Botë

Kievi nën bombardime të Rusisë, Perëndimi shtrëngon sanksionet

  • Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt
  • Bota perëndimore e ka dënuar agresionin rus, duke i vënë sanksione të mëdha
  • Ukraina është e vendosur të luftojë. Ka marrë përkrahje financiare e ushtarake nga shumë shtete
  • Më 28 shkurt, palët u takuan, por nuk arritën marrëveshje
  • Lufta po vazhdon, duke lënë me qindra të vrarë nga të dyja anët

11:32 - Arrestohen mbi 90 protestues rusë në Shën Petersburg

Më shumë se 90 protestues janë arrestuar në qytetin perëndimor rus të Shën Petersburgut këtë të martë, derisa protestonin kundër luftës në Ukrainë, sipas Shërbimit rus të BBC-së.

Protesta u zhvillua në qendrën tregtare, Gostiny Dvor në Nevsky Avenue, në qendër të qytetit.

Policia ruse arrestoi protestuesit dhe të paktën një gazetar.

Një ditë më parë, policia arrestoi rreth 900 protestues kundër luftës në këtë qytet.

 


22:37 - Sulmi i ri në Kharkiv, shpërthen zjarr në kompleksin banesor pranë spitalit

Një sulm i ri ushtarak në Khariv të Ukrainës ka goditur një kompleks apartamentesh pranë një spitali.

Shpërthimi pranë spitalit vjen disa orë pasi një sulm ushtarak ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesën e administratës rajonale të Kharkivit, raporton CNN.


22:36 - BE-ja shqyrton ofrimin e statusit të azilit dhe refugjatit për ushtarët rusë

Zyrtarët e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë ofrimin e statusit të azilit dhe refugjatit për ushtarët që duan të braktisin ushtrinë ruse, për sa kohë që nuk kanë kryer krime lufte.


22:10 - Klitschko: Tanket ruse janë vetëm 20 kilometra larg qytetit

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, ka paralajmëruar se Kievi mund së shpejti të përballet me një ofensivë tjetër ruse.

Ai ka thënë për gazetën gjermane “Bild” se tanket ruse janë vetëm 20 kilometra larg qytetit.

“Duhet të presim në çdo moment një ofensivë ruse, tanket janë vetëm afro 20 kilometra larg qytetit”, ka thënë Klitschko.

Sot pasdite pas një sulmi me dy raketa në Kiev, humbën jetën pesë persona dhe u lënduan pesë tjerë. U qëllua memoriali i Holokaustit që gjendet pranë një kulle televizive.


22:00 - Dëgjohen seri shpërthimesh në afërsi të Kievit

Janë dëgjuar seri shpërthimesh në afërsi të kryeqendrës ukrainase Kiev, raporton CNN.

Shpërthimet janë dëgjuar rreth orës 22:40 me kohë lokale.


21:57 - Apple ndalon shitjet e produkteve në Rusi

Gjiganti i teknologjisë, Apple, ka marrë vendim që t’i ndalojë shitjet e produkteve të saja brenda territorit të Rusisë.


21:42 - BE-ja bllokon Sputnikun dhe RT-në

Bashkimi Evropian ka bllokuar transmetimet e mediave ruse, Sputnik dhe Russia Today, në të gjithë vendet anëtare të saj.


21:27 - Bideni siguron që Perëndimi të jetë në të njëjtën faqe për pushtimin rus të Ukrainës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se do të sigurojë që aleatët e Amerikës të jenë të bashkuar në përgjigjen ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Kështu është shprehur ai para gazetarëve pak para fjalimit të tij të përvitshëm për gjendjen e shtetit para kongresistëve këtë të martë

Jake Tapper nga CNN, duke parafrazuar komentet e Presidentit, tha se Bideni ka njoftuar se është "vendosmëria e tij për t'u kujdesur që Bashkimi Evropian, NATO dhe të gjithë aleatët të jenë në të njëjtën faqe të saktë për sa i përket sanksioneve kundër Rusisë dhe mënyrën se si e trajtojnë pushtimin e Ukrainës”.

Ai më tej ka thënë se Bideni e ka shprehur gjënë që sipas tij është më e rëndësishmja: Uniteti i NATO-s dhe Perëndimit.


21:02 - Britania i vendos sanksione Bjellorusisë

Britania e Madhe po i vendos sanksione Bjellorusisë për rolin e saj në pushtimin rus të Ukrainës, ka njoftuar Qeveria të martën, raporton BBC.


20:43 - Shtatë banka ruse përjashtohen nga SWIFT

Ambasadorët e BE-së ranë dakord të përjashtonin shtatë banka ruse nga sistemi i transkasioneve financiare SWIFT, por kursyen huadhënësin më të madh të vendit Sberbank dhe një bankë pjesërisht në pronësi të gjigantit rus të gazit Gazprom, raporton Blomberg.


20:36 - Johnsoni krahason granatimet në Kharkiv me ato në Sarajevë në vitet e 90-a

Bombardimet e qytetit ukrainas Kharkiv nga forcat ruse ia kanë përkujtuar kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, pamjet e Sarajevës në vitet 1990-a.


20:28 - Rusia u bën thirrje banorëve të Kievit të largohen nga shtëpitë e tyre

Rusia ka paralajmëruar të martën banorët e kryeqytetit ukrainas, Kievit, që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se po planifikonte të godiste objektivat në Kiev, të përdorura nga shërbimi i sigurisë së Ukrainës. Ky dikaster ka paralajmëruar banorët e Kievit që të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre, derisa nuk dha asnjë informacion se ku ndodheshin ato objektiva në këtë qytet.


20:20 - Llogaritë e mediumeve shtetërore ruse do të degradohen në Facebook e Instagram

Llogaritë e mediumeve shtetërore ruse, si dhe përmbajtja e lidhur me faqet e tyre, do të degradohet nëpër platformat e Meta’s nëpër botë, ka njoftuar kompania të martën, raporton BBC.

“Mund ta konfirmojë se po degradojmë në Facebook e Instagram përmbajtjen e mediumeve ruse të kontrolluara nga shteti, e po e bëjmë më të vështirë që të gjenden nëpër platformat tona”, ka thënë Nick Clegg, presidenti i Meta’s për çështje globale.


20:08 - GJND-ja mban seancë dëgjimore më 7 dhe 8 mars për luftën në Ukrainë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, konfirmoi sot se do të mbajë seanca dëgjimore më 7 dhe 8 mars për luftën në Ukrainë.

Kjo vjen pas paraqitjes së një kërkese nga Ukraina në GJND të dielën për një "mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin, zbatimin dhe përmbushjen e Konventës së vitit 1948 dhe Parandalimin e Ndëshkimit të Krimeve të Gjenocidit", sipas një njoftimi të GJND-së.


20:00 - Rreth 677,000 njerëz kanë ikur nga Ukraina në “më pak se një javë” gjatë pushtimit nga Rusia, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara.


19:51 - Zelensky vendos kushtet e tij për vazhdim të negociatave me Rusinë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vendosur kushtet e tij për të vazhduar negociatat me Rusinë. Ai në një intervistë për “CNN” dhe “Reuters” ka thënë se forcat ruse duhet të ndalojnë bombardimin e njerëzve para se të fillojnë bisedimet për armëpushim.

“Është e nevojshme së paku të ndalohet bombardimi i njerëzve. Thjeshtë ndaloni bombardimet e më pas ulemi në tavolinë të negociatave”, tha Zelensky.

19:31 - Forcat ruse futen në qytetin ukrainas Kherson

Forcat ruse janë futur në qytetin jugor ukrainas Kherson, ka njoftuar këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Vadym Denysenko, raporton “The Guardian”.

Denysenko ka thënë se Ukraina ende kontroll ndërtesën e administratës së qytetit.

Më herët sot u raportua se forcat ruse kanë nisur ofensivën në Kherson.


19:10 - Zelensky falënderon SHBA-në për përkrahjen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka biseduar me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

Zelensky ka falënderuar Bidenin për përkrahjen. Ai ka shtuar se duhet ndalur sa më shpejt agresori, Rusia.

“Vetëm sa zhvillova një bisedë me presidentin Biden. U diskutua për lidershipin amerikan në sanksionet kundër Rusisë dhe po ashtu ndihma për mbrojtje ofruar Ukrainës. Duhet të ndalojmë agresorin sa më shpejt të jetë e mundur. Ju faleminderit për përkrahjen”, ka shkruar Zelensky në Twitter.


19:01 - Raketa ruse goditi memorialin e Holokaustit, Zelensky: Historia përsëritet


18:55 - Rusia planifikon për nesër raundin e dytë të negociatave, Ukraina s’e konfirmon

Raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet delegacioneve nga Ukraina dhe Rusia për situatën në Ukrainë është planifikuar të mërkurën, raportojnë mediat shtetërore ruse.


18:37 - Ministrat e jashtëm të NATO-s do të mbajnë takim emergjent të premten

Ministrat e jashtëm të NATO-s do ta mbajnë një takim emergjent të premten në lidhje për pushtimin rus të Ukrainës, raporton CNN.


18:29 - SHBA-ja: Ka indikacione që morali i forcave ruse po dobësohet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se ka indikacione që morali po dobësohet në disa nga njësitë e forcave ruse.

Siç ka pohuar të martën një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, kjo po ndodhë pasi ata nuk e prisnin rezistencën që do të bënin ukrainasit.


18:34 - Parlamenti Evropian rekomandon që Ukrainës t’i jepet statusi i kandidatit të BE-së

Sipas medias ukrainase “The Kyiv Independent”, Parlamenti Evropian ka rekomanduar që t’i japë Ukrainës statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian.

“Parlamenti Evropian rekomandon t'i jepet Ukrainës statusi i kandidatit për në BE”, ka shkruar kjo media.

Të martën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje BE-së që të aprovojë që bashkimi është me Ukrainën. Gjithashtu kërkoi që Rusia të tërheqë të gjitha trupat nga Ukraina.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritas Schinas, ka thënë se ka një mbështetje të gjerë që Ukraina të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Deklarata erdhi pasi Zelensky thirri liderët evropianë që të vërtetojnë solidaritetin e tyre me Ukrainën një ditë pasi nënshkroi kërkesën zyrtare për të hyrë në BE.

Ai tha gjithashtu se BE-ja do të shpallë statusin e përgjithshëm të mbrojtjes për të gjithë ata që ikin nga lufta në Ukrainë që do t'u jepte atyre qasje automatike në objektet shëndetësore, arsimore dhe strehimore të BE-së. Ky vendim, tha Schinas, së bashku me përdorimin e fondeve të BE-së për të blerë armë për Ukrainën janë "hapa të paprecedentë".

Shtoi se është i bindur se në takimin e radhës të liderëve evropianë do të vendosin për të ngrenë procesin në ritëm që lejon Ukrainën të anëtarësohet në BE.


18:07 - Zelensky i kërkon Bidenit të japë mesazh të fortë për pushtimin e Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga homologu i tij amerikan, Joe Biden, që të japë një mesazh të fortë dhe të dobishëm në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë, në fjalimin e tij të përvitshëm para kongresmenëve amerikanë.

"Është shumë serioze. Unë nuk jam në një film", tha Zelensky për CNN, nga bunkeri në Kiev, ku po udhëheqë ushtrinë e tij.

"Unë nuk jam ikonë, mendoj se Ukraina është ikonë. Ukraina është zemra e Evropës dhe tani mendoj se Evropa e sheh Ukrainën si diçka të veçantë për këtë botë. Kjo është arsyeja pse bota nuk mund ta humbasë këtë gjë të veçantë", ka thënë ai.

Zelensky sot para Parlamentit Evropian ka thënë se ata po luftojnë vetëm për tokën dhe lirinë e tyre.

"Ne po luftojmë për jetën tonë. Ne po luftojmë për mbijetesë. Ky është motivimi ynë më i lartë", ka thënë Zelensky, duke shtuar se lufta është edhe për të qenë anëtarë të barabartë të Evropës.

Zelensky kërkoi që Ukraina të bëhet anëtare në BE me një proces të përshpejtuar të hënën.


17:35 - Pesë të vdekur nga sulmi afër kullës televizive në Kiev

Pesë persona kanë mbetur të vdekur nga sulmi me raketa afër një kulle televizive në Kiev.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, dy raketa goditën dhe dogjën një ndërtesë pranë kullës televizive. Zjarri është shuar.


17:31 - Çfarë janë armët termobarike dhe si funksionojnë ato?

Frika është rritur për përdorimin e armëve termobarike nga Rusia pasi ambasadori ukrainas në SHBA tha se një “bombë vakum” - një term tjetër për armën - ishte përdorur gjatë pushtimit.


16:21 - Rusia godet një ndërtesë afër kullës televizive në Kiev

Rusia ka ndërmarrë sulme edhe më të ashpra në kryeqytetin e Ukrainës, Kievin.

Kanalet televizive ukrainase ndaluan transmetimin disa minuta më parë, pas sulmit me raketë afër kullës televizive në Kiev. 

 


 

16:16 - Blinken kërkon largimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dënoi abuzimet e Rusisë të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar ndërsa kryen sulmin e saj ndaj Ukrainës, ai hodhi idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjatë një fjalimi para këshillit të martën.


15:29 - Franca ndan edhe 100 milionë euro ndihmë për Ukrainën

Franca ka ndarë edhe 100 milionë euro ndihmë financiare dhe humanitare për Ukrainën, ka bërë të ditur të martën ministri i Jashtëm francez.

15:02 - Rreth 150 mijë ukrainas e kanë lëshuar shtetin brenda 24 orëve të fundit

Një numër shtesë prej 150,000 qytetarësh ukrainas e kanë lënë vendin e tyre, Brenda 24 orëve të fundit, ka bërë të ditur shefi i refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, Filippo Grandi.

14:42 - Klitschko: Armiku është në periferi të kryeqytetit

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka paralajmëruar të martën përmes një videomesazhi se “armiku është në periferi të kryeqytetit”, duke shtuar se ushtria ukrainase është duke u përgatitur për të mbrojtur Kievin.


14:39 - Rusia paralajmëron për sulme në Kiev

Ministria ruse e Mbrojtjes ka lëshuar një paralajmërim për banorët e Kievit se po përgatitet të godasë objektivat në kryeqytetin ukrainas.

Në një deklaratë të lëshuar të martën pasdite, zyrtarët rusë thanë se forcat e tyre po përgatiten të nisin "sulme me precizion të lartë" kundër "qendrave teknologjike të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës, dhe qendrës së 72-të kryesore PsyOps në Kiev".

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve ukrainas të cilët po përdoren nga nacionalistët për të kryer provokime kundër Rusisë, si dhe banorët e Kievit që banojnë pranë stacioneve të transmetimit, të largohen nga shtëpitë e tyre”, thuhet në deklaratë.

Zyrtarët pohuan se sulmet po kryhen për të "parandaluar sulmet e informacionit kundër Rusisë".


14:21:  Zelensky-BE-së: Dëshmojeni se nuk do të hiqni dorë nga ne

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje liderëve evropianë të dëshmojnë solidaritetin e tyre me vendin e tij, vetëm një ditë pasi ai nënshkroi një kërkesë për t’u bashkuar në Bashkimin Evropian.


14:03 - Ministri ukrainas: Pranimi i Ukrainës në BE do ta ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë se vendimi më i mirë që mund të marrë tani Bashkimi Evropian, është që ta pranojë Ukrainën si shtet anëtar, pa u vonuar.

13:17 - “Plumba, xhama të thyer e priza të dëmtuara” – familja ukrainase kthehet në shtëpi

Kur Viktoriya dhe familja e saj u kthyen në shtëpi në Kiev pas qëndrimit në strehimore, kuptuan se vendimi për ta lënë shtëpinë një natë më parë ishte i duhur.

Në shtëpi, ata gjetën plumba, xhama të thyer e priza të dëmtuara.

“E kuptova se s’ka asnjë vend ku mund të ndihemi të sigurt tani. Shtëpia nuk është më kështjella ime, gjatë tërë kohës diçka gjëmon e shpërthen”, deklaroi 38-vjeçarja për CNN.

Viktoriya tha se po i frikësohet edhe qetësisë, pasi në çdo moment sipas saj, mund të shpërthejë diçka.

Familja ukrainase një pjesë të madhe e ka kaluar në strehimore. Ata kanë një djalë të vogël dhe shqetësohen se mund ta mbajnë të sigurt.

Pamjet mund t'i ndiqni KËTU


13:10 - Zelensky flet para Parlamentit Evropian: Askush nuk na thyen, sepse jemi ukrainasë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është adresuar të martën Parlamentit Evropian në Bruksel.

12:39 - Zelensky: Mbrojtja e Kievit është prioriteti jonë kryesor

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se mbrojtja e kryeqytetit, Kievit, është “prioriteti kryesor” i shtetit.

12:09- Sulmet ruse në Ukrainë: 136 civilë të vrarë, 13 prej tyre fëmijë

Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se deri më tani janë vrarë 136 civilë, në mesin e të cilëve 13 fëmijë, nga sulmet ruse në Ukrainë, të cilat kanë hyrë në ditën e gjashtë.

Është raportuar edhe për 400 civilë të cilët janë plagosur si pasojë e sulmeve me raketa të ushtrisë ruse, në drejtim të ndërtesave të banimit. Në mesin e të plagosurve përfshihen 26 fëmijë.

Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell, ka thënë se shumica e viktimave janë rezultat i “ armëve shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi”.

Ajo ka thënë se shifrat që posedojnë Kombet e Bashkuara mund të jenë më të larta, pasi ato që kanë prezantuar janë vetëm viktimat që kanë arritur t’i kontrollojnë.

Palët ukrainase dhe ruse janë takuar të hënën në kufirin Ukrainë-Bjellorusi për të biseduar rreth gjetjes së një zgjidhjeje, mirëpo nuk kanë arritur në ndonjë marrëveshjet. Palët janë pajtuar që bisedimet të vazhdojnë në ditët në vijim.

11:42 - Lavrov: Perëndimi s’duhet të ndërtojë baza ushtarake në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik

Perëndimi nuk duhet të ndërtojë objekte ushtarake në asnjë vend të ish-Bashkimit Sovjetik, citohet të ketë thënë të martën ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

11:32 - Johnson: Putini po përdor taktika barbare kundër civilëve në Ukrainë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka mbajtur një konferencë shtypi në Varshavë me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki, prej nga ka thënë se "tragjedia" që Britania e Madhe dhe të tjerët parashikuan, tani ka ndodhur me pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin, dhe se kjo gjë është më e keqe se sa pritej.

10:34 - Ukraina pretendon se ka vrarë afër 6,000 ushtarë rusë

Zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë pohuar se më shumë se 5,700 trupa ruse janë vrarë në pesë ditët e para të luftimeve intensive në vend.

10:22 - Borrell: Rusia i ka shkelur ligjet e luftës

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi se Rusia ka shkelur ligjet e luftës pas granatimeve që i bëri infrastrukturës civile në Ukrainë.

Ai tha se ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, derisa theksoi se BE-ja qëndron e palëkundur krah këtij shteti.

“Granatimet kundër infrastrukturës civile dje në Kharkov shkelën ligjet e luftës. BE-ja qëndron e palëkundur krah Ukrainës në këto momente dramatike”, thuhet në reagimin e tij në Twitter.


10:13 - Zelensky e quan krim lufte sulmin në Kharkiv ku u vranë edhe tre fëmijë

Presidenti i Ukrainës e ka përshkruar bombardimin e Kharkivit, i cili ka vrarë dhjetëra civilë, si një krim lufte.

Nëntë persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë të hënën pasi bombat e dyshuara ruse shenjëstruan ndërtesa banimi në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Në komentet e bëra përpara sulit të fundit në qendër të Kharkivit, Zelensky tha se kishte dëshmi të dëshmitarëve okularë të civilëve që ishin shënjestruar qëllimisht.

“Forcat ruse qëlluan brutalisht mbi Kharkiv nga artileria reaktiv”, tha Zelensky gjatë një fjalimi natën vonë drejtuar popullit ukrainas.

“Ishte qartë një krim lufte. Qytet paqësor. Zona banimi paqësore. Nuk ka objekte ushtarake. Dhjetëra të dhëna të dëshmitarëve okularë dëshmojnë se kjo nuk është një breshëri e vetme e rreme, por shkatërrim i qëllimshëm i njerëzve. Rusët e dinin se ku po qëllonin”.

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, ka hapur një hetim mbi pushtimin rus pasi ai tha se besonte se kishte “bazë të arsyeshme” për të besuar se krimet e luftës ose krimet kundër njerëzimit ishin kryer në Ukrainë.


10:00 - Lukashenko: Bjellorusia nuk do t'i bashkohet pushtimit në Ukrainë

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë për mediat shtetërore se forcat e tij nuk do të bashkohen me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës.

9:27 - Të paktën gjashtë të lënduar pas shkatërrimit të ndërtesës së Qeverisë në Kharkiv

Të paktën gjashtë njerëz janë lënduar, përfshirë edhe fëmijë, në një shpërthim në Ukrainë, në qytetin e dytë më të madh, Kharkiv. Kështu ka bërë të ditur Shërbimi emergjent i shtetit në një postim në Telegram.


9:14 - Rusia ka 75 për qind të forcave brenda Ukrainës

Rusia ka kaluar nga 40 për qind e forcave të saj brenda Ukrainës në rreth 75 për qind ka thënë një akademik ushtarak.


9:10 - Ukrainasit shkatërrojnë dy avionë rusë

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka publikuar pamje se si forcat ushtarake i rrëzuan të hënën dy avionë rusë. Sulmi ka ndodhur në qytetet Vasylkiv dhe Brovary.

“Forcat Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës po mbrojnë me vetëmohim dhe mjeshtëri Ukrainën nga qielli. Mbrëmë, gjatë sulmeve ajrore të pushtuesve në Vasylkiv dhe Brovary, pilotët luftarakë ukrainas kapën dhe rrëzuan dy avionë rusë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Luftime të ashpra u raportua të ketë pasur edhe gjatë mbrëmjes së pestë ndërmjet forcave ruse dhe ukrainase.


8:41 - Rusia i përgjigjet sanksioneve të Zvicrës për ndalimin e fluturimeve

Rusia ka ndaluar hyrjen e avionëve të regjistruar në Zvicër në hapësirën e saj ajrore, tha autoriteti federal i aviacionit të vendit, Rosaviatsiya, në një deklaratë të martën.

Kjo lëvizje ka ardhur si hakmarrje nga ndalimet e ngjashme nga Zvicra.

Sanksionet zvicerane: Zvicra do të hiqte dorë nga angazhimi i saj ndaj “neutralitetit zviceran” në favor të miratimit të sanksioneve kundër Rusisë, tha të hënën presidenti zviceran Ignazio Cassis, duke shtuar se masat e Bernës do të jenë në përputhje me ato të miratuara tashmë nga Bashkimi Evropian.

Sanksionet përfshijnë mbylljen e hapësirës ajrore zvicerane për të gjitha fluturimet nga Rusia, duke përfshirë avionët privatë, me përjashtim të fluturimeve humanitare, fluturimeve kërkimore dhe situatave emergjente.


8:24 - Sulm i madh me raketë në Kharkiv

Një sulm i madh me raketë ka goditur të martën qytetin Kharkiv të Ukrainës, raporton mediumi anglez TheGuardian. Sulmi, sipas pamjeve të publikuara, u krye në afërsi të një godine ku pati edhe vetura.

Ende autoritetet ukrainase nuk kanë dhënë detaje nëse ka persona të lënduar apo viktima.


08:17 - Koreja e Jugut premton 10 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

Koreja e Jugut do të ofrojë 10 milionë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën ndërkohë që pushtimi rus vazhdon, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e Seulit.

08:04 - Tajvani do t’i bllokojë bankat ruse nga SWIFT

Tajvani do t'u bashkohet masave për të bllokuar disa banka ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT, "në hap" me vendet perëndimore, u tha gazetarëve të martën kryeministri Su Tseng-chang.

07:46 - Qytetarët rusë po e ndjejnë krizën e sanksioneve

Qytetarët rusë tashmë po e ndjejnë goditjen e sanksioneve perëndimore që synojnë bankat e tyre, gjë që po e bën më të vështirë për ta aksesin e parave.

07:20 - Të paktën 70 ushtarë ukrainasë të vrarë nga sulmi në një bazë ushtarake

Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se të paktën 70 ushtarë u vranë në një sulm artilerie ruse, në bazën e tyre ushtarake të dielën.

Sulmi ndodhi në Okhtyrka, në rajonin Sumy, i cili aktualisht është nën rrethim nga forcat ruse. Të hënën, punonjësit e urgjencës po vazhdonin të kërkonin nën rrënoja duke u përpjekur të gjenin të mbijetuar.

Parlamenti i Ukrainës ka postuar të martën në Twitter një homazh për ushtarakët, duke thënë "Lavdi e përjetshme për heronjtë e Ukrainës".

Parlamenti tha se ata u vranë nga raketat Grad.

Më shumë lajme rreth Ukrainës mund të lexoni në linkun më poshtë: