Botë

Gjermania heziton të mbyllet pavarësisht rekordeve ditore me COVID-19

Qeveria e Gjermanisë refuzoi të mbështesë thirrjet të premten për një bllokim të shpejtë dhe të mprehtë, për të frenuar situatën e përkeqësuar të koronavirusit në këtë shtet.

Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka deklaruar se kontaktet mes njerëzve duhet të reduktohen në masë të madhe, duke paralajmëruar se “situata është dramatikisht serioze, madje më serioze se në çdo periudhë të pandemisë”.

Mirëpo, Spahn ka refuzuar të thoshte nëse do të mbështeste kufizimet e përgjithshme të llojit të parë gjatë fazave të mëparshme të pandemisë, kur shkollat, dyqanet jo thelbësore dhe fusha të tjera të jetës publike ishin mbyllur.

Austria e përballur me një rritje të ngjashme të rasteve, në fillim të kësaj jave urdhëroi një bllokim dhjetë-ditor për të gjithë, me mundësi vazhdimi për dhjetë ditë të tjera.

Një zëdhënës i kancelares në largim, Angela Merkel, gjithashtu refuzoi të diskutohej nëse ajo favorizonte nxitjen e të ashtuquajturave masa frenuese emergjente, të përdorura për herë të fundit në prill.

Qeveria e re gjermane pritet ta marrë pushtetin në fillim të muajit dhjetor, derisa periudha e tranzicionit, me Merkelin si kujdestare, është fajësuar për paralizimin e përgjigjes së Gjermanisë ndaj pandemisë.

Agjencia e kontrollit të sëmundjeve në Gjermani ka thënë se 76,414 raste të tjera u raportuan në 24 orët e fundit, që shënon sërish një rekord të ri të rasteve pozitive.

Ndërkohë, Instituti Robert Koch ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit, në Gjermani janë regjistruar 357 vdekje të reja nga COVID-19, duke e çuar totalin që nga fillimi i shpërthimit në 100,476.