Botë

Pas dy vjetësh me kufij të mbyllur, Australia rihapet për udhëtarët përsëri

Australia të hënën ka njoftuar se do të rihapë kufijtë e saj për udhëtarët e vaksinuar këtë muaj, duke i dhënë fund dy vjetëve të krizës për sektorin e turizmit, duke ringjallur migrimin dhe duke injektuar miliarda dollarë në ekonominë e vendit.

Vendi kishte ndërmarrë hapa muajt e fundit për të lehtësuar kontrollet kufitare, si lejimi i migrantëve dhe aranzhimet e udhëtimit pa karantinë me vende të caktuara, si Zelanda e Re.

Por rihapja, e cila hyn në fuqi më 21 shkurt, lejon herën e parë që nga marsi 2020 që njerëzit të mund të udhëtojnë në Australi nga kudo në botë për sa kohë që janë të vaksinuar.

"Nëse jeni i vaksinuar dyfish, ne mezi presim t'ju mirëpresim përsëri në Australi," tha kryeministri Scott Morrison, në një konferencë për media në Canberra, raporton Reuters.

Si kudo në botë, rastet pozitive me COVID janë rritur në javët e fundit edhe në Australi për shkak të variantit Omicron, për të cilin ekspertët mjekësorë thonë se mund të jetë më i transmetueshëm.

Por, me më shumë se nëntë në 10 australianë të moshës mbi 16 vjeç të vaksinuar plotësisht, rastet e reja dhe shtrimet në spital duket se janë ngadalësuar, thonë autoritetet.

Rreth 2.4 milionë raste janë regjistruar në Australi që kur rasti i parë Omicron u zbulua në këtë vend gjatë muajit nëntor. Deri atëherë, Australia kishte numëruar vetëm rreth 200,000 raste. Vdekjet totale janë 4,248 që nga fillimi i pandemisë.