e sapoardhur në zgjedhje, ka fituar gati 34% të votave dhe duket se do ta formojë qeverinë e ardhshme në një koalicion me grupe më të vogla majtiste. Partia Demokratike Sllovene, konservatore në pushtet, mori rreth 24% të votave, kanë bërë të ditur autoritetet shtetërore zgjedhore pas numërimit të mbi 97% të votave. Kreu i partisë iu drejtua mbështetësve përmes një videomesazhi nga shtëpia e tij, sepse ai është me COVID-19.
"Sonte njerëzit po vallëzojnë", i tha Robert Golob turmës brohoritëse në selinë e partisë. "Nesër është një ditë e re dhe një punë serioze na pret”.
Analisti politik, Andraz Zorko, ka theksuar se rezultatet ishin “manifestim” i “ndjenjës së madhe antiqeveritare”, që si shkak kryesor konsiderohet periudha e trajtimit të pandemisë së koronavirusit.
Rezultati ishte humbje e madhe për tashmë ish-kryeministrin populist, Janes Jansha, i cili u akuzua se e shtyu vendin e vogël të Bashkimit Evropian nga e djathta gjatë kohës sa ishte në detyrë. Jansha, aleat i kryeministrit të krahut të djathtë të Hungarisë, Viktor Orban, uroi "fituesin relativ" të zgjedhjeve.
"Rezultatet janë ashtu siç janë", tha Jansha, duke vlerësuar punën e qeverisë së tij. “Shumë sfida qëndrojnë përpara qeverisë së re, sido që të duket, por themelet janë të forta”.
Politikani veteran Jansa u bë kryeministër pak më shumë se dy vjet më parë, pasi kryeministri i mëparshëm liberal dha dorëheqjen. Jansa është admirues i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Duke reflektuar interesin e madh në zgjedhjet e së dielës, pjesëmarrja ishte më e lartë se zakonisht – rreth 67% e 1.7 milionë votuesve të Sllovenisë hodhën votën e tyre, krahasuar me 52% në zgjedhjet e mëparshme në 2018.
Golob, ish-shef ekzekutiv biznesi i shkolluar në SHBA, doli si lider pak pasi hyri në skenën politike. Partia Lëvizja e Lirisë ka mbrojtur tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm mbi narrativën e Janshës me në qendër kombin.
Liberalët i kishin përshkruar zgjedhjet e së dielës si referendum për të ardhmen e Sllovenisë. Ata argumentuan se Jansha, nëse do të rizgjidhej, do ta shtynte kombin tradicionalisht të moderuar larg nga vlerat "thelbësore" demokratike të BE-së dhe drejt regjimeve të tjera populiste.
Sondazhet e opinionit përpara votimit kishin parashikuar garë të ngushtë.
SDS-ja e Janshës fitoi shumicën e votave në zgjedhje katër vjet më parë, por fillimisht nuk mundi të gjente partnerë për qeveri koalicioni. Ai mori detyrën pasi ligjvënësit nga grupet e qendrës dhe të majtë ndryshuan anën pas dorëheqjes në 2020 të kryeministrit liberal, Marjan Sarec.
Jansha, në pushtet, u përball me akuza për rrëshqitje drejt sundimit autoritar në stilin Orban, duke tërhequr vëmendjen e BE-së mes raporteve se ushtron presion ndaj kundërshtarëve dhe mediave publike dhe instaloi besnikë në pozicione kyç për kontrollin mbi institucionet shtetërore.
Mbikëqyrësi i demokracisë, Freedom House, vlerësoi kohët e fundit se "ndërsa të drejtat politike dhe liritë civile respektohen përgjithësisht (në Slloveni), qeveria aktuale e krahut të djathtë ka vazhduar përpjekjet për të minuar sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike, duke përfshirë median dhe gjyqësorin”.