Bota e tyre është ajo e avionëve privatë, apartamenteve elegante parisiene, pushimeve austriake dhe shkollimeve në universitete elitare në Londër dhe New York.
Prindërit e tyre zotërojnë prona të paluajtshme në rrugët më ekskluzive të kryeqyteteve të Evropës. Profilet e tyre në rrjetet sociale janë të mbushura me fustane të stilistëve të mëdhenj dhe ngjarje në tapetin e kuq.
Një vajzë postoi foto të ditëlindjes së saj të 22-të, buzë pishinës në vilën e një prej oligarkëve të Putinit në Detin Adriatik, shkroi CNN-i të mërkurën.
Njihuni me fëmijët e Kremlinit.
Derisa prindërit e tyre kundërshtojnë publikisht Perëndimin, fëmijët e tyre rriten në ato shtete, shoqëritë e të cilave pretendojnë se i refuzojnë.
“Qartazi është hipokrizi ekstreme”, ka thënë Daniel Treisman, profesor i specializuar në politikat ruse në Universitetin e Kalifornisë. “Ata madje mund të mos shohin ndonjë kundërshti. Ata besojnë se është një garë mes SHBA-së dhe Rusisë, por pse ajo duhet t’i ndikojë planet e edukimit të vajzave të tyre?”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, kritikoi rusët të cilët u bashkuan me Perëndimin “mendërisht”, duke i akuzuar ata se punojnë për “Perëndimin kolektiv” drejt një qëllimi: “Shkatërrimin e Rusisë”.
Një nga familjet e para të korrupsionit dhe hipokrizisë së supozuar ruse është ajo e Dmitry Peskovit, zëvendësshefi i stafit të Putinit dhe zëdhënësi kryesor i tij – një rol që e bën atë megafonin më të zhurmshëm të Putinit, ai i cili gati përditë shpërndan fjalët e ashpra të Putinit kundër Perëndimit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sanksionuan Peskovin, gruan dhe dy fëmijët e tij (nga dy martesat e mëparshme), duke deklaruar se familja jeton “një jetë luksoze që nuk përputhet me pagën e nëpunësit civil dhe ka të ngjarë që e ka ndërtuar mbi pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme të lidhur me Putinin”.
Të paktën dy nga fëmijët e tij u rritën në Evropën Perëndimore para se të ktheheshin në Moskë si të rritur.
Peskov - i cili ka mbajtur rolin e tij për gati një dekadë dhe thuhet se ka fituar 173,000 dollarë më 2020 - është parë me një orë të veçantë prej 600,000 dollarësh dhe ka shkuar në një muaj mjalti që përfshinte afërsisht 430,000 dollarë jahtin për një javë në brigjet e Sardenjës, sipas një hetimi nga Fondacioni Antikorrupsion i themeluar nga lideri i burgosur i opozitës ruse, Alexei Navalny.
Bazuar në të dhënat e pronës, postimet në rrjetet sociale dhe bazat e të dhënave të shkeljeve të trafikut, Fondacioni Antikorrupsion zbuloi gjithashtu se gruaja, ish-gruaja dhe fëmijët e Peskovit zotërojnë automjete luksoze dhe shtëpi shumëmilionëshe në të gjithë botën -- duke përfshirë Rusinë dhe Francën.
Pasuria marramendëse, por në dukje e pashpjegueshme e familjeve të tilla në botën e Putinit, thonë ekspertët, zbret në një koncept të vetëm: kleptokraci (qeveri, liderët e korruptuar të së cilës përdorin fuqi politike për të përvetësuar pasurinë e njerëzve).
"Një kleptokraci është thjesht një qeveri që drejtohet nga hajdutë", tha profesori i Universitetit Georgetown, Jodi Vittori. Ai është ekspert për korrupsionin dhe politikat globale.
Pasuria e grumbulluar nga kleptokratët rusë shpenzohet shpesh në ekonomitë perëndimore.
"Ata duan të jetojnë në Perëndim, sepse vendet më të pasura në botë janë në Perëndim. Qendrat e mahnitshme të kulturës janë në Perëndim", tha Treisman. "Por përveç kësaj, vendet perëndimore kanë një shtet ligjor shumë më të sigurt se Rusia”.
Hipokrizia e zyrtarëve rusë dhe familjeve të tyre që shijojnë madhështinë e Perëndimit ka qenë një sekret i hapur në Rusi prej vitesh. Në vitin 2016, një projektligj u prezantua në Dumën e Shtetit që ndalonte arsimimin e fëmijëve të mitur të shumicës së zyrtarëve të Rusisë në universitetet e huaja, duke pretenduar se arsimi vendas do të ishte çelësi për t'u bërë patriotë të vërtetë. Projektligji nuk kaloi.
Vajza 24-vjeçare e Peskovit nga martesa e tij e dytë, Elizaveta Peskova, nuk i është shmangur vëmendjes apo polemikave, si kur u raportua se i tha një kanali televiziv se ajo ndihet "më mirë në mjedisin evropian" dhe e quajti sistemin arsimor të Rusisë një "ferr të vërtetë".
Kohët e fundit ajo kundërshtoi deklaratat publike të babait të saj duke postuar "Jo luftës" në Instagram, slogan i përdorur nga rusët që kundërshtojnë luftën në Ukrainë. Postimi u fotografua dhe u shpërnda nga media ruse TV Rain, por u hoq shpejt.
Si një fëmijë i vogël, Peskova thuhet se ndoqi Ecole des Roches jashtë Parisit - ku shkollimi vjetor është rreth një e katërta e pagës së babait të saj dhe aktivitetet jashtëshkollore përfshijnë klasat e aviacionit.
Peskova vazhdoi arsimimin e saj parisien me një stazh në Louis Vuitton dhe një diplomë marketingu nga një shkollë biznesi franceze. Madje ajo u dërgua për praktikë në Parlamentin Evropian.
Sipas Fondacionit Antikorrupsion, Peskova dhe nëna e saj blenë një apartament gati 2 milionë dollarë më 2016 në një nga lagjet më të shtrenjta të Parisit.

Ekstravaganca e Peskovas në Francë krahasohet me atë të gjysmëvëllait të saj në Rusi. Fondacioni gjeti se Nikolay Choles – djali i madh i Peskovit që u rrit në Angli – shëtiti botën me avionë privatë, kishte në pronësi pasuri të paluajtshme në Moskë dhe voziti automjete luksoze në qytet, duke bërë gjithsej 116 shkelje në trafik.
Peskova nuk është i vetmi fëmijë i lidhur me Kremlinin që shijon jetën në shoqërinë e lartë.
Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, e dërgoi vajzën në universitetet prestigjioze në Londër dhe New York.
Edhe vajza e së dashurës së Lavrovit duket se përfiton nga pozicioni i tij me ndikim: Ajo postoi foto të saj në jaht, pastaj në një resor austriak të skive dhe në vilën buzë plazhit të një oligarku të pasur, sipas Fondacionit Antikorrupsion.
Polina Kovaleva – së cilës Qeveria britanike i referohet si thjeshtër, edhe pse Lavrovi nuk është i martuar zyrtarisht me të ëmën e saj – zotëron një apartament 5.8 milionë dollarësh në një nga lagjet më të pasura të Londrës.
Vajza më pak e dukshme e Lavrovit, Ekaterina Vinokurova, tani 39 vjeç, shkoi në Universitetin Columbia në New York, ku jetoi për 17 vjet para se të kalonte në Shkollën Ekonomike të Londrës. Të dyja janë sanksionuar nga Britania së fundi.

Putini vetë nuk përjashtohet nga hipokrizia. Vajza e tij e madhe, Maria, u martua me biznesmenin holandez; çifti thuhet të ketë jetuar në një apartament 3.3 milionë dollarësh në Holandë. Një vilë tetëdhomëshe në Francë e lidhur me vajzën e tij të vogël Katerinan – vila milionadollarëshe u ble nga ish-bashkëshorti i saj – u bastis së fundi dhe u ofrua si shtëpi e sigurt për refugjatët ukrainas.
Të dyja vajzat e Putinit u sanksionuan nga Britania dhe SHBA-ja.
Putini thuhet se ka më shumë fëmijë jashtëmartesorë, të gjithë duket se kanë jetuar në shtetet perëndimore. Këto pretendime janë mohuar gjithnjë nga Kremlini.
Përktheu: Emine Shehu