Botë

Gjeorgjia i quan të papranueshme planet e Osetisë Jugore për t’iu bashkuar Rusisë

Gjeorgjia ka deklaruar të enjten se planet e Osetisë Jugore, rajon ky separatist i mbështetur nga Rusia, që të mbajë referendum për t’iu bashkuar Rusisë, janë të papranueshme.

Kremlini ndërkohë ka theksuar se nuk është ndërmarrë ende asgjë që kjo të ndodhë, raporton CNN.

Moska ka njohur rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë si të pavarurua, pas një lufte me Gjeorgjinë në vitin 2008. Ajo ka vendosur mijëra trupa ushtarake në dy rajonet dhe ka dërguar po ashtu ndihma financiare për t’i mbështetur ato.

Mirëpo ministri i Jashtëm i Gjeorgjisë, David Zalkaliani i ka quajtur të papranueshme pretendimet për bashkim me Rusinë, të paraqitura pak ditë më parë nga presidenti i Osetisë Jugore, Anatoly Bibilov.

“Sigurisht se bisedimet për të mbajtur çfarëdo lloj referendumi janë të papranueshme, kur ky territor në Gjeorgji është i okupuar”, ka deklaruar Zalkaliani.

Rajoni tjetër separatist i Gjeorgjisë, Abkhazia që ndodhet në bregun e Detit të Zi, ka deklaruar se mbështet aspiratat e Osetisë Jugore por nuk ka paraqitur qëllimin e ngjashëm për t’iu bashkuar Rusisë.