Jim Bello, 49 vjeç dhe i shëndetshëm, u sëmur keq, duke i shpërfaqur misteret agonizuese të koronavirusit. Përpjekjet e pandalshme të mjekëve për ta shpëtuar ishin një betejë përplot kthesa dërrmuese e triumfi.
“A do ta tejkalojë?”, pyeti bashkëshortja e tij, Kim Bello, duke e shtrënguar telefonin, e vetme në oborr, shkruan BBC.
Në oborr kishte dalë ashtu që tre fëmijët e saj, që luanin lojëra në dhomën e ndejës, të kurseheshin nga biseda me mjeken që po e trajtonte bashkëshortin e saj, Jim, transmeton KOHA. Për dy javë radhazi ai luftoi kundër koronavirusit në spitalin e përgjithshëm të Massachusettsit, i lidhur për ventilator dhe, gjatë nëntë ditëve të fundit, edhe në makinën e opsionit të fundit për simulimin e funksionimit të zemrës e të mushkërive.
Mjekja Emmy Rubin i tha butësisht zonjës Bello se bashkëshorti i saj kishte gjasa shpëtimi, por “nëse më pyet për një mendim të sinqertë, ka më shumë gjasa që mos të shpëtojë”.
49-vjeçari Bello, avokat i shëndetshëm dhe tip atletik, ishte përballur me temperaturë deri në 40 gradë në fillim të marsit, pas një shëtitjeje në malet White të New Hampshires dhe përfundoi në dhomën e emergjencës gjashtë ditë më vonë, pasi kishte vështirësi që të merrte frymë.