Botë

Gjykata kanadeze përgjysmon dënimin e gruas që vrau burrin abuziv

Descriptive Text

Një gjykatë kanadeze ka përgjysmuar dënimin e një gruaje që ka vrarë bashkëshortin e saj. Në një vendim të Gjykatës së Apelit të Albertas, thuhet se dënimi me burgim për 18 vjet i Helen Naslund, duhet të reduktohet në 9 vjet.

“Ka kaluar kohë që kjo gjykatë të pranojë në mënyrë eksplicite se rastet e grave të dhunuara që vrasin partnerë abuzues përfshijnë rrethana unike që duhet të merren parasysh nga gjyqtari i dënimit, veçanërisht kur përfshihet sindroma e gruas së dhunuar”, shkroi gjyqtarja Sheila Greckol.

Më 2011 Naslund, gjyshe e tetë fëmijëve, qëlloi bashkëshortin e saj prapa kokës ndërsa ai po flinte. vrasja erdhi pasi burri e kishte abuzuar atë fizikisht dhe emocionalisht për gati 3 dekada, duke nxitur Helen Naslundin të tentojë vetëvrasjen disa herë. Pas vrasjes, Helen Naslund dhe djemtë e saj e fshehën trupin e burrit, veturën e tij dhe e mbajtën krimin sekret për gjashtë vjet, raporton Guardian.

Ndërsa djali i saj Neil mori dënim me 3 vjet, Helen Naslund u pajtua me një deklaratë të përbashkët të mbrojtjes dhe prokurorëve që do ta çonin atë në burgim për 18 vjet për vrasje nga pakujdesia, kështu duke anashkaluar gjyqin që me gjasë do t’i jepnin dënim më të ashpër.

Më 2020 rasti i saj u bë i njohur dhe nxiti nënshkrimin e 25 mijë njerëzve të cilët dolën në mbrojtje të saj.

Greckol pohoi se dënimi për 18 vjet i gruas ka qenë i ashpër krahasuar me rastet të tjera të ngjashme ku janë marrë dënime me më pak vjet.