Botë

Shumë japonezë të gatshëm për të luftuar në Ukrainë

Descriptive Text

Keiichi Kurogi është një nga dhjetëra burrat në Japoni që ishte i gatshëm t’i bashkohej një legjioni ndërkombëtar për të luftuar pushtuesit rusë në Ukrainë, pasi presidenti i kësaj të fundit, Volodymyr Zelensky bëri thirrje për vullnetarë nga e gjithë bota.

Kurogi, një 39-vjeçar që jeton në jugperëndim të Japonisë, ka thënë për Reuters se ai telefonoi ambasadën ukrainase të hënën pasi pa apelin e saj për vullnetarë në Tëitter.

"Kur pashë imazhe të burrave dhe grave të moshuara në Ukrainë që mbanin armë dhe shkonin në front, ndjeva se duhet të shkoja në vendin e tyre”, është shprehur ai.

Ambasada refuzoi ofertën e Kurogit për të luftuar, duke i thënë se i mungonte përvoja e nevojshme ushtarake.

Që nga e marta, 70 burra japonezë, duke përfshirë 50 ish-anëtarë të Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë dhe dy veteranë të Legjionit të Huaj Francez, kishin aplikuar për të qenë vullnetarë, tha gazeta Mainichi Shimbun.

Një zëdhënës i Ambasadës së Ukrainës pranoi se kishte marrë telefonata nga njerëz që "dëshironin të luftonin për Ukrainën", por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

Një postim i 28-shkurtit në rrjetet sociale nga ambasada falënderoi japonezët për pyetjet e tyre të shumta rreth vullnetarizmit, por shtoi një kusht.

"Çdo kandidat për këtë duhet të ketë përvojë në Forcat Vetëmbrojtëse të Japonisë ose të ketë kaluar trajnime të specializuara".

Japonia nga ana e saj, ka thënë të mërkurën se do të mbyllë përkohësisht ambasadën e saj në Kiev duke pasur parasysh rreziqet në rritje në kryeqytet.

Lufta në Ukrainë ka ngjallur emocione të forta në Japoni, e cila ka një kushtetutë pacifiste të pasluftës që është riinterpretuar vitet e fundit për të lejuar Japoninë të ushtrojë vetëmbrojtje kolektive ose të ndihmojë aleatët e sulmuar.

Qindra njerëz u mblodhën në një protestë kundër pushtimit rus javën e kaluar në Tokio, ndërsa ambasada ukrainase ka njoftuar se mblodhi 17 milionë dollarë donacione nga rreth 60,000 njerëz në Japoni pasi bëri një kërkesë në internet për ndihmë.

Njëri prej tyre ishte Ryoga Seki, një 23-vjeçar që studionte shkenca kompjuterike në një shkollë pasuniversitare në Osaka, i cili dhuroi pagën e një muaji të tërë nga puna e tij e tutorit me kohë të pjesshme, prej gjithsej 868 dollarë.

"Ka shumë njerëz këtu, si unë, që duan të bëjnë diçka, por nuk mund të lëvizin për momentin", ka thënë ai.

Sa i përket Kurogit, ai është i bindur se do të dilte sërish vullnetar nëse Ukraina ndryshonte kërkesat e saj.

"Unë jam nga një brez që nuk e njeh fare luftën," tha ai. “Nuk është se dua të shkoj në luftë, por më shumë do të shkoja për të mos parë fëmijë të detyruar të mbanin armë”.