Me më shumë se 100 mijë ushtarë rusë të mbledhur në afërsi të Ukrainës, shumica frikësohen se Moska është duke u bërë gati për pushtim, ani pse Rusia e ka refuzuar këtë. SHBA-ja dhe aleatët e saj janë duke tentuar të prezantojnë një front të përbashkët për të parandaluar këtë ose për të koordinuar një reagim më të ashpër nëse dështon diplomacia
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë tentuar të ulin temperaturat në krizën e nxehtë në lidhje me Ukrainën, ani pse palët nuk raportuan për ndonjë sukses në bisedimet e së premtes që kishin për qëllim parandalimin e pushtimit rus.
Të armatosur me qëndrime krejt të kundërta, sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, u takuan në Gjenevë për gati 90 minuta, në atë që amerikanët e cilësuan si “moment kritik”.
Mirëpo nuk kishte lëvizje të dukshme nga asnjëra palë. Blinkeni ka thënë se SHBA-ja dhe aleatët e saj mbesin të qëndrimit për refuzimin e shumicës së kërkesave të Rusisë.
Për më shumë, Blinkeni i ka thënë Lavrovit se SHBA-ja do t’ia dorëzojë Rusisë një reagim të shkruar në lidhje me propozimet dhe me gjasë dy zyrtarët e lartë do të takohen menjëherë pas kësaj letre amerikane.
Me më shumë se 100 mijë ushtarë rusë të mbledhur në afërsi të Ukrainës shumica frikësohen se Moska është duke u bërë gati për pushtim, ani pse Rusia e ka refuzuar këtë. SHBA-ja dhe aleatët e saj janë duke tentuar të prezantojnë një front të përbashkët për të parandaluar këtë ose për të koordinuar një reagim më të ashpër nëse dështon diplomacia.
“Nuk kemi pritur ndonjë të arritur të madhe sot, por besoj se tani kemi një rrugë më të qartë për të kuptuar qëndrimet tona”, ka thënë Blinkeni pas takimit.
Blinkeni ka thënë se Lavrovi ka përsëritur qëndrimet se Rusia nuk ka në plan të pushtojë Ukrainën, por ka theksuar se SHBA-ja dhe aleatët nuk janë të bindur me këtë qëndrim.
“Ne shikojmë atë çfarë është e qartë, veprat dhe aksionet dhe jo fjalët që bëjnë dallimin”, ka thënë ai, duke shtuar se Rusia duhet të largojë ushtrinë nga kufiri nëse dëshiron të qartësojë qëndrimet e veta.
Ndërkohë Lavrovi bisedimet i ka cilësuar si konstruktive dhe ka thënë se SHBA-ja është pajtuar të ofrojë një reagim të shkruar në lidhje me kërkesat ruse për Ukrainën dhe NATO-n gjatë javës së ardhshme. Kjo, së paku, mund të shtyjë çfarëdo agresioni për pak ditë.
Mirëpo Lavrovi ka refuzuar të karakterizojë premtimin amerikan.
“Nuk mund të them nëse jemi në rrugën e duhur apo jo. Do ta kuptojmë pasi të pranojmë reagimin e shkruar të SHBA-së në lidhje me propozimet tona”, ka thënë Lavrov.
Kërkesat e Moskës
Moska ka kërkuar që aleanca e NATO-s të premtojë se Ukraina, ish-republikë sovjetike, kurrë nuk do të anëtarësohet në Aleancë. Gjithashtu dëshiron që Perëndimi të largojë ushtrinë dhe pajisjet ushtarake nga pjesë të Evropës Lindore.
SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar shumicën e kërkesave dhe kanë deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, e di se janë kërkesa të pabaza. Kanë thënë se janë të hapura për lëvizje më pak dramatike.
Blinkeni ka thënë se SHBA-ja është e hapur për një takim mes Putinit dhe presidentit amerikan, Joe Biden, nëse do të ishte produktiv. Dy liderët janë takuar fizikisht në Gjenevë dhe në muajt e fundit kanë zhvilluar bisedime virtuale në lidhje me krizën në Ukrainë.
Washintgoni dhe aleatët e tij vazhdimisht kanë përmendur pasoja, siç janë sanksionet ekonomike, ani pse jo veprime ushtarake – kundër Rusisë, nëse ndodh pushtimi i Ukrainës.
Këtë kërcënim e përsëriti Blinkeni edhe të premten. Ka thënë se SHBA-ja është e angazhuar në diplomaci, por nëse kjo është e pamundur dhe Rusia vendos të jetë agresive ndaj Ukrainës, atëherë do të ketë reagim më të unifikuar”.
Mirëpo ai ka thënë se takimin e ka shfrytëzuar si mundësi që direkt t’ia përmendë Lavrovit disa ide për të adresuar shqetësimet amerikane dhe shqetësimet e thella që amerikanë kanë në lidhje me veprimet e Rusisë.
Ukraina veçse është përfshirë në konflikt. Rusia e Putinit ka marrë kontrollin e Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe ka përkrahur separatistët në lindje të vendit. Ky konflikt ka marrë jetën e 14 mijë njerëzve. Putini në atë kohë është përballur me pasoja të zbehta, por Perëndimi ka thënë se pushtimi i ri mund të jetë ndryshe.
Sanksionet amerikane
Pak para takimit me Lavrovin, Blinkeni u takua me presidentin e Ukrainës në Kiev. Duke përsëritur kërcënimet verbale karshi Rusisë, SHBA-ja ka ashpërsuar sanksionet të enjten. Departamenti i Thesarit të SHBA-së ka vendosur sanksione ndaj katër zyrtarëve ukrainas. Blinkeni ka thënë se këta zyrtarë ishin kryesorët në tentimet e Kremlinit për të dëmtuar aftësinë e Ukrainës që të veprojë e pavarur.
Ministria e Jashtme ruse riafirmoi kërkesat të premten se NATO-ja nuk duhet zgjeruar në Ukrainë, që të mos ketë armatim të Aleancës në afërsi me kufijtë e Rusisë dhe se forcat e NATO-së duhet të tërhiqen nga Evropa Qendrore dhe Lindore.
Ndërkohë Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar tri deklarata, dy në lidhje me keqinformimet ruse, sidomos për Ukrainën, dhe një tjetër me të cilën shpërfaqte fushatën e destabilizimit të Ukrainës. Në dokumente akuzohej Rusia dhe Putini se po tentojnë të ngjallin ish-Bashkimin Sovjetik me forcë.
Ministria e Jashtme e Rusisë është tallur me këto deklarata, duke thënë se kanë mundur të shkruhen nga “Ministria orwelliane e vërtetës”. I ka hedhur poshtë edhe Lavrovi.
“Shpresoj se jo të gjithë në Departamentin e Shtetit janë duke punuar në këto materiale dhe se dikush është duke punuar në lidhje me propozimet tona”, ka thënë Lavrovi.
Ministria gjithashtu ka mohuar qëndrimet e Perëndimit se Moska është duke tentuar të rikrijojë perandorinë sovjetike, duke rritur ndikimin në Evropën Lindore.
Rusia të enjten ka akuzuar Perëndimin se po nxit provokime në Ukrainë. Këtë e ka arsyetuar me shpërndarjen e armatimit në Ukrainë nga aeroplanët ushtarakë të Britanisë në ditët e fundit.