Për çka u morën e për çka pritet të merren vesh Trampi e Macroni

Për çka u morën e për çka pritet të merren vesh Trampi e Macroni

13 July 2017 21:30

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Washingtoni do të punojë me Francën dhe partnerët e saj në planin për periudhën e pasluftës në Siri dhe Irak, për të forcuar fitoren kundër militantëve të Shtetit Islamik në qytetin e Mosulit.

Duke folur në një konferencë për media së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, Trump ka thënë se ai dhe Macron janë pajtuar për të bashkëpunuar ngushtë në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit gjashtë vjeçar në Siri.

Ai ka thënë se Washingtoni dhe Parisi do të punojnë së bashku për të luftuar militantët e Shtetit Islamik, të cilët ai i ka quajtur “armiqtë e njerëzimit”.

“Ne jemi pajtuar për të vazhduar punën së bashku, për krijimin e një plani për periudhën e pasluftës”, në Irak dhe Siri, ka thënë Macron.

Trump dhe Macron janë pyetur edhe për vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të larguar SHBA-në nga Marrëveshja për Klimën.

Trump ka thënë se të dy do të diskutojnë për këtë çështje gjatë darkës, duke mos folur konkretisht për mundësinë e ndonjë marrëveshje mes dy vendeve.

“Nëse ndodh ndonjë marrëveshje, do të ishte fantastike. Por edhe nëse nuk ndodh, jemi prapë në rregull”.

Vizita e Trumpit në Paris është e lidhur me shënim e festës më të madhe të Francës, Ditës Bastille.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme