Botë

Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e ambasadorit italian në Kongo

Dy persona të dyshuar janë arrestuar në Republikën Demokratike të Kongos për vrasje e ambasadorit Italian, Luca Attanasio dhe dy personave të tjerë në shkurt të vitit të kaluar.

Policia në Kongon Lindore ka njoftuar të martën për këto arrestime, teksa ka shtuar se i dyshuari kryesor i referuar si “Aspirant”, mbetet i lirë, raporton Euronews.

Komisioneri për provincën Kivu Veriore, akuzoi të dyshuarit për vrasjen e ambasadorit Attanasio për një përpjekje të dështuar për ta rrëmbyer atë për shpërblim.

Rrëmbyesit dyshohet se kërkonin më shumë se një milion dollar si shpërblim.

43-vjeçari u qëllua për vdekje gjatë një prite, bashkë me oficerin paraushtarak të OKB-së, Vittorio Iakovacci dhe vozitësin e automjetit, Moustapha Milambo.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se kur mund të zhvillohet një gjyq.