Botë

Gratë, prijëse të betejës ndaj pandemisë në shtetin afrikan

Descriptive Text

Shumë prej tyre brenda dhe jashtë Burkina Fasos nuk u besojnë të dhënave të virusit të ofruara nga qeveria – 15. 514 raste dhe 265 vdekje duke vënë në dukje mungesën e testimit dhe një sistemi shëndetësor që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur ndër më të dobëtit në botë

Mariama Sawadogo ulet në një studio të vogël, duke përkthyer shënime nga frëngjishtja në gjuhën lokale ‘Moore’ dhe duke shtjelluar temat e caktuara si përhapja, parandalimi dhe vaksinimi. Sawadogo i prek këto tema në emisionin e saj dymujor të radios në Zama FM, duke intervistuar mjekë dhe infermierë rreth COVID-19 dhe duke testuar telefonuesit rreth njohurive të tyre. Shumë të ftuar dhe dëgjues në shtetin Burkina Faso e quajnë “teto”, ndërsa ajo i udhëzon me butësi drejt përgjigjeve të duhura dhe u jep shpërblime të tilla si ndonjë sapun dhe kova larëse.

Zëri i Sawadagos është bërë një tingull i njohur për gati një milion njerëz në qytetin e saj Kaya dhe më gjerë, në verilindje të kryeqytetit në këtë vend të Afrikës Perëndimore, ku shumë mendojnë se qeveria i ka zhgënjyer gjatë pandemisë. Të uritura për çdo informacion rreth virusit, nënat mblidhen së bashku jashtë për t’u akorduar në shfaqjen e Sawadogos, duke ndjekur emisionin përmes telefonave të mençur, ndërsa fëmijët e tyre luajnë aty pranë.

Testet, vaksinat dhe mesazhet publike nuk arrijnë të përfshijnë 20 milionë banorëve të vendit, pavarësisht një buxheti prej 200 milionë dollarësh që është ndarë për masa kundër virusit. Në një rajon ku gratë janë përgjegjëse për punën familjare dhe marrëdhëniet me komunitetin, ato janë organizuar në një zë kolektiv autoritar, për të bërë dhe ofruar furnizime dhe për të gjetur mënyra të mbështesin familjet e tyre gjatë krizës ekonomike.

“Nuk na kanë ndihmuar”, ka thënë Mamounata Ouedraogo për qeverinë. “Nëse do të prisnim informata prej tyre, nuk do t’i merrnim kurrë”.

Ashtu si Sawadogo, ajo jeton në Kaya, një nga strehët e fundit të sigurta në vendin e rrënuar nga konflikti, ku dhjetëra e mijëra njerëz të zhvendosur kanë kërkuar strehim pasi dhuna që u përhap nga shteti fqinj, Mali, në vitin 2005 u rrit dhe sulmet xhihadiste shkelin qytetet kryesore. Ouedraogo dëgjon të gjitha emisionet e Sawadogos dhe tha se pa to nuk do të kishte njohuri për virusin.

Norbert Ramde, kreu i shoqatës së mjekëve të Burkina Fasos, ka thënë se sëmundjet si malaria, SIDA dhe tuberkulozi janë prioritetet më të larta për qeverinë dhe komunitetin mjekësor dhe përveç sëmundjeve, xhihadistët janë kërcënimi më i madh.

“A doni që ne të marrim të gjitha burimet për të luftuar COVID-19 dhe ta harrojmë këtë?”, ka thënë ai. “Ne duhet të investojmë edhe në këtë”.

Image

Goditja nga pandemia

Por Burkina Faso u godit rëndë kur pandemia goditi marsin e kaluar, duke regjistruar disa nga numrat më të lartë të të infektuarve dhe të vdekurve në Afrikë. Zyrtarët zbatuan orën policore, mbyllën kufijtë dhe mbyllën xhamitë, kishat, shkollat dhe tregjet. Shumë banorë protestuan dhe pas vetëm disa javëve, shumica e kufizimeve u hoqën.

“Prioriteti i qeverisë është ta bindë popullsinë dhe jo të marrë masa që do të ishin shumë agresive”, ka thënë doktori Brice Bicaba, epidemiologu i qeverisë, i cili flet për koronavirusin në Burkina Faso.

Ai ka theksuar se zyrtarët kanë zgjedhur të punojnë përmes liderëve të komunitetit dhe shoqatave lokale për t’i bërë banorët të kuptojnë rreziqet e virusit dhe të kontrollojnë sjelljen e tyre, në vend që të rivendosin kufizime dhe të rrezikojnë krijimin e protestave dhe konflikteve, gjë që është një shqetësim për qeverinë e re të Burkina Faso që nga rrëzimi i presidentit shumëvjeçar në vitin 2014.

Një pjesë e buxhetit shkoi për t’iu kundërpërgjigjur virusit përmes fletushkave, mesazheve në radio dhe TV dhe masa të tjera të angazhimit të komunitetit, përveç krijimit të laboratorëve dhe blerjes së furnizimeve dhe testeve mjekësore, sipas Bicaba dhe dokumenteve buxhetore.

Por, shumë profesionistë shëndetësorë dhe qytetarë thanë se këto përpjekje përmes mesazheve nuk po arrijnë të gjithë njerëzit. Në Kaya, zyrtarët mbajtën një takim publik në dhjetor për të dhënë informacion të përgjithshëm, por vendasit thanë se do të kishin preferuar vizitat derë më derë për të shpjeguar më mirë masat parandaluese dhe për të dhënë detaje se si kontraktohet (shkaktohet, ngjitet) virusi.

Problemi me mesazhet

Mesazhet gjithashtu nuk janë përkthyer gjithmonë në gjuhët lokale, një problem i rëndësishëm pasi shumica e njerëzve nuk flasin rregullisht gjuhën zyrtare të vendit e që është frëngjishtja. Edhe në kryeqytetin, Ouagadougou, i cili është 85 kilometra nga Kaya, mesazhet me tabela rreth maskave, larjes së duarve dhe vaksinimit nuk kanë qenë të përhapura.

Në Ouagadougou, Zenabou Coulibaly Zongo shpenzon paratë e saj duke krijuar sapunë dhe duke blerë dezinfektues duarsh për xhamitë, tregjet dhe qendrat shëndetësore. Në fillim të pandemisë, Zongo, tani 63 vjeç, u shtrua në spital me pneumoni bronkiale. Ajo pagoi nga xhepi i saj për dy javë trajtime me oksigjen në një klinikë private, ku pa të tjerët të vdisnin nga problemet e frymëmarrjes.

“Ishte një thirrje zgjimi, sepse parashikova përhapjen e koronavirusit si në Evropë,” ka thënë ajo.

Tani, pavarësisht se astma e rrezikon më shumë, Zongo i dorëzon sapunët e saj dhe i përdor vizitat e saj për të udhëzuar njerëzit në lidhje me COVID-19 dhe vaksinat. Gjatë një vizite në një xhami, disa njerëz i thanë Zongo, e cila vlerësohet shumë në komunitetin e saj si themeluesja e Këshillit të Grave të Burkinabe, se ata nuk dinin që vaksinat ishin falas derisa ajo dha informacionin.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se qeveritë duhet të marrin drejtimin, por angazhimi i komunitetit shërben si themeli i përgjigjeve ndaj urgjencave.

“Organizatat e komunitetit janë kyçe për plotësimin e këtyre boshllëqeve të mbetura, pasi mbështetja e qeverisë qendrore mund të mos mjaftoje”, ka thënë Donald Brooks, CEO i Iniciativës “Eau”, një grup ndihme amerikane që ndihmon në përgjigjen pandemike të Burkina Fasos.

Shumë prej tyre brenda dhe jashtë Burkina Fasos nuk u besojnë të dhënave të virusit të ofruara nga qeveria – 15. 514 raste dhe 265 vdekje duke vënë në dukje mungesën e testimit dhe një sistemi shëndetësor që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur ndër më të dobëtit në botë.

Shumë njerëz nuk vijnë në spitale dhe në vend të kësaj vdesin në shtëpi, kështu që ka të ngjarë të mos përfshihen në numërimet zyrtare. Megjithëse, qeveria tashmë luftonte këtë dukuri të të mos shkuarit në spital edhe para pandemisë, ngase më parë dhuna xhihadiste e Al-Kaidës dhe grupi i Shtetit Islamik pengonte testimet ndaj virusit dhe pengonte njerëzit të hynin në klinikat shëndetësore.

Keqinformimi

Mes kësaj atmosfere kaotike, me ushtrinë që po përpiqet të frenojë dhunën dhe një ultimatum nga opozita ndaj presidentit – ka lulëzuar keqinformimi. Prania në radio e Sawadogo shërben si një zë prijës për ta luftuar atë. Ajo dëgjon nga dëgjuesit cinikë që thonë se pandemia u krijua për të sterilizuar njerëzit me ngjyrë. Disa e akuzojnë atë për gënjeshtër.

Por nëna e tre djemve është mësuar me kundërshtuesit dhe skeptikët. Në vitin 2007, ajo la burrin e saj të parë pavarësisht nga një mospëlqim (mospajtim) i fortë kulturor ndaj divorcit, pjesërisht sepse ai nuk e linte të punonte si grua islame. Ajo donte të ishte e pavarur financiarisht, kështu që shkoi në shkollën e natës dhe u bë kontabiliste.

Praktika e saj ishte në Radio Zama, ku shefat e saj ndien një prani të fortë në radio pasi ajo regjistroi disa reklama. Kështu në vitin 2016, ajo filloi të drejtonte emisione. Kur stacioni mori fonde nga Bashkimi Evropian për emisionin për virusin, ajo ishte një zgjedhje e natyrshme.

“Ju jeni në Zama FM. Si po ia kaloni?” Sawadogo përshëndet telefonuesit. “Si quheni dhe prej nga po telefononi?” Ajo u drejtohet mysafirëve dhe dëgjuesve si familjarë.

“Disa herë pas shfaqjes, njerëzit më telefonojnë personalisht dhe thonë: “Familja jonë nuk besonte në sëmundjen, por qëkur të kanë dëgjuar, tani besojnë,” tha Sawadogo. “Kur kupton se mijëra njerëz dëgjojnë zërin tënd dhe marrin parasysh atë që thua, thjesht je krenar”.

Kjo e mban atë t’i kalojë ditët e gjata pasi kujdeset edhe për djemtë e saj, gatuan dhe nuk shihet gjatë me të shoqin. Ai shet grurë në rajonin Sahel të vendit dhe shihen vetëm një herë në dy javë.

Por Zongo dhe Sawadogo thonë se përfundimisht do të vaksinohen dhe do të vazhdojnë të përhapin mesazhet e tyre për pandeminë dhe të mbrojnë gratë.

“Një grua – nëse është evropiane ose amerikane, ose amerikano-jugore, kushdo qoftë ajo – unë e shoh atë si një feniks”, ka thënë Zongo. “Pavarësisht se sa fort të godasin, duhet të jesh në gjendje të ngrihesh përsëri në këmbë, gjithmonë në gjendje të ngrihesh në këmbë, gjithmonë në gjendje të ngrihesh në këmbë, si feniksi që ngrihet përsëri nga hiri”.

Përktheu: Leutrime Rekaliu