Një burrë vdiq pasi përplasi veturën e tij në portën e Ambasadës Ruse në Bukuresht herët të mërkurën, ka konfirmuar Policia, shkruan DW.
Policia në Bukuresht njoftoi se vetura u përplas në hyrje rreth orës 6 të mëngjesit, por nuk hyri brenda kompleksit të ambasadës.
Nuk është ende e qartë nëse përplasje ishte aksident apo e qëllimshme. Autoritetet konfirmuan se shoferi kishte vdekur në vendngjarje. Policia po heton rastin dhe nuk ka bërë të ditur identitetin e drejtuesit të mjetit.
Javët e fundit, disa ambasada ruse në të gjithë Evropën janë përballur me protesta nga njerëz që kundërshtojnë luftën kundër Ukrainës.
Një ditë më parë, Rumania ka thënë se do të dëbonte 10 diplomatë rusë që nuk po veprojnë në përputhje me rregullat ndërkombëtare.