Rusia nuk ka grumbulluar forca të mjaftueshme për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës, ka thënë të mërkurën Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pas kërcënimit të ministrit të jashtëm rus, Sergey Lavrov, për “masa të duhura të reagimit nëse Perëndimi vazhdon agresivitetin”.
Kuleba tha para gazetarëve në Kiev se trupat ruse mund të sulmonin Ukrainën në çdo kohë, siç kishte ndodhur që nga viti 2014 kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës, por aktualisht nuk do të ishte në gjendje të kryente një ofensivë të plotë.
"Numri i trupave ruse të grumbulluara përgjatë kufirit të Ukrainës dhe në territoret e pushtuara është i madh, ai përbën një kërcënim, një kërcënim të drejtpërdrejtë për Ukrainën. Megjithatë, ky numër është i pamjaftueshëm për një ofensivë të plotë përgjatë gjithë kufirit ukrainas. Atyre u mungojnë gjithashtu disa tregues dhe sisteme të rëndësishme ushtarake për të kryer një ofensivë kaq të madhe në shkallë të plotë”, tha ai. "Mund të themi se pushtimi është i pashmangshëm, por kjo nuk e ndryshon situatën në terren”, shtoi Kuleba, raporton CNN.
Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të destabilizojë vendin përpara çdo pushtimi të planifikuar ushtarak. Fuqitë perëndimore e kanë paralajmëruar vazhdimisht Rusinë kundër lëvizjeve të mëtejshme agresive ndaj Ukrainës.
Kuleba u tha gazetarëve se një pushtim ushtarak nuk është kërcënimi i vetëm për Ukrainën.
"Ne shohim një skenar të destabilizimit të Ukrainës dhe ai skenar është i pashmangshëm, tashmë po ndodh, duke përhapur panik, duke ushtruar presion mbi sistemin financiar të Ukrainës dhe duke kryer sulme kibernetike kundër Ukrainës”, tha ai. “Unë jam i sigurt se presidenti Putin do të ishte i lumtur ta shihte këtë plan të ketë sukses, kështu që ai nuk duhet as të përdorë forcën ushtarake për ta vënë Ukrainën në një pozitë jashtëzakonisht të cenueshme”.
Ministri i Jashtëm ukrainas tha se prioriteti numër një sot është që të mbahen gjërat nën kontroll, të jenë realistë në vlerësimin e kërcënimit të menjëhershëm duke mos zvogëluar kërcënimin e pushtimit të mundshëm ushtarak”.