Botë

Momenti kur gruaja në Belgjikë shtyhet para trenit, i shpëton më të keqes

Një grua franceze ishte shtyrë nga prapa drejt shinave në një metro në Bruksel, mirëpo ajo i shpëtoi më të keqe, pasi drejtuesi i trenit pa ngjarjen dhe frenoi në çastet e fundit, raporton “Daily Mail”.

Në xhirimet që janë shfaqur shihet një burrë duke e shtyrë gruan nga prapa, ndërsa treni ishte duke ardhur.

55-vjeçarja ra në shina me kokë para. Por, treni u ndal në çastet e fundit.

Zyra e Prokurorit në Bruksel ka treguar se një i dyshuar 23-vjeçar është arrestuar për tentim vrasje në metron Rogier më 14 janar.

Gruaja nuk ka marrë lëndime serioze, ndërsa u dërgua në spital pasi ishte në shok. Njëjtë edhe drejtuesi i trenit u dërgua në spital pasi ishte në shok për ngjarjen që ndodhi.

Mediumet lokale kanë raportuar se i dyshuari ishte rrahur nga një pasagjer i zemëruar pas ngjarjes dhe kishte rënë në shina.