Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka konfirmuar të dielën se ende është në fuqi ultimatumi për dorëzimin e luftëtarëve të Ukrainës në qytetin strategjik të luftës, Mariupol. Megjithatë, luftëtarët ukrainas kanë injoruar thirrjet ruse për dorëzim.
Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenskyy, duke e përshkruar si “çnjerëzore” gjendjen në Mariupol, u ka kërkuar shteteve perëndimore që të ndërhyjnë urgjentisht për t’i luftuar rusët që kanë lënë mijëra banorë pa ushqim e shërbime elementare.
“Dua të merret vesh mirë kjo që do të them. Nuk ka kaluar asnjë ditë e vetme prej bllokadës së Mariupolit e ne të mos kemi kërkuar zgjidhje, qoftë ushtarake, qoftë diplomatike, diçka që do të shpëtonte njerëzit. Por është jashtëzakonisht e vështirë gjetja e zgjidhjes. Deri tani, nuk ka asnjë zgjidhje realiste 100 për qind. As në aspektin ushtarak e as në procesin e negociatave”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Beteja për kontrollin e qytetit ka rezultuar me çmimin e lartë të civilëve të rrethuar.
Marrja e kontrollit të plotë të Mariupolit do t’ua mundësonte forcave ruse në jug, prej nga kanë ardhur nëpërmjet Gadishullit të aneksuar të Krimesë, të krijonin lidhje të plotë tokësore me trupat e tyre në rajonin e Donbasit, zemra industriale e Ukrainës lindore.
Zelenskyy ka kërkuar më shumë armatim nga Perëndimi.
“Sot kam folur me kryeministrin britanik, Boris Johnson, dhe me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson për çështje të mbrojtjes dhe çështje të tjera për Ukrainën, për fuqizimin e sanksioneve kundër Rusisë, dhe për situatën në shumë fusha të armiqësive në Ukrainë dhe sidomos për Mariupolin dhe për mundësitë e ndihmës për qytetarët dhe mbrojtësit e qytetit”, ka thënë Zelensky.
Në Sevastopol, qytetarët kanë nderuar kujtimin për luftanijen Moskva, e cila u fundos pas sulmit ukrainas kundër Flotës Ruse të Detit të Zi. Kapiteni i pensionuar, Sergey Gorbachev, mezi ka folur para të pranishmëve.
“Nuk kam zemër t’ju them mirëmëngjesi. Anija ishte simbol i dominimit tonë në Mesdhe”, ka thënë Sergey Gorbachev, kapiten i pensionuar.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat e tyre e qëlluan luftanijen me raketa, derisa Kremlini e ka pranuar se Moskva është fundosur pas një zjarri, por pa e pranuar sulmin ukrainas.