Botë

Kthimi në normalitet i Suedisë

Suedia ka ndalur testimin në shkallë të gjerë për COVID-19 edhe midis njerëzve që shfaqin simptoma të një infeksioni, duke iu dhënë fund vendeve të lëvizshme të tendave në sheshe të qytetit, qendrave të shtupës me makinë dhe testeve të dorëzuara në shtëpi që u bënë të kudogjendura gjatë pandemisë dhe siguroi të dhëna thelbësore për gjurmimin e përhapjes së saj.

Ky hap e vë kombin skandinav në kundërshtim me pjesën më të madhe të Evropës, por disa ekspertë thonë se mund të bëhet normë pasi testimi i kushtueshëm sjell më pak përfitime me variantin Omicron, që është lehtësisht i bartshëm, por më i butë dhe qeveritë kanë filluar ta konsiderojnë trajtimin e COVID-19 si sëmundjet e tjera endemike.

“Kemi arritur në një pikë ku kostoja dhe rëndësia e testimit nuk janë më të justifikueshme”, ka thënë shefi i agjencisë suedeze të shëndetit publik , Karin Tegmark Wisell në transmetimin kombëtar SVT.

“Nëse do të kishim testime të gjera të përshtatura për të gjithë ata që kanë COVID-19, kjo nënkupton se shpenzimet do të ishin afro 55 milionë dollarë në javë dhe 220 milionë dollarë në muaj, ka shtuar Tegmark Wisell.

Teste të shumta

Duke filluar nga e mërkura, vetëm punëtorët e kujdesit shëndetësor, ata të kujdesit për të moshuarit dhe ata që janë më të rrezikuar do të kenë të drejtën për testim PCR falas në rast se janë simptomatikë, ndërkaq pjesës tjetër të popullsisë do t’i kërkohet thjesht të qëndrojnë në shtëpi në qoftë se shfaqin simptoma që mund të jenë të COVID-19.

Testet antigjene janë lehtësisht të disponueshme për t’u blerë në supermarkete dhe farmaci, ama këto rezultate nuk raportohen tek autoritetet shëndetësore. Ofruesit privatë të kujdesit shëndetësor mund të kryejnë po ashtu teste dhe të ofrojnë certifikata për udhëtime ndërkombëtare, mirëpo kostoja nuk do të rimbursohet nga shteti a sigurimi shëndetësor.

Shkalla e lartë e vaksinimit në Suedi po krijon optimizëm mes zyrtarëve shëndetësorë, pasi një studim i fundit i vitit 2020 i publikuar të martën tregon për antitrupa të pranishëm në 85% të mostrave.

“Suedia po prin në këtë rrugë, e kombet e tjera në mënyrë të pashmangshme do ta ndjekin”, ka thënë dr. Bharat Pankhania, lektor i lartë klinik në Shkollën Mjekësore të Universitetit Exeter në Britani. “Nuk kemi më nevojë për testime të gjera, mirëpo, megjithatë, duhet të jemi më të kujdesshëm te spitalet, shtëpitë e të moshuarve dhe vende të tjera ku ka njerëz më të ndjeshëm”.

Në vitin 2021, vetëm rajoni i Stokholmit shpenzoi ekuivalentin e më shumë se 320 milionë dollarëve për testet PCR, para që qeveria thotë se mund të shpenzoheshin më mirë diku tjetër.

Për pjesën më të madhe të pandemisë, Suedia u dallua mes kombeve evropiane për reagimin e saj relativisht të qetë. Asnjëherë nuk u mbyll e as nuk i mbylli bizneset, duke u mbështetur kryesisht në përgjegjësinë individuale në kontrollimin e infeksioneve. Teksa vdekjet nga koronavirusi ishin të larta krahasuar me vendet e tjera nordike, ato ishin më të ulëta se në shumë vende të tjera në Evropë që zbatonin mbylljet.

Po ashtu, të mërkurën, vendi hoqi dorë nga kufijtë se sa njerëz mund të mblidhen në ndonjë ngjarje a restorante, certifikatat e vaksinave nuk kërkohen më dhe orët e reduktuara të funksionimit tashmë janë anuluar për baret dhe restorantet.

Fazë e re

Duke e shpallur rihapjen javën e kaluar, kryeministrja Magdalena Andersson ka thënë se “pandemia nuk ka mbaruar, por ka hyrë në një fazë krejtësisht të re” e derisa shkalla e infeksionit po rritet, më nuk po ndikon në rëndimin e spitaleve.

Kjo po shkon drejt asaj çka po ndodh në të gjithë Evropën kohët e fundit, ndërkohë që autoritetet lehtësojnë kufizimet e koronavirusit që kanë dominuar në kontinent për dy vjetët e fundit.

Megjithëkëtë, testimi mbetet i përhapur në kontinent, madje edhe për njerëzit që nuk tregojnë simptoma. Për shembull, nxënësve dhe mësuesve në Greqi u kërkohet që të testohen dy herë në javë, kurse shumë vende ende kërkojnë certifikatën e vaksinimit ose një test negativ për të hyrë në restorante, kinema e ambiente të tjera të brendshme.

Në Britani, në vend që t’i heqin të gjitha kërkesat e testimit, autoritetet po mbështeten në testim, përveç vaksinimit, në mënyrë që t’i ndihmojnë njerëzit të kthehen në jetën normale. Edhe pse ka zbutur shumicën e kufizimeve në fund të janarit, qeveria ka bërë të ditur që testimi mbeti “mjet jetik” për daljen nga pandemia dhe ka thënë se njerëzit e infektuar mund t’i japin fund izolimit të tyre pas vetëm pesë ditësh me dy rezultate negative në testet rapide.

Qeveria po ashtu i ka bërë testet e shpejta të disponueshme falas, duke përfshirë edhe shpërndarjen në shtëpi, ndërkaq njerëzit i inkurajoi ta testojnë veten para tubimeve që mund të jenë të rrezikshme, duke shpresuar se kjo do ta frenojë bartjen e COVID-19.

Disa ofrues të testeve laboratorike private për COVID-19 kanë parë një rënie të madhe kohët e fundit në numrin e njerëzve që kërkojnë teste pasi autoritetet britanike hoqën kërkesën që udhëtarët e vaksinuar ta tregojnë testin negativ.

“Po shohim më pak njerëz me COVID, dhe aq më pak njerëz që po testohen”, ka thënë Quinton Fiyelman, zyrtari kryesor shkencor i Laboratorit Mjekësor të Londrës, që është pa dyshim një shenjë e mirë, ani pse kjo do të thotë më pak kërkesë në atë treg”.

Danimarka të hënën ka bërë të ditur se numri i testeve PCR do të bjerë nga 500.000 në ditë në 200.000 për tu "përputhur me fazën aktuale të zhvillimit të epidemisë" dhe i gjithë kapaciteti falas i testimit të financuar nga Qeveria e Danimarkës do të mbyllet deri më 6 mars.

“Vaksinat dhe qasja e lehtë në teste kanë qenë armët tona të fuqishme daneze gjatë pandemisë”, ka thënë ministri danez i Shëndetësisë, Magnus Heunicke, muajin e kaluar, duke shtuar se kjo “ ka pasur ndikim pozitiv në pranimin e pacientëve në spitale, kurse tani na lejohet ta ulim shkallën e testimit”.