Botë

Zelensky pritet të takojë zyrtarë të lartë amerikanë të dielën në Kiev

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në maj të vitit 2021

Sekretari amerikan i Shtetit , Antony Blinken dhe sekretari i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, do ta vizitojnë Kievin të dielën, ka njoftuar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Sipas tij, kjo është vizita e parë e zyrtarëve të nivelit të lartë amerikan. Mirëpo, nuk kjo vizitë nuk është konfirmuar ende nga Uashingtoni, raportoi CNN-i.

Kjo vizitë do të ndodhë pas disa vizitave të profilit të lartë nga liderët evropianë në kryeqytetin ukrainas, si dhe pas disa lëvizjeve për rihapjen e ambasadave të zhvendosura.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, në një konferencë të mbajtur në Uashington të premten, u bëri thirrje ambasadorëve nga të gjitha vendet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të kthehen në ambasadat e tyre në Kiev.

Javën e kaluar, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se nëse një zyrtar i administratës do të vizitonte Ukrainën, Shtëpia e Bardhë nuk do ta zbulonte publikisht atë informacion para kohe për shkaqe sigurie.


Zelensky do të kërkojë armë shtesë nga SHBA-ja

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do t’i presë në takim në Kiev të dielën (sot) Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Janë zyrtarët më të lartë të SHBA-së që e vizitojnë Ukrainën që kur nisi lufta më 24 shkurt.

Zelensky temë qendrore të bisedimeve pritet ta bëjë kërkesën që SHBA-ja ta furnizojë Ukrainën me më tepër armë të rënda për t’i rezistuar forcave ruse.

Ai po ashtu shpreson se vizita e sotme do të hapë rrugë për një vizitë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në një të ardhme të afërt.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar për vizitën e Blinkenit dhe Austinit, mirëpo, në një intervistë për BBC, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka thënë se është i bindur se Ukraina do ta fitojë luftën.

“Do të jetë një fitore për Ukrainën; do të jetë humbje strategjike për Rusinë. Ajo që kemi bërë ne deri tash kemi dërguar saktësisht se çfarë kanë kërkuar partnerët tanë ukrainas për t’u mbrojtur nga agresioni rus”, tha Price.