Botë

Lufta e Ukrainës: Agjentët e Perëndimit përpiqen të kuptojnë mendjen e Putinit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është izoluar në një botë të veten, besojnë spiunët perëndimorë. Dhe kjo po i shqetëson. Për shumë vjet ata janë përpjekur të futen në kokën e tij për t’ia kuptuar qëllimet.

Tash që trupat ruse po vazhdojnë për të katërtën javë pushtimin e Ukrainës, nevoja për të kuptuar qëllimet e Putinit është kthyer në domosdoshmëri. Ekspertët po përpiqen të kuptojnë se si ai do të reagojë nën presionin që po shkon duke u rritur.

Kuptimi i mendjes së liderit rus do të ishte kyçe për të shmangur eskalim të krizës edhe në territore të tjera.

Ka pasur shumë spekulime se Putini është i sëmurë, por shumë analistë besojnë se në fakt ai është izoluar dhe ka mbyllur sytë para alternativave të tjera.

Izolimi i tij është evident në fotografitë e takimeve, si ajo me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Të dy u ulën në skajet e një tavoline tejet të gjatë. Ishte po ashtu e qartë edhe në takimet që Putini pati me ekipin e sigurisë kombëtare në prag të luftës.

Image

Plani fillestar ushtarak i Putinit dukej si diçka e ideuar nga një zyrtar i KGB-së (agjencisë së sigurisë në Bashkimin Sovjetik), ka shpjeguar një zyrtar i inteligjencës perëndimore. Sipas ekspertëve, përshtypja u krijua nga një grup i ngushtë konspirativ që ruan sekretet. Por rezultati ishte kaos. Komandantët e luftës nuk ishin gati dhe disa ushtarë kaluan kufirin pa e ditur fare se çka po bënin.

I vetmi që vendos

Spiunët perëndimorë, përmes burimeve, dinin më shumë për planet se shumë brenda lidershipit rus. Por tani përballen me sfidën e re – të kuptuarit e asaj çfarë po planifikon lideri rus. Dhe kjo s’është aspak e lehtë.

“Sfida e të kuptuarit të lëvizjeve të Kremlinit është fakti që Putini është i vetmi që merr vendime në Moskë”, ka shpjeguar John Siper, që dikur udhëhiqte operacionet e CIA-s në Rusi. Edhe pse pikëpamjet e Putinit shpesh qartësohen me deklarime publike, të kuptuarit se si do të veprojë është sfidë e madhe për inteligjencën.

“Është tejet e vështirë në një sistem të mbrojtur si Rusia, të kesh njohuri të mirë se çka po ndodh brenda kokës së liderit, sidomos kur as shumë prej njerëzve të tij s’e dinë”, ka thënë John Sawers, ish-shef i Agjencisë së Inteligjencës në Britani, MI6.

Putini, sipas ekspertëve të inteligjencës, është i izoluar në një flluskë të veten, në të cilën depërtojnë shumë pak informacione të jashtme, e fare pak ato që mund t’ia sfidojnë mendimet.

“Ai është viktimë e propagandës së vet në kuptimin se ai dëgjon vetëm një numër të caktuar njerëzish dhe bllokon gjithçka tjetër që vjen nga jashtë. Kjo ia jep atij pamjen e pazakontë të botës”, ka thënë për BBC-në, Adrian Furnham, profesor i psikologjisë. Rreziku është ajo që quhet “grupi” në të cilin secili jep pikëpamjen e tij. “Nëse ai është viktimë e grupit të mendimit, ne duhet të dimë se kush është në atë grup”, ka thënë Furnham.

Rrethi i atyre me të cilët Putini bisedon s’ka qenë kurrë i madh, por kur bëhet fjalë për vendimin për pushtim të Ukrainës, fjala kaloi vetëm në veshët e fare pak njerëzve, besojnë zyrtarët e inteligjencës perëndimore. Ata që kishin lajmin të parët ishin “besimtarët e mëdhenj” që ndajnë mendimet dhe fiksimet e njëjta me Putinin.

Të kuptuarit se sa i vogël është rrethi i tij u bë më e lehtë kur publikisht e turpëroi kreun e Shërbimit Inteligjent në mbledhjen e Këshillit Kombëtar – pak para pushtimit. Fjalimi i tij disa orë më vonë nxori në pah një burrë të nervozuar e të fiksuar pas Ukrainës dhe Perëndimit.

Ata që e kanë përcjellë funksionimin e Putinit thonë se ai funksionon nga dëshira për të tejkaluar poshtërimin e Rusisë së viteve të ’90-ta me bindjen se Perëndimi është i vendosur ta mbajë poshtë Rusinë dhe ta heqë Putinin nga pushteti. Një person që kishte takuar Putinin kujton fiksimin e tij me shikimin e videove të Gaddafit duke u vrarë, pasi u rrëzua nga pushteti më 2011.

Kur drejtori i CIA-s, William Burns, u pyet për gjendjen mentale të Putinit, ai ka thënë se “bëhet fjalë për një zierje të kombinimit të nervozizmit dhe ambicies për shumë vjet”, dhe e përshkroi si qasje të ngurtësuar, e se Putini ndihet shumë i izoluar.

A është i çmendur presidenti rus? Kjo është pyetja që shumë në Perëndim e shtrojnë. Por pak ekspertë besojnë se është ndihmesë. Një psikolog me ekspertizë në këtë fushë ka thënë se është gabim të mendohet se nuk mund të kuptohet kur një vendim si ai i pushtimit të Ukrainës, vjen nga një person “i çmendur”.

CIA ka një ekip që merret me analiza të liderëve për vendimet e tyre, traditë që nisi që kur u mundua të kuptohej truri i Hitlerit. Ata studiojnë prejardhjen, marrëdhëniet, shëndetin e liderëve të huaj.

Nga ekspertizat e mëhershme kanë dalë edhe bisedat e brendshme të liderëve. Në vitin 2014, Angela Merkel u raportua se i kishte thënë presidentit amerikan Barack Obama se Putini jeton “në botë tjetër”. Ndërkaq presidenti francez, Emmanuel Macron, që së fundmi u ul në tavolinë me Putinin, raportohet se e kishte parë liderin rus si “më të ngurtë e më të izoluar” se herëve të kaluara.

Image

Ka spekulime për shëndetin e Putinit, por ka faktorë psikologjikë që thonë se ai po vazhdon të ëndërrojë për të mbrojtur Rusinë apo rikthimin e “madhështisë së saj”. Lideri rus e ka izoluar veten edhe gjatë pandemisë së COVID-19 dhe kjo mund të ketë pasur ndikim psikik.

“Putini s’është i sëmurë mendor, e as nuk ka ndryshuar, edhe pse po nxiton më shumë dhe është më i izoluar viteve të fundit”, ka thënë Ken Dekleva, ish-diplomat amerikan.

Një shqetësim në rritje së fundmi është se ende s’po gjendet rruga për të hyrë në flluskën e mbyllur të Putinit. Shërbimet e tij të inteligjencës kanë ngurruar t’i tregonin para pushtimit diçka që ai s’do të donte të dëgjonte, duke i dhënë vetëm parashikime të mira se si pushtimi do të funksiononte. Dhe këtë javë, një zyrtar perëndimor ka thënë se Putini ende s’e ka kuptuar se sa keq i ka trupat e veta në Ukrainë. Kjo ka bërë që të ketë shqetësim se si do të reagojë Putini kur të shohë se situata s’është e mirë në terren për Rusinë.

Teoria e të krisurit

Vetë Putini e ka treguar një rrëfim se si kur ishte fëmijë e kishte ndjekur miun. Pasi e kishte zënë në një qosh, miu e kishte sulmuar duke e detyruar Vladimir Putinin të bëhej ai që ikte. Pyetja që e shtrojnë tash në Perëndim është nëse Putini tani ndihet i zënë në qosh?

“Pyetja është nëse ai do të dyfishojë brutalitetin dhe eskalimin në sistemet e armatimit që është i gatshëm t’i përdorë”, ka thënë një zyrtar perëndimor. Ka shqetësime se mund të përdoren armët kimike apo edhe bërthamore. “Shqetësimi është se mos po bën diçka jashtëzakonisht të dëmshme me shtypjen e butonit”, ka thënë Adrian Furnham.

Putini mund të luajë rolin se është i rrezikshëm apo irracional – kjo është taktikë e njohur (shpesh si teoria e “të krisurit”) në të cilën dikush me qasje në armë bërthamore përpiqet të frikësojë tjerët duke i bindur se është mjaftueshëm i çmendur për ta përdorur armën, pavarësisht potencialit që të gjithë të dilnin humbës.

Për spiunët dhe politikëbërësit perëndimorë kuptimi i qëllimeve dhe mendjes së Putinit s’ka qenë kurrë më i rëndësishëm se sot. Parashikimi i përgjigjes së tij është kyç se sa larg mund ta shtyjnë pa e nxitur reagimin e rrezikshëm.

“Koncepti i Putinit për veten është se ai s’lejon dështime apo dobësi. Ai i përbuz këto gjëra”, ka thënë Ken Dekleva. “Një Putin i dobësuar dhe i zënë në qosh, është edhe më i rrezikshëm. Është më mirë nganjëherë të lihet që arusha të dalë nga kafazi dhe të kthehet sërish në mal”.

Marrë nga BBC, përktheu Endrit Berisha