Veronika Boiko, gazetare nga Ukraina, në një intervistë nga Kievi, ka thënë për “Sonte me Rronin” në KTV se qytetarët e këtij shteti janë të vetëdijshëm për rreziqet që vijnë nga Rusia. Ajo ka thënë se ka shumë njerëz që kanë bërë plane të emergjencës, pasi Rusia vendosi qindra mijëra trupa ushtarake në kufi me Ukrainën.
“Ne e dimë që Putini është i aftë të bëjë gjëra të tmerrshme”, ka thënë ajo ndër tjerash. Megjithatë ka shtuar se Ukraina është e gatshme të luftojë dhe se “armiku duhet të ketë frikë nga ne”.
Boiko ka vlerësuar se Ukraina beson në një zgjidhje diplomatike pas tensioneve.
Intervista e plotë:
KOHA: Si është situata momentalisht në rrugët e Kievit?
Boiko: Në rrugët e kryeqytetit, Kiev, jeta vazhdon normalisht, njerëzit po mirëmbajnë një qetësi, nuk po panikojnë, dhe trupat e ushtrisë ruse nuk kanë eklipsuar problemet tona ditore. Kinematë, teatrot dhe muzetë e qytetit janë të hapura. Dyqanet janë të mbushura plot, dhe turistët blejnë suvenire, klientët duke pritur të hanë mëngjesin dhe pinë kafetë në kafenetë e popullarizuara. Sot ne shënojmë “Ditën e Unitetit”, një festë që presidenti Volodimir Zelenski e ka krijuar këtë javë. Ukrainasit kanë ngritur flamujt kombëtarë dhe kanë lëshuar himnin kombëtar për të treguar unitet kundër frikës së pushtimit rus.
KOHA: A jeni të bindur se sulmi nga Rusia do të ndodhë?
Boiko: Për shumë njerëz këtu, ideja e një pushtimi të plotë mbetet e çuditshme dhe e pabesueshme. Shumë ukrainas, përfshirë edhe presidentin, thonë se janë të vetëdijshëm për rrezikun që vjen nga Rusia, por nuk besojnë në këmbënguljen amerikane se kërcënimi është i pashmangshëm, sepse secili shtet po luan lojën në këtë situatë. Neve na është dashur të jetojmë me realitetin e agresionit rus për vite të tëra. Aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe mbështetja e saj për forcat antiqeveritare në luftën në Donbas e bënë të qartë që Kremlini nuk është i gatshëm ta lejojë Ukrainën të largohet pa luftuar. Ne e dimë që Putini është i aftë të bëjë gjëra të tmerrshme. Sigurisht, ka njerëz që janë duke bërë plane të emergjencës, disa për të luftuar pushtimin, të tjerë për t’u larguar në vende më të sigurta, disa tashmë kanë të ashtuquajturat valixhe emergjente, të cilat përmbajnë barna të rëndësishme, rroba, furnizime ushqimore, të cilat mund të merren shpejt në rast të evakuimit. Por edhe nëse Putini sulmon, ne jemi të gatshëm të luftojmë.
KOHA: A ndihet populli ukrainas i tradhtuar nga Perëndimi?
Boiko: Sigurisht që jo! Ne ndiejmë mbështetje të fortë nga Perëndimi. Qeveritë e vendeve perëndimore kanë qenë të shpejta në dërgimin e ndihmave ushtarake në Kiev. SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Danimarka, Polonia, Lituania, Turqia dhe Suedia, që s’është në NATO, tashmë kanë ofruar trajnues dhe pajisje ushtarake, duke përfshirë sisteme kundër tankeve, municion, pajisje komunikimi, radarë dhe dronë. Liderët e vendeve të tjera kanë vizituar shtetin tonë ashtu që ne të ndiejmë solidaritet. Sot, Ukraina ka një ushtri të fortë, mbështetje ndërkombëtare të paprecedentë, dhe besimin e ukrainasve në shtetin e tyre. Armiku duhet të ketë frikë nga ne.
KOHA: Cila mund të jetë zgjidhja pa konflikt të armatosur?
Boiko: Ne duam të besojmë se ekziston një zgjidhje diplomatike. Sepse përderisa diplomatët po flasin, armët po pushojnë. Mirëpo Rusia ka treguar se nuk është e gatshme për dialog. Propozime të tjera që kërkojnë të zbusin Rusinë në mënyra të ndryshme vështirë të jenë të realizueshme. Njëri prej propozimeve do të bënte presion mbi Ukrainën që të implementojë marrëveshjet e Minskut në një formë që Rusia do t’i pranonte. Partnerët tanë po thonë se do të ketë sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse Putini vendos të pushtojë – kundër eksporteve energjetike të Rusisë, kundër pjesëtarëve të elitës ruse, e gjithashtu edhe kundër institucioneve financiare ruse. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, dhe prandaj asnjë shtet anëtar i NATO-s nuk është i obliguar të vijë në mbrojtje në rast të një sulmi. Kjo situatë nuk është aksidentale – aleanca NATO nuk ka dëshirë të hyjë në luftë me Rusinë. Por Ukraina po kërkon një partneritet më të afërt me NATO-n. Edhe pse kjo aleancë nuk ka plane të zgjerimit tani për tani, ajo ka një politikë të gjatë të “derës së hapur”, që do të thotë se nëse vendos të pranojë anëtarë të rinj, do ta bëjë këtë. Për më tepër, NATO-ja është zotuar se Ukraina dhe Gjeorgjia do të jenë anëtare një ditë.