Botë

Tre ishuj të Tongës me dëmtime serioze nga cunami, 80% e popullsisë e prekur

Descriptive Text

Tre nga ishujt më të vegjël të Tongës pësuan dëmtime serioze nga valët e cunamit, ndërsa ka filluar të shfaqet një pamje më e gjerë e shkatërrimit të shkaktuar nga shpërthimi i një vullkani nënujor.

Zyrtarët humanitar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara raportojnë se rreth 84,000 njerëz, më shumë se 80 për qind e popullsisë së Tongës, janë ndikuar nga shpërthimi i vullkanit, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric, teksa bëri të ditur për tret ë vdekur, lëndime të shumta dhe humbje të shtëpive.

Komunikimet janë ndërprerë në të gjithë Tongën që nga shpërthimi i së shtunës, por një anije arriti në ishujt periferikë të Nomuka, Mango dhe Fonoifua të mërkurën, duke raportuar se pak shtëpi mbeten të pashkatërruara pasi vendbanimet u goditën nga dallgët 15 metra të larta, raporton Euronews.

“Informacione jo të mira kanë dalë në dritë brenda natës për tre ishujt për të cilët ishim vërtet të shqetësuar. Që të gjithë kanë pësuar pasoja shkatërruese si pasojë e këtyre valëve në hyrje”, tha Katie Greenwood, nga delegacioni rajonal i Kryqit të Kuq. "Shumica e strukturave dhe banesave në ato ishuj janë shkatërruar plotësisht. Të gjitha shtëpitë me sa duket janë shkatërruar në ishullin Mango dhe vetëm dy shtëpi kanë mbetur në ishullin Fonoifua, me dëme të mëdha të raportuara në Nomuka", tha Dujarric.

Ai më tej tha se evakuimet janë duke u zhvilluar për njerëzit nga ishujt.