Botë

E mbijetuara e sulmit të Bataclanit gjen rëntgenin e saj të vendosur në shitje online si NFT

Një kirurg francez përballet me masa ligjore pasi tentoi të shiste rëntgenin e një prej pacienteve të saj si vepër arti digjitale pa pajtimin e saj, raporton BBC.

Kirurgu në spitalin e Parisit, kishte vendosur imazhin e parakrahut të një gruaje me plumbin e kallashnikovit që shihej afër ashtit të saj, në shitje online si “NFT”.

Në atë postim thuhej se ajo ishte qëlluar në dorë gjatë sulmit të vitit 2015 në Bataclan në Paris ku u vranë 130 persona.

Emmanuel Masmejean tash përballet me akuza.

Masmejean punon në spitalin “Georges Pompidou”, në përshkrimin e tij në faqen e NFT-së kishte thënë se gruaja e re kishte humbur të dashurin gjatë masakrës të vitit 2015 në Paris, për të cilën u akuzuan përkrahësit e Shtetit Islamik.

Masmejean ka pranuar se shitja ishte gabim dhe se është penduar se nuk ka marrë leje nga pacientja.

NFT, janë tokena të pakëmbyeshëm, ndërsa njihen si koleksione digjitale të veçanta që nuk mund të shumëzohen. Ato nuk kanë një prani fizike, si pikturat apo skulpturat. Por, token është më tepër si një certifikatë pronësie.

Kritikët argumentojnë se tokenat kanë pak vlerë reale dhe tregojnë për mashtrime të zgjeruara të një industrie të re të parregulluar, si krijimi i NFT-ve të artit që shitësi në fakt nuk është pronar i tyre.

Në rastin aktual, NFT e rëntgenit të gruas që ishte vënë në shitje në OpenSea – një nga faqet më të popullarizuara të tregtimit të NFT-ve – u vendos në shitje për 2446 euro.

Që nga atëherë u tërhoq nga shitja.

Avokati i gruas tha se ajo është e shokuar nga zbulimi se çfarë kishte ndodhur. Gruaja ka dashur të mbetet anonime.