Botë

Gjermania shpreh mbështetjen evropiane për Qeverinë ukrainase

Rusia do të paguajë çmim të lartë nëse do ta pushtojë Ukrainën, ka paralajmëruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Shefja e diplomacisë së ekonomisë më të madhe evropiane i ka bërë komentet gjatë një konference për media në Kiev me homologun ukrainas Dmytro Kuleba.

Ajo ka thënë se mënyra më e mirë për ta mbështetur Ukrainën është që të sigurohet se Bashkimi Evropian, Grupi i shtatë shteteve dhe NATO-ja të pajtohen unanimisht se “çfarëdo agresioni i mundshëm do të kishte çmim të lartë për regjimin rus në aspektin ekonomik, politik dhe strategjik”. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar të premten se inteligjenca ka fakte se Rusia po sajon një pretekst që trupat e saj ta pushtojnë Ukrainën. Shtëpia e Bardhë ngulmon se Moska tashmë ka vendosur agjentë në lindje të Ukrainës për të kryer një operacion të rremë për t’i hapur rrugë agresionit.