Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Evropa duhet të diversifikojë furnizimet e saj me energji, pasi Britani paralajmëroi se është e mundshme që Rusia, furnizuesi kryesor i gazit natyror, të tentojë të pushtojë Ukrainën.
"Ne jemi të shqetësuar për situatën energjetike në Evropë, sepse ajo tregon cenueshmërinë e të qenit shumë të varur nga një furnizues i gazit natyror dhe kjo është arsyeja pse aleatët e NATO-s bien dakord se ne duhet të punojmë dhe të fokusohemi në diversifikimin e furnizimeve", tha Stoltenberg.
Derisa NATO ka shprehur shqetësimin për cenueshmërinë energjetike të Evropës, Moska zyrtare mohon se po planifikon një pushtim, teksa të dielën tha se do t’i kërkojë NATO-s të sqarojë nëse synon të zbatojë angazhimet kryesore të sigurisë.
“Nëse nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë, atëherë duhet të shpjegojnë pse”, tha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, në televizionin shtetëror. "Kjo do të jetë një pyetje kyçe në përcaktimin e propozimeve tona të ardhshme”, shtoi ai, raporton “The Guardian”.
Bashkimi Evropian varet nga Rusia për rreth një të tretën e furnizimeve të saj me gaz dhe çdo ndërprerje do të përkeqësonte një krizë ekzistuese energjetike të shkaktuar nga një mungesë.
Stoltenburg njoftoi se kjo organizata paqeruajtëse nuk kishte plane për të vendosur trupa luftarake në Ukrainën jo-anëtare të NATO-s në rast të një pushtimi rus, duke thënë se janë të fokusuar në ofrimin e mbështetjes.