Botë

OBSH-ja e cilëson shqetësues variantin e ri të COVID-19, “Omicron”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësimin për variantin e ri të COVID-19, që fillimisht është identifikuar në Afrikën e Jugut.

Sipas OBSH-së, të dhënat e para lidhur me variantin i cili është emëruar Omicron, flasin për rritje të rrezikut me riinfektim me këtë variant.

Në një deklaratë të lëshuar të premten në mbrëmje, OBSH-ja ka bërë të ditur se numri i rasteve me variantin e ri i cili parashihet se mund të ketë mutacione, duket të jetë në rritje në pothuajse të gjitha provincat e Afrikës Jugore.

“Një variant bëhet shqetësues kur ai mutacion mund të ndikojë në gjëra të tilla si transmetueshmëria, virulenca ose efektiviteti i vaksinave. Varianti ka një numër të madh të mutacioneve, disa prej të cilave janë shqetësuese”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.

OBSH-ja ka thënë se do të duhen disa javë për të kuptuar ndikimin e variantit të ri, pasi shkencëtarët po punojnë për të përcaktuar se sa i transmetueshëm është.

OBSH-ja është deklaruar edhe kundër vendeve që vendosin me nxitim kufizime udhëtimi, duke thënë se ato duhet të shikojnë një "qasje të bazuar në rrezik dhe shkencore".

Varianti, me emrin Omicron, u raportua për herë të parë në Afrikën e Jugut, më 24 nëntor.

I njohur më parë si B.1.1.529, ai është identifikuar gjithashtu në Belgjikë, Botsvanë, Hong Kong dhe Izrael. Si pasojë e tij, Britania e Madhe, vendet e BE-së dhe Zvicra kanë ndaluar përkohësisht fluturimet nga disa vende të Afrikës Jugore.