Botë

Zelensky: Bota nuk bëri asgjë për ne, lufta e tretë botërore do të fillojë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vendi i tij nuk mund ta ndalë Rusinë i vetëm duke shtuar se shtetet e tjera duhet të veprojnë para se të bëhet shumë vonë.

Në një intervistë për Sky News të mërkurën, Zelensky ka ripërsëritur thirrjen e tij drejtuar Perëndimit, për të imponuar një zonë të ndalim-fluturimit.

Ai ka akuzuar këto shtete se nuk janë të vendosura në çështjen e mbylljes së qiejve kundër atyre që ai i quajtur “nazistë”.

“Ju nuk mund të vendosni për t’i mbyllur ose jo...nuk mund të vendosni”, ka thënë Zelensky.

“Nëse jeni të bashkuar kundër nazistëve dhe këtij terrori, ju duhet t’i mbyllni qiejt. Mos pritni që t’ju them shumë herë, miliona herë. Mbyllni qielli. Mbyllni qiellin dhe ndalni bombardimet”, ka shtuar Zelensky, duke i bërë apel botës që të reagoj më shpejtë.

I pyetur për shqetësimet perëndimore rreth potencialit të një zone ndalim-fluturimi që do të përshkallëzojë konfliktin dhe do të sjellë një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë duke e përkeqësuar atë, Zelensky ka thënë se nëse vazhdon kjo luftë, NATO-ja do ta mbyllë qiellin, por deri atëherë Ukraina do të humbasë miliona njerëz.

"Më keq për kë? Për familjet tona? Jo... Për ta...? Kush e di? Askush nuk e di. Por ne e dimë se pikërisht kjo tani është shumë e keqe dhe në të ardhmen do të jetë tepër vonë. Më besoni, nëse zgjatet në këtë mënyrë, do të shihni... ata do të mbyllin qiellin, por ne do të humbasim miliona njerëz”, është shprehur Zelensky.

"Lufta e tretë botërore do të fillojë dhe vetëm atëherë do të krijoni një zonë ndalim-fluturimi - por do të jetë tepër vonë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, bota nuk bëri asgjë për t’i shpëtuar njerëzit në Ukrainë.

“Aleatët e NATO-s nuk duhet t'u thonë njerëzve në Ukrainë që humbën fëmijët e tyre "më fal që nuk e bëmë dje, një javë më parë. Ne nuk e shtymë Putinin, nuk folëm shumë me të. Nuk bëmë asgjë dhe është e vërtetë, dje bota nuk bëri asgjë... Më vjen keq, por është e vërtetë"

Ndërkohë, duke folur pas ditësh rrethimi në qytetin jugor të Mariupolit, Zelensky ka thënë se Rusia po i trajton ukrainasit si kafshë duke ua bllokuar aksesin në nevojat themelore.