Botë

Zelensky i kundërpërgjigjet Bidenit: S’ka ndërhyrje të vogla

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj komenteve të bëra nga homologu i tij amerikan Joe Biden për një "inkursion të vogël" të Rusisë në vendin e tij.

Bideni, në një konferencë për media të mërkurën, kishte sugjeruar se një sulm "i vogël" mund të sjellë një përgjigje më të dobët nga SHBA-ja dhe aleatët e saj.

Por Zelensky ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se s’ka ndërhyrje të vogla e as viktima të vogla.

"Nuk ka ndërhyrje të vogla. Ashtu siç nuk ka viktima të vogla dhe pikëllim të vogël nga humbja e njerëzve të dashur", ka shkruar Zenelsky.

Rusia ka rreth 100,000 trupa pranë kufirit, por mohon planifikimin e një pushtimi të Ukrainës.

Presidenti Vladimir Putin i ka bërë një sërë kërkesash perëndimit, duke këmbëngulur se Ukraina nuk duhet të lejohet kurrë të bashkohet me NATO-n dhe se aleanca mbrojtëse braktis aktivitetin ushtarak në Evropën Lindore.