Botë

Kundërshtohen me protesta masat anti-COVID në Holandë e Australi

Qeveria e Holandës të premten mbrëma ka ashpërsuar masat e izolimit për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus. Kryeministri në detyrë, Mark Rutte, ka thënë se nga e diela, gjithçka do të jetë e mbyllur nga ora pesë pasdite deri në orën pesë të mëngjesit. Shkollat dhe universitetet do të mbesin të hapura.

Masat e reja pritet të zgjasin së paku tre javë. Mirëpo, derisa kryeministri po njoftonte për masat, protestuesit kanë kundërshtuar ato. Mijëra prej tyre kanë qëndruar para objektit të Parlamentit para se të marshonin nëpër rrugët e kryeqytetit.

Protestë më e madhe kundër vaksinimit obligues dhe ashpërsimit të masave është mbajtur në Melbourne të Australisë. Kjo ishte java e dytë që protestuesit mblidhen nëpër rrugët e qytetit australian për të kundërshtuar vaksinimin dhe ligjin për t’i dhënë më shumë pushtet qeverisë në kohë pandemie.