Botë

Çka synon Putini në Europë?

Sipas një analize të gazetës gjermane “Die Zeit”, lideri rus ka për qëllim jo vetëm të frikësojë Ukrainën, por të dominojë kudo në Europë, duke e larguar ndikimin e SHBA-ve. A do t’ia dalë?

■ Vladimir Putini ka urdhëruar rreth 100 mijë ushtarë të stacionohen në kufi me Ukrainën. Për herë të parë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, Europa gjendet para një krize të thellë, disa vëzhgues madje nuk përjashtojnë një luftë mes Rusisë agresore dhe Perëndimit.

■ Rusia, sipas gazetës gjermane “Die Zeit”, po kërkon garanci që NATO të mos zgjerohet më, që SHBA-të të tërheqin armët e tyre bërthamore nga Europa dhe të mos zhvillojnë manovra afër kufirit me Rusinë.

■ Putini vazhdimisht ankohet se NATO e ka rrethuar Rusinë. Nëse shikohet harta, kjo është e pavërtetë. Për herë të fundit NATO është zgjeruar para 18 viteve. Prej 57’680 kilometrash kufij të jashtëm, Rusia i ndan vetëm 800 me shtetet anëtare të NATO-s: Norvegjinë, Estoninë dhe Letoninë. Polonia dhe Lituania kufizohen për 400 kilometra me eksklavën ruse Kaliningrad.

■ Putini ka plane të gjera për të dobësuar Perëndimin. Bindja e tij është se Perëndimi gjendet në një fazë të dobësisë. Qëllimi i shefit të Kremlinit është vendosja e një rendi të ri në Europë, pa SHBA-të. Për të realizuar këtë plan, atë e ndihmojnë shërbimet sekrete, ushtria, makineria e propagandës. Putin nuk udhëheq një shtet të vogël, por një superfuqi nukleare, e cila po e shqetëson Europën pas gati 30 vitesh qetësi relative në kontinent.

■ Fundin e Bashkimit Sovjetik Putini e ka quajtur “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të”. Në një intervistë në vitin 2017 Putin i ka quajtur vitet 90-të një “pus të turbullt”, “në të cilin oligarkët mund të zinin peshqit e artë”. Tani oligarkët vazhdojnë të zënë peshq të artë, por të gjithë janë nën kontrollin e Putinit.

■ Sipas analistit të “Die Zeit”, Michael Thumann, Putini e ka ndryshuar Rusinë, duke futur gati çdo gjë nën kontroll. Vala e parë e represionit i goditi kanalet informative me shtrirje në mbarë vendin, vala e dytë gazetat e mëdha, pastaj platformat e internetit dhe tani gazetarët e pavarur.

■ Para një viti u arrestua politikani opozitar Aleksej Navalni. Më parë ai ishte helmuar gjatë një fluturimi nga një qytet provincial rus në Moskë. Fondacioni i Navalnit, i cili ka dokumentuar korrupsionin, është shkatërruar, bashkëpunëtorët e tij janë shpërndarë nëpër botë. Vetëm vitin e kaluar 1500 gazetarë dhe aktivistë politikë kanë braktisur Rusinë. Historianët kritikë gjenden në burg. Është ndaluar edhe organizata Memorial, e cila dokumentonte tmerret staliniste.

■ Atë që Putini nuk e thotë publikisht, e thonë pëshpëritësit e tij. Njëri ndër ta, Sergej Karaganov, deklaroi së fundi: “Kemi të bëjmë me një Perëndim i cili po turret kundër humbjes së pozicionit të tij”. Karaganov është i bindur se një Luftë të re të Ftohtë do ta fitonte Rusia. “Kina është në anën e Rusisë, populli rus është i ngopur dhe Rusia e ka në dorë të vërtetën përballë Perëndimit moralisht të diskredituar”, thotë ai.

■ Samiti në Gjenevë me presidentin amerikan Joe Biden gjatë verës duket se e bindi Putinin se ai është më i fuqishëm. Që nga atëherë Biden ka marrë tatëpjetën. Partia e tij është e përçarë, reformat po stagnojnë, tërheqja nga Afganistani ishte katastrofale. Bashkimi Europian pothuaj nuk po merret seriozisht në Moskë. Kancelari i ri gjerman duket se ende ka nevojë të orientohet. Shumë vende të Europës varen nga gazi rus, mbi gjysma e importeve gjermane vijnë nga Rusia. Franca gjatë kryesimit të BE-së gjendet në fushatë elektorale.

■ Pas reformave 10-vjeçare ushtria ruse është shndërruar në një fuqi goditëse, tejet mobile dhe teknologjikisht të përparuar. Kjo ushtri është financiarisht e pajisur mirë dhe e ushtruar në disa luftëra në Siri, në Ukrainë, në Kaukaz. Supozimi në Perëndim se Putini nuk ka para për aventura ushtarake është i gabuar. Arka e Putinit është e mbushur mirë: rezervat devizore ruse arrijnë shumën prej 630 miliardë dollarë, çmimet e larta të energjisë po sjellin edhe më tutje para në buxhetin rus.

■ Në televizionin rus këshilltarët e Kremlinit dhe komentatorët me ndikim po pëlcasin nga vetëbesimi. Për shembull komentatori ushtarak Igor Koroçenko, i cili së fundi bëri thirrje që Rusia ta “kap Europën për gjinjsh”. “Ata duhet ta ndiejnë dorën tonë të ashpër dhe ne pulsin e tyre të frikës”, tha Koroçenko. Sipas tij faktori ushtarak përcakton marrëdhëniet ndërkombëtare. Propagandisti i Kremlinit Vladimir Solovjov të dielën e kaluar eskaloi me pyetjen: “Kush po thotë se nuk fitohet një luftë bërthamore?” Këto çmenduri të kalkuluara rusët i dëgjojnë pandërprerë. Njëherë, para pesë vitesh, Putini duke folur para Shoqatës së Gjeografëve të Rusisë tha se “kufijtë e Rusisë nuk përfundojnë askund”. Duket se Putini tani e sheh momentin e përshtatshëm për të sulmuar Ukrainën.

■ Putini nuk dëshiron kthimin në Luftën e Ftohtë me aleanca të qarta dhe marrëveshje. Ai synon të ecën përpara në një sistem parregullsish të shekullit të 21-të, ku luajnë rol vetëm forca ushtarake dhe uniteti kombëtar.

■ Me taktikën e tij Putini ndjek një maksimë të njohur ruse: “Kush na e ka frikën, ai na respekton”. Sipas një ankete të Fondacionit Opinioni Publik, 86 për qind e rusëve besojnë se bota “i frikësohet” Rusisë. Gati tri të katërtat thonë se Rusia “respektohet”. Adhurimi për Rusinë apo besimi ndaj Rusisë nuk synohen.

■ Revolta kundër rendit të viteve 90-të po e përfshinë mbarë Europën, të cilën Putini dhe elitat ruse duan ta çlirojnë nga Amerika. Konstantin Kosaçevi, zëvendëskryetar i Këshillit Federal dhe njëri nga politikanët më me ndikim në politikën e jashtme, tha në fillim të javës se Europa i “është nënshtruar vullnetit të huaj”: “Europa, ajo është edhe kontinenti ynë, të cilën duan të na e marrin. Pikërisht ne jemi modeli i ardhshëm i Europës – një kontinenti të bashkuar, sovran nga Lisbona në Vladivostok”.

■ Kërkesa ruse për ndalimin e zgjerimit të NATO-s nuk drejtohet vetëm kundër Ukrainës, e cila pothuaj nuk ka gjasa për anëtarësim. Këtë e di Putini. Bëhet fjalë para së gjithash për vendet e BE-së, Finlandën dhe Suedinë apo Austrinë, të cilat, sipas Moskës, nuk guxojnë të anëtarësohen. Putini synon t’i largojë ato nga ndikimi amerikan dhe dalëngadalë ta zëvendësojë Amerikën si fuqi mbrojtëse të kontinentit. Plotësimi i kërkesës ruse për largimin e armëve bërthamore amerikane nga Europa do të ishte fundi i garancisë amerikane për mbrojtje nukleare të Europës.

■ Në një emision dokumentar rus Putini thotë se SHBA-të duan të qëndrojnë në krye të piedestalit dhe po mbahen me thonj aty, “por shumë ekspertë e kuptojnë se kjo nuk është më e mundshme”. Sipas Putinit SHBA-të duhet të lirojnë vendin “me dinjitet, me bindje dhe pa histeri”.

■ Në Moskë, shkruan “Die Zeit”, po qarkullon një fjali e Putinit, të cilën ai e ka thënë tri vite më herët gjatë një bisede me politikanin liberal opozitar Grigori Javlinski. Javlinski e kishte pyetur Putinin nëse e dinte se politika e tij e jashtme çon në luftë. “Po”, thuhet të jetë përgjigjur Putini, “dhe ne do ta fitojmë atë”.

Përgatiti:

Enver Robelli