Presidenti i rajonit separatist gjeorgjian, ai i Osetisë Jugore, Anatoly Bibilov, ka deklaruar të mërkurën se territori do të ndërmarrë hapa në të ardhmen e afërt për t'u bërë pjesë e Rusisë.
Moska e njohu këtë territor dhe rajonin bregdetar të Abkhazisë si të pavarur, pas një lufte me Gjeorgjinë në vitin 2008. Ajo u ka ofruar këtyre rajoneve mbështetje të gjerë financiare, shtetësi për popullatën dhe ka vendosur mijëra trupa atje.
“Unë besoj se bashkimi me Rusinë është qëllimi ynë strategjik, rruga jonë, aspirata e popullit”, citohet të ketë thënë Bibilov, përcjell Reuters.
“Ne do të marrim hapat përkatës ligjorë në të ardhmen e afërt. Republika e Osetisë së Jugut do të jetë pjesë e atdheut të saj historik – Rusisë”, ka shtuar ai.
Ashtu si në rajonin rusishtfolës Donbas të Ukrainës lindore, Moska ka përdorur njohjen e rajoneve të shkëputura dhe dhënien e shtetësive, për të mbajtur një prani të armatosur në një zonë të ish-Bashkimit Sovjetik që e sheh si pjesë të sferës së saj natyrale.
Në Ukrainë, mbështetja e gjatë e Rusisë për separatistët e armatosur në Donetsk dhe Luhansk i dha asaj një platformë për të nisur pushtimin ushtarak në shkallë të gjerë më 24 shkurt.