Botë

Bucha ua ngjall kujtimet nënave të Srebrenicës

Familjarët dhe të afërmit e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës thonë se tmerret e Ukrainës po ua kujtojnë atyre masakrat masive të kryera nga kriminelët serbë të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Thonë se e dinë më së miri se si ndihen më të dashurit e viktimave ukrainase

Qindra gra, kryesisht nëna të viktimave të gjenocidin të Srebrenicës në vitin 1995, u mblodhën në Sarajevë për të kërkuar drejtësi kundër autorëve të krimeve të luftës

Ato shprehën gjithashtu shqetësimin për dëshmitë e vrasjeve dhe torturave që dolën nga qyteti ukrainas Bucha pas tërheqjes së forcave ruse.

"Fatkeqësisht ne kaluam gjithë këto vite duke u përpjekur të parandalojmë të tjerët të mos u ndodhë një tjetër Srebrenicë, kurrë më. Ne jemi vërtet të trishtuar, por në Evropën e sotme po ndodh përsëri - Srebrenica po ndodh përsëri”, ka theksuar Shehida Abdurahmanoviq, e afërme e viktimave të Srebrenicës. “Ne, njerëzit normalë, ne mund të shikojmë vetëm se çfarë po ndodh dhe ne varemi nga marrëveshjet e figurave të mëdha, dhe nëse këto figura nuk i arrijnë qëllimet e tyre, njerëzit e zakonshëm do të vriten”.

Gati tri dekada pas përfundimit të luftës në Bosnje, familjet e viktimave thonë se nuk janë të kënaqur me procedurat ligjore pas krimeve të luftës.

“Kanë kaluar gati 30 vjet dhe ne ende kërkojmë varreza masive të fshehura, duam t'u japim identitetin atyre njerëzve që kishin qenë gjallë dikur. Ne duam t'i varrosim siç duhet”, ka deklaruar Kada Hotiq, iu vranë djali dhe burri.

“Ka ende varre masive të fshehura këtu, dhe ka ende njerëz që e dinë se ku janë ato varre dhe megjithatë po i fshehin, ata heshtin. Ata ende mohojnë se e kanë bërë vrasjen. Por ne kemi fotografi sot, të gjithë mund të shohim se çfarë po ndodh në Ukrainë”.

Më shumë se tetë mijë djem e burra myslimanë të Bosnjës u vranë dhe u masakruan brenda pak ditësh në verën e vitit 1995 në Srebrenicë.

“Sigurisht, skenat nga Ukraina po më kujtojnë përvojën time nga vitet 1992 dhe 1995. Vetëm njerëzit që u mbijetuan drejtpërdrejt krimeve të tilla mund të kenë vërtet mirëkuptim për vuajtjet e ukrainasve”, ka theksuar Kadefa Rizvanoviq, e afërme e njërës prej viktimave të Srebrenicës. “Është vërtet e vështirë për ne që të shikojmë televizorin, shikoni se çfarë po ndodh”.

Amerisa Ahmetoviq, nga Shoqata e Viktimave Civile të Luftës, ka theksuar: “Pse u vranë këta njerëz? Pse i kanë lënë pa gjymtyrë të trupit të tyre? Kur shikojmë Sarajevën e viteve 1992 dhe 1995, kur i shikoj ato imazhe nga Ukraina, vazhdimisht më kthehen ato imazhe para syve të mi, veçanërisht”.

“Ajo masakra e fundit në stacionin e trenit në Ukrainë. Më ktheu plotësisht në masakrën e tregut në Sarajevë. Është absolutisht i njëjti skenar, me të vërtetë”, ka shtuar ajo.

Ato thonë se shumë autorë të vrasjeve e masakrave kanë mbetur pa u ndëshkuar dhe mijëra të zhdukur nuk janë gjetur edhe 30 vjet pas luftës në Bosnjë-Hercegovinë.