Botë

Zelensky liston një seri akuzash ndaj Rusisë gjatë fjalimit në OKB

Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka listuar një sërë akuzash kundrejt Rusisë, në një fjalim që e mbajti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të martën. Zelensky ka thënë se udhëheqësit rusë janë si kolonizatorët e kohëve të lashta, shkruan BBC.

“Ata kanë nevojë për pasurinë tonë, për njerëzit tanë. Rusia tashmë ka marrë qindra mijëra qytetarë tanë në vendin e tyre, ata kanë rrëmbyer më shumë se dymijë fëmijë. I kanë rrëmbyer ata fëmijë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Rusia dëshiron t'i kthejë ukrainasit në skllevër të heshtur. Ushtria ruse po plaçkit hapur qytetet dhe fshatrat që kanë pushtuar. Kjo është arsyeja pse quhet plaçkitje. Ata po vjedhin gjithçka, duke filluar nga ushqimi dhe bizhuteritë”, ka thënë Zelensky.

Ai ka shtuar se Rusia do ta bëjë atë që di më së miri, t’i fajësojë të tjerët për krimet e veta.

“Unë e di dhe ju e dini shumë mirë se çfarë do të thonë përfaqësuesit e Rusisë në përgjigje të akuzave për këto krime. Këtë e kanë thënë shumë herë dhe kjo ka ndodhur gjatë rrëzimit të avionit malajzian nga forcat ruse mbi Donbas ose gjatë luftës në Siri. Do t'i fajësojnë të gjithë vetëm për të justifikuar veprimet e veta. Ata do të thonë se ka versione të ndryshme, se është e pamundur të përcaktohet se cili nga ato versione është i vërtetë. Madje do të thonë se të gjitha videot janë të inskenuara. Por është viti 2022. Tani kemi prova kyçe”.

Zelensky i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së ta dëbojë Rusinë. Alternativë tjetër, sipas tij, mbetet reformimi i Këshillit ose si opsion i fundit, të shpërbëhet i tërë Këshilli.

“Bota ka të bëjë me një shtet që po e kthen veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në të drejtën për të vdekur”, duke iu referuar të drejtës së Rusisë si një anëtare e përhershme e këshillit për të vënë veton ndaj rezolutave që ajo bën.

“Kjo minon të gjithë arkitekturën e sigurisë globale. Kjo i lejon ata të mbeten të pandëshkuar”, përfundoi Zelensky, fjalimi i të cilit u duartrokit nga ambasadorët e OKB-së.