Botë

Një kandidat për president të Serbisë synon “bashkimin e të gjitha tokave ku jetojnë serbët”

Kryetari i partisë “E Djathta Serbe”, Misha Vaçiq, ka dorëzuar të dielën mbrëma në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë 12.500 nënshkrime për kandidaturën e tij për president të vendit.

Me këtë presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq i është shtuar një kundërkandidat për zgjedhjet e 3 prillit, e rajonit ndoshta një problem i madh.

Vaçiqi ka mbërritur para zyrave të Komisionit të Zgjedhjeve të Serbisë me një veturë të blinduar me targa ruse, që po shoqërohej nga një kolonë prej dhjetëra veturash me flamuj serbë e rusë si dhe me shkronjën “Z” të shkruar mbi to, shkruan “nova.rs” të hënën.

Shkronja “Z” po përdoret nga ushtria ruse që ka nisur pushtimin e Ukrainës.

E në deklaratën e kësaj lëvizje ekstremiste thuhet se Vaçiqi “është i vetmi kandidat që ka dalë me një ideologji të fortë patriotike që synon fuqizimin ekonomik dhe ushtarak të vendit në mënyrë që të krijohen kushte për rivendosjen e sovranitetit mbi territoret e okupuara serbe dhe bashkimin me vendet e tjera serbe".

Pra, projekt i Vaçiqit, nëse vjen në pushtet, është bashkimi i vendeve ku jetojnë serbët, që do të prekte shumë shtete përreth Serbisë.

Në fakt, tash e një kohë është ringjallur ideja për Serbinë e madhe, por me një term tjetër “bota serbe”. Projekti është promovuar nga ministri në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.