Botë

Serbia anulon lejet e minierës së litiumit për kompaninë anglo-australiane

Serbia ka tërhequr licencat e kërkimit të kompanisë anglo-australiane të minierave Rio Tinto, pas disa javësh protestash mbi planet për një minierë litiumi.

"Të gjitha lejet u anuluan. Ne i dhamë fund Rio Tintos në Serbi”, ka thënë kryeministrja serbe, Ana Brnabiq të enjten.

Vendimi vjen vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në prill.

Marrëdhëniet midis Beogradit dhe Kanberrës janë përkeqësuar gjithashtu kohët e fundit lidhur me trajtimin dhe dëbimin nga Australia të yllit serb të tenisit, Novak Gjokoviq.

Gjokoviq, tenisti numër një në botë për meshkuj, i cili nuk ishte në gjendje të garonte në Australian Open, ka mbështetur protestat kundër minierës së diskutueshme.

Në dhjetor, ai postoi imazhe në mediat sociale të demonstruesve dhe peizazheve të gjelbërta së bashku me komente të shkruara në serbisht si "ajri dhe uji i pastër janë çelësat e shëndetit" dhe "natyra është nëna jonë".

Mijëra demonstrues kanë dalë në rrugë muajt e fundit, duke bllokuar rrugët kryesore në disa qytete, duke përfshirë kryeqytetin Beogradin dhe qytetin e dytë më të madh të vendit, Novi Sad.

Ata thonë se zhvillimi i një miniere të madhe pranë qytetit të Loznicës në luginën perëndimore të Jadarit, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në peizazh dhe të kontaminojë furnizimin me ujë të rajonit.

Rio Tinto kishte thënë më parë se çdo zhvillim minerar në vend do të përmbushte standardet mjedisore të brendshme dhe të Bashkimit Evropian.

Duke folur në një konferencë shtypi në Beograd të enjten, Bërnabiq ka thënë se vendimi për të braktisur minierën e litiumit Jadar prej 2.4 miliardë dollarësh, u mor në përgjigje të kërkesave nga grupet mjedisore.

Projekti duhej të fillonte prodhimin në vitin 2027.

Aksionet e Rio Tinto ranë në Australi pas lajmeve dhe ranë më shumë se 4% pas hapjes së tregjeve në Londër.