Botë

Bora shkaktoi kaos në Turqi e Greqi, raportohet për dy të vdekur, zhbllokohen shoferët e ngujuar

Descriptive Text

Forcat e shpëtimit në Stamboll e Athinë kanë arritur të shpëtojnë mijëra persona që kishin mbetur të ngujuar në vetura pasi stuhia e borës dhe i ftohti masiv goditi Turqinë dhe Greqinë, duke i bllokuar ato. Dy vdekje u raportuan në lidhje me këtë stuhi, njofton AP. 

Autostradat dhe rrugët në Stamboll u mbuluan nga bora të hënën, pasi ra më tepër se 80 centimetra borë në disa zona. Shoferët kaluan natën në vetura, disa braktisën veturat dhe ecën në këmbë për në shtëpi apo në drejtim të transportit publik.

Gjitha autostradat e rrugët kryesore në Stamboll u rihapën të martën pasdite, ka njoftuar ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Turqisë, Adil Karaismailoglu në Twitter.

Ndërkohë kryetari i Stambollit, Ali Yerlikaya, ka thënë se janë hequr kufizimet e udhëtimeve me vetura në Stamboll.

Po ashtu u pastrua pista në aeroportin e Stambollit të martën, duke lejuar rikthimin e fluturimeve.

Fluturimet ishin pezulluar të hënën për arsye sigurie.

Qindra pasagjerë që mbetën të ngujuar në aeroportin e Stambollit thërrisnin “na duhet hotel”, në një protestë, ndërsa u ftua Policia.

Huand Mahperi, që postoi videon e protestës në Twitter, tha se protesta nisi pasi morën informata jo të sakta dhe u tha se gjitha fluturimet e Turkish Airlines janë anuluar deri në mesnatë.

Në Athinë, forcat e shpëtimit shpëtuan deri 300 shoferë që kishin mbetur të ngujuar në autostradën që lidh kryeqendrën me aeroportin ndërkombëtar të qytetit.

Shoferët u desh të braktisnin veturat e të ecnin për në shtëpi. Disa të tjerë shkuan në stacionin e trenit në afërsi, pasi kaluan natën e të hënës në vetura. Shërbimet e trenit po ashtu u pezulluan, por u dërgua një tren të martën për të marrë qytetarët e ngujuar.

Po ashtu Ushtria dërgoi ushqim, ujë e batanije për të ndihmuar personat e po ashtu për të liruar shumë prej të ngujuarve. Zyrtarët thanë se secili shofer që mbeti i ngujuar do të marrë nga 2000 euro kompensim, të cilën e pranoi administrata e autostradës.

“Ishte natë shumë e vështirë dhe u përballëm me kushte të paprecedent. Dua sërish të shprehi keqardhjen time e të kërkoj falje për gjitha vështirësitë me të cilat u përballën shoferët e ngujuar”, ka thënë ministri grek për Mbrojtje Civile dhe Ndryshime Klimatike, Christos Stylianides.

Të martën, bora e madhe ndaloi, por rrugët në Athinë mbesin kryesisht të bllokuara nga pemët që kanë rënë, ndërsa disa lagje në pjesën veriore kanë mbetur pa energji elektrike.

Autoritetet greke kanë urdhëruar që të gjitha, me përjashtim të bizneseve esenciale të mbyllen sot, e po ashtu ky pushim është zgjatur edhe të mërkurën për pjesën më të madhe të Athinës e disa rajoneve tjera.

Në Selanik, policia ka thënë se një i pastrehë është gjetur i vdekur të martën. Autoritetet lokale kanë thënë se 60-vjeçari ka refuzuar të rivendosej në një strehë.

Në Turqi, autoritetet kanë zbuluar trupin e pajetë të një 34-vjeçari që dyshohet se ka vdekur nga bora e madhe, ndërsa po tentonte të arrinte në fshatin e tij në provincën Amasya, 326 kilometra në veriperëndim të Ankaras.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, ka thënë se bora e madhe rreth Stambollit do të vazhdojë deri të enjten, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin me vetura. Ai ka thënë se shumica e veturave që mbetën të bllokuara nuk kishin goma dimri.

Ballkani është goditur nga një mot i ftohtë, ku temperaturat kanë rënë dukshëm në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Kroaci.

Autoritetet në Mal të Zi kanë njoftuar se është regjistruar temperaturat më e ulët ndonjëherë në këtë vend. Në fshatin Kosanica është regjistruar temperaturë minus 33.2 gradë Celsius. Në Bosnjë, akulli është formuar në lumin Miljacka pasi temperaturat në Sarajevë ranë në minus 15 gradë Celsius të martën.