Botë

Frika për luftë

Ukrainasit që jetojnë në afërsi të vijës së parë të frontit në lindje të shtetit, kanë mirëpritur përkrahjen amerikane në kohën kur po kërcënohen nga pushtimi i Rusisë. Forcat ukrainase kanë vazhduar ushtrimet ushtarake edhe të premten, teksa 100 mijë ushtarë rusë janë mbledhur matanë kufirit.

Ukrainasit i frikësohen pushtimit nga Moska, teksa SHBA-ja dhe aleatët e saj po tentojnë të bëhen bashkë për të parandaluar pushtimin rus.

SHBA-ja dhe Rusia kanë tentuar të ulin temperaturat në krizën për Ukrainën, me takimin e zhvilluar të premten mes sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ushtarët ukrainas takimin mes SHBA-së dhe Rusisë e kanë cilësuar si fakt që tregon se Ukraina nuk është e vetme në këtë krizë.

Ndërkaq, shumë të tjerë janë të mendimit se krizës nuk mund t’i japin fund njerëzit e zakonshëm, por politikanët.

Rusia ka mohuar planet për pushtim dhe ka akuzuar Perëndimin se po nxit provokime në Ukrainë me armatosjen e këtij shteti.

Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014. Në të njëjtën kohë ka përkrahur separatistët rusë që kanë kontrollin e pjesës më të madhe të lindjes në Ukrainë. Në tetë vjetët e luftës në këtë pjesë të Ukrainës janë vrarë më shumë se 14 mijë persona.