Botë

Rusia akuzon Perëndimin se po përpiqet të prishë negociatat e paqes me Ukrainën

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar të martën Perëndimin se po përpiqet të prishë negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës me “histeri” mbi vrasjet e civilëve në qytetin ukrainas, Bucha.

Duke mos dhënë prova, Lavrov ka thënë se Moska beson që akuzat ndaj saj janë të planifikuara për të shkatërruar procesin e negociatave pas, siç e quan ai, përparimin që e arritën përfaqësuesit ukrainas dhe ata rusë në Turqi javën e kaluar.

"Ne mendojmë se arsyeja është dëshira për të gjetur një pretekst për të ndërprerë negociatat që po zhvillohen”, ka thënë ai në një video të lëshuar nga ministria e jashtme ruse, raportoi Reuters.

Lavrov ka shtuar se “Ukraina është përpjekur të ndërpresë plotësisht procesin e negociatave pasi mediat perëndimore akuzuan për krime lufte”.

Zyrtarët nga Ukraina dhe vendet perëndimore kanë thënë se ka prova që Rusia ka kryer krime lufte.

Moska mohon akuzat dhe i ka quajtur ato "falsifikime monstruoze", siç raportohet në agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA.

Gjykata Ndërkombëtare Penale tashmë ka filluar hetimin nëse po ndodhin krime lufte dhe Ukraina gjithashtu ka ngritur një ekip për të mbledhur prova.