Botë

Kthimi i talebanëve ua kthen të zezat grave afgane

“Problemet më të mëdha janë ato financiare”, tha Zaigul, ndërsa u ul në dyshemenë e shtëpisë së saj njëdhomëshe, së bashku me fëmijët e saj. “Mund të jetoni pa liri, por nuk mund të jetoni kur nuk keni për të ngrënë”, tha ajo për “Al-Jazeeran”

Për Zaigulin, amvise 32-vjeçare, e cila jeton në kampin “Nasaji” pranë kryeqytetit Kabul, jeta ka qenë e vështirë edhe para marrjes së pushtetit nga talebanët më 15 gusht të vitit të kaluar.

Ajo punonte si shërbëtore, ndërsa burri i saj, Nasir, punonte në kantiere ndërtimi dhe kështu fitonin pak para, por jo më. Që nga kthimi i talebanëve në pushtet, vendi është zhytur në krizë të thellë ekonomike, bankave po u mbarojnë paratë e gatshme dhe punonjësit e shtetit vuajnë nga pagat e pamarra prej muajsh, kanë treguar për “Al-Jazeeran”.

Ngrirja e miliarda dollarëve të aseteve afgane nga SHBA-ja dhe pezullimi i fondeve nga institucionet financiare ndërkombëtare, kanë shkaktuar thuajse një shkatërrim të sistemit ekonomik tashmë të dëmtuar nga lufta dhe okupimi prej dekadash. Ashtu si miliona afganë të tjerë, Zaigul, është e papunësuar pasi shumica e aktiviteteve ekonomike janë bllokuar pas rënies së qeverisë së presidentit Ashraf Ghani të mbështetur nga Perëndimi dhe tërheqjes së forcave amerikane në gusht.

“Problemet më të mëdha janë ato financiare”, tha Zaigul, ndërsa u ul në dyshemenë e shtëpisë së saj njëdhomëshe, së bashku me fëmijët e saj. “Mund të jetoni pa liri, por nuk mund të jetoni kur nuk keni për të ngrënë”, tha ajo për “Al-Jazeeran”.

Gjysma e afganëve në prag të katastrofës humanitare

Kombet e Bashkuara thanë se rreth 22 milionë njerëz, pra më shumë se gjysma e popullsisë së Afganistanit, përballen me urinë. Duhen 5 miliardë dollarë ndihmë për të shmangur një “katastrofë” humanitare. Ashtu si shumë familje në Afganistan, të ardhurat familjare të Zaigulit dhe Nasirit kanë rënë gjatë muajve të fundit. Ata mbetën pa punë ngase shumica e projekteve të ndërtimit u ndaluan me ardhjen e talebanëve në pushtet.

“Asnjëri prej nesh nuk mund të gjejë më punë. Kemi mungesë të gjërave elementare si për ushqim, rroba të trasha dhe ngrohës për shtëpi”, tha Zaigul, ndërsa mbështillte një shall të hollë rreth shpatullave.

Shtëpia njëdhomëshe e Zaigulit ishte bosh, me përjashtim të disa dyshekëve të vjetër të shtrirë në dyshemenë e ftohtë prej guri. Gjatë ditës, këta dyshekë i përdornin për t'u ulur, ndërsa natën për të fjetur. Ndërsa, në një qoshe të dhomës, ndodhej një qese e zbrazët mielli pranë një sobe të ndryshkur, të cilën e përdorte për të gatuar bukën.

Tutje, Zaiguli rrëfeu jetën para ardhjes së talebanëve, duke thënë se pavarësisht se ishte e varfër, familja e saj kishte ca të ardhura dhe donacione nga OJQ-të ndërkombëtare që i ndihmonin gjatë sezonit të dimrit.

"Por tani edhe kjo ndihmë është ndalur", tha ajo për “Al-Jazeera”.

"Fëmijët e mi dalin për të mbledhur mbeturina për t'i shitur ose për të gjetur letër për t'u ngrohur dhe nganjëherë, mendoj të dal në rrugë për të lypur," tha ajo, teksa lotët iu formuan në cepat e syve të saj.

Image
Eloom Bibi, nënë e ve e gjashtë fëmijëve, thotë se largimi i OJQ-ve ndërkombëtare rëndoi gjendjen ekonomike të familjes

Sanksionet, ndëshkim edhe për qytetarët

Sanksionet perëndimore i kanë dhënë një goditje të rëndë vendit të varur nga ndihmat, duke detyruar OJQ-të ndërkombëtare t’i ndalojnë veprimtaritë e tyre në vend. OKB-ja dhe agjencitë e tjera të ndihmës janë përpjekur për të ofruar ndihmë, pasi spitaleve publike u mungonin furnizimet thelbësore mjekësore ose u mungonin paratë për të paguar stafin mjekësor. Ngjashëm me Zaigulin, Eloom Bibi, nënë e ve e gjashtë fëmijëve nga fshati Shemol në periferi të Xhalalabadit, gjithashtu varej shumë nga donacionet pasi burri i saj që punonte si polic, vdiq katër vjet më parë.

“Njerëzit më kanë ndihmuar shumë, por tani nuk ka asgjë të tillë më dhe e kuptoj pse. Ata janë të papunë”, tha 35-vjeçarja.

“Më parë, mijëra të veja punonin, mirëpo me ardhjen e talebanëve, tash ato janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi”. Ka theksuar ajo për “Al-Jazeeran”. “Çfarë mund të bëjë një grua për të mbajtur familjen e saj?" - pyeti ajo.

Ajo ka vështirësi për pagimin e qirasë, blerjen e ushqimit për fëmijët e saj dhe përballimin e tarifave të tyre të shkollës.

“Më parë gratë ishin të lira”

“Gjërat ishin më mirë më parë”, tha Bibi. “Fëmijët e mi shkonin në shkollë, vajza dhe djem bashkë. Madje, ne merrnim donacione dhe gratë ishin të lira”, tha ajo.

Sipas analistit të pavarur afgan, Ahmet-Valeed Kakar, "sfidat kryesore për gratë janë me natyrë financiare dhe ekonomike", tha ai për “Al-Jazeera”.

Për gratë afgane, sfidat ekonomike kanë ndikuar në kufizimin e lirisë, punësimit, arsimimit duke përfshirë edhe lëvizjen.

Kakar tha se shumica e afganëve jetojnë në zona rurale ku njerëzit varen nga bujqesia por tani ata po kanë vështirësi meqë po ka një rritje masive të pasigurisë ushqimore.

Kriza ekonomike, thatësia që po dëmton bujqesinë, ekonominë dhe sistemin bankar të Afganistanit, ka ndikuar negativisht në pagat e nëpunësve civilë. Kështu, gratë që punojnë në sektorin publik, krahas burrave, paguhen në mënyrë te parregullt, e ndonjëherë nuk paguhen fare", tha Kakar.

"Mësimdhënia përbën pjesën më të madhe të punësimit të grave ne Afganistan", tha Sultan, duke shtuar se atyre nuk u janë dhënë pagat që nga maji ose qershori, me përjashtim të disa pagesave të vogla të bëra nga talebanët.

"Në anën tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka pranuar t'i paguajë ato, por paratë ende nuk janë mobilizuar", tha ajo për “Al-Jaazera”. Tutje, Sultan, e cila ka punuar për të drejtat e grave në Afganistan për më shumë se dy dekada, tha se shumë gra biznesmene nuk mund të kishin qasje në fondet e tyre në banka.

"Sfida më e madhe për gratë është ajo ekonomike me asetet dhe ndihmat të cilat nuk ekzistojnë më", shpjegoi ajo.

“Burgosja” e grave në shtëpi

Pavarësisht se vinte nga një familje e qëndrueshme financiarisht, gjërat janë përkeqësuar edhe për 19-vjeçaren Anzorat Vali, anëtare e ekipit kombëtar afgan të taekvondos për femra. Ndërsa vëllai i saj, Vali, nëpunës civil, vazhdon të punojë në Ministrinë e Jashtme, por që nuk është paguar prej muajsh.

Ndërkohë, nëna e saj e cila më parë mbante familjen, humbi punën në Ministrinë e Arsimit pasi talebanët u bënë thirrje grave në sektorin publik të qëndrojnë në shtëpi. E gjithë kjo situatë ndikoi edhe në jetën e adoleshentes, Vali, së cilës iu ndalua shkollimi dhe gjëja që ajo e donte më së shumti, sporti i taekvondos. Ajo nxorri një fotografi të një prej garave të saj të fundit dhe mendonte për ditët kur kishte në plan të ushtronte artet marciale së bashku me motrën e saj.

Në fotografi, sytë i shkëlqenin nga krenaria teksa qëndronte me rripin e zi duke treguar një medalje të fituar dhe certifikatën për vendin e tretë.

Edhe pse u dëshpërua nga ndalimi i sporteve për femra, Vali ndjen më shumë dhimbje nga kufizimet në arsimimin e grave dhe nga vështirësitë financiare të familjes së saj.

"Sfida më e madhe për mua është se nuk mund të punoj apo të studioj", tha Vali, e cila pavarësisht se është në vitin e fundit shkollor, është detyruar të qëndrojë në shtëpi pasi talebanët ia mbyllën shkollën.

Edhe pse talebanët nuk e kanë ndaluar zyrtarisht arsimimin e vajzave, ata kanë mbyllur shkollat e mesme të vajzave dhe kanë ndaluar gratë të shkojnë në universitetet publike në më shumë se 30 krahina të vendit.

Image
Si shumë afganë, edhe Bibi jeton në zonë të thellë e të varfër në Afganistan

Huti në mesin e talebanëve

Megjithatë, kohët e fundit, arsimimi i nivelit të mesëm është rikthyer në rreth 15 krahina, sipas Obaidullah Baheer, pedagog në drejtësinë tranzicionale në Universitetin Amerikan në Afganistan.

“Për gjysmën tjetër të krahinave, kemi dëgjuar gjëra të ndryshme”, tha ai, duke shpjeguar se talebanët kanë vonuar rihapjen e shumë shkollave të vajzave.

"Qasja e talebanëve lidhur me politikat dhe pozicionin e tyre ndaj grave brenda shoqërisë, qoftë e qëllimshme apo jo, është e pakuptueshme dhe konfuze", tha Baheer, duke shpjeguar se edhe udhëheqësit e tyre janë të ndarë sa i përket mendimeve për këtë temë.

Baheer tha se derisa talebanët qartazi i ndaluan gratë të mbajnë poste udhëheqëse, ata nuk kanë njoftuar për sektorë të tjerë ku gratë e kanë zyrtarisht të ndaluar të punojnë.

"Rezultati është se shumë nga ta janë të hutuar rreth asaj që duhet apo nuk duhet bërë", shtoi ai, duke thënë se urdhrat që ndalojnë udhëtimin e grave në distanca të largëta, i shtyjnë taksistët të refuzojnë t'i çojnë gratë në punë nga frika se mos janë duke thyer rregullat.

"Në ca krahina, gratë janë ndaluar të shkojnë në punë dhe vajzave u është ndaluar shkollimi, por në të tjera, disa gra janë edhe në punët qeveritare.

"Çdo krahinë po vendos për vete”, tha ai për “Al-Jazeeran”, duke theksuar pakuptimësinë e këtyre gjërave.

Por për Valin, detajet nuk kanë rëndësi.

"Ne gratë shkonim në shkollë ose në punë. Tani, thjesht nuk na lejohet asnjëra", tha atletja adoleshente. "Ajo që ka rëndësi tani, është se familja ime po përballet me një krizë dhe se është shumë e vështirë të mbijetosh, e veçanërisht nëse je grua”.

Përktheu: Leutrime Rekaliu