Botë

Ukraina kërkon që bota të reagojë ndaj masakrës në Bucha

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka kërkuar që bota të reagojë ndaj masakrës që ai thotë se ka ndodhur në qytetin Bucha në afërsi të Kievit, raporton BBC.

“Synimi i Rusisë është të eliminojë sa më tepër ukrainas që është e mundur”, ka shkruar Kuleba në një postim në Twitter, ndërsa i ka bërë thirrje shteteve të G7 që t’i vënë sanksione të reja Rusisë.

Në qytetin Bucha shihen numër i madh i civilëve të vrarë ukrainas nëpër rrugë. Forcat ruse janë duke u larguar nga rrethina e Kievit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, po ashtu e ka përdorur fjalën masakër për të përshkruar skenat në Bucha, pasi që forcat ruse janë tërhequr nga qyteti.

“I shokuar me imazhet e mizorisë së kryer nga ushtria ruse në rajonin e çliruar të Kievit #MasakraeBuchas. BE-ja është duke ndihmuar Ukrainën për të mbledhur dëshmitë e nevojshme për të ndjekur rastin në gjykatat ndërkombëtare. Sanksione të reja nga BE-ja për Rusinë do të vijnë. Po ashtu edhe përkrahje për Ukrainën”, ka shkruar Michel në Twitter.