Botë

Ahmetasheviq: Në Bosnjë, populli s’e ndien rrezikun për luftë

Nixhara Ahmetasheviq, redaktore regjionale në revistën “Kosovo 2.0”, ka thënë se populli në Bosnjë nuk është duke e ndier rrezikun nga një luftë e mundshme, siç po raportohet ndërkombëtarisht.

Në Interaktiv të KTV-së, Ahmetasheviq ka thënë se populli e ka problemin kryesor me varfërinë. Sipas saj, lufta është e mundshme vetëm nëse forcat e jashtme duan të kenë luftë në rajon.

“Sikur çdo gjë tjetër në rajonin tonë, gjithçka është e mundshme. Dhe kjo nuk është diçka që unë e them me dëshirë, por fatkeqësisht gjithçka është e mundshme në rajon dhe këtë më së miri na e ka mësuar historia. Megjithatë, kur unë erdha prej Bosnjës në Prishtinë para një muaji dhe po flisja me miqtë e mi, kolegët, familjarët askush nuk është duke folur për një luftë. Njerëzit në Bosnjë janë të uritur, njerëzit në Bosnjë janë të uritur për bukë, por gjithashtu janë të uritur edhe për drejtësi në këtë jetë, dhe ajo për çka ne po flasim është për qytetarët që po e braktisin shtetin. Vetëm gjatë pandemisë, numri i atyre që lëshuan shtetin shkoi në 80 mijë, që është një numër shumë i madh për një vend të vogël siç është Bosnja dhe Hercegovina dhe ne sa vijmë e bëhemi më të varfër”, ka thënë ajo.

“Ne lexojmë mediume si ‘The Guardian’ apo ‘New York Times’ dhe të dyja flasin për një luftë potenciale në Bosnjë dhe Hercegovinë, ne dëgjojmë politikanët ndërkombëtarë që vijnë në Bosnjë dhe flasin për një luftë, por ne nuk e ndiejmë”, është shprehur tutje ajo.

Sipas saj, të gjithë ata alarmuesit për një luftë të mundshme nuk po e dëgjojnë popullin e Bosnjës që është kundër luftës. Kërcënimet që vijnë nga Milorad Dodiku, anëtari serb i Presidencës në Bosnjë, ajo i sheh si pjesë të retorikës që “vlen vetëm për aq kohë sa ai është në pushtet”.

Ahmetasheviq ka shtuar se me kalimin e kohës po kuptohet se marrëveshja e Dejtonit “nuk ishte zgjidhje e mirë”.

“Marrëveshja paqësore e Dejtonit ia imponon shtetit një lloj strukture që nuk mund t’i mbijetoj dhe tani gjithçka po shembet. Marrëveshja paqësore e Dejtonit ishte krijuar nga amerikanët dhe fuqitë e tjera perëndimore, por edhe me ndihmën e fuqive të tjera po ashtu dhe është shumë e vështirë për ta që ta pranojnë se kanë dështuar, kanë dështuar në Bosnjë. Është shumë e vështirë për ta që ta pranojnë se kanë dështuar në këtë, sepse modeli boshnjak u transferua në Kosovë, por po ashtu në Afganistan e Irak dhe në shumë shtete të tjera ku pati intervenim ndërkombëtar. Ata në njëfarë forme po provojnë ta pasqyrojnë atë se çka kanë bërë në Bosnjë edhe në shtetet e tjera por ky model është duke dështuar dhe ne po e shohim se si po dështon anë e mbanë botës. Dhe kjo është diçka që unë nuk e shoh se politikanët ndërkombëtar janë të gatshëm ta pranojnë, të thonë se ‘Po marrëveshja paqësore e Dejtonit ishte një gabim shumë i madh’ dhe siç e quante një profesor imi, një shtet që i ngjan historisë së Frankenshtajnit. Dhe një shtet ‘Frankenshtajni’ nuk mund të mbijetojë”, ka vazhduar ajo teksa ka shtuar se ndërkombëtarët po përpiqen ta gjejnë një zgjidhje të shpejtë për Bosnjën.

Sipas saj, vazhdimi i krizës në rajon sjell me vete rrezikun që në të vërtetë të hapen kufijtë. Por ajo ka thënë se popujt më s’janë të interesuar e as të gatshëm për luftë, dhe se një gjë e tillë do të çonte vetëm në “krizë emigrantësh”.

“Vuçiqi, rrezik i madh për rajonin”

Se sa ka luajtur rol Serbia për idenë e ndarjes së Bosnjës, Ahmetasheviq ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdon të jetë rrezik shumë i madh për Ballkanin.

“Ai është përgjegjësi kryesor për çfarë po ndodh në Bosnjë deri më sot, madje edhe në Kosovë. Edhe kur nuk ka tensione ai do të bëjë çmos që të krijojë tensione dhe të krijojë ide të tilla, pasi që ai është personi kryesor që po i përhap këto ide të luftës. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian po e pranon këtë dhe injorojnë atë që po ndodh në Serbi dhe ka shumë probleme në Serbi. Sikurse në Bosnjë edhe në Serbi një numër i madh njerëzish janë kundër dhe e kanë nuhatur atë se çfarë Vuçiqi po bën”, ka thënë Ahmetasheviq.

Sipas saj, Bosnja dallon nga Kosova sepse tek ajo rol ka edhe Kroacia. Ajo ka thënë se nga ky këndvështrim, Bosnja është më e dobët e se populli i saj është lënë i vetëm.